Mesazhi i Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi me rastin e 12 qershorit, Ditës së Paqes

Prishtinë, 11 qershor 2009

 
Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës,

 

12 Qershori, Dita e Paqes, sikur në të gjitha vitet pas përmbysjes së epokës së robërisë, shënon Ditën e Çlirimit të Kosovës, ditën e fillimit të Epokës së Lirisë, ditë me të cilën çdo qytetar i vendit tonë duhet të ndihet krenar.

 

Është kjo ditë në të cilën shënojmë kujtimin për të gjithë dëshmorët e lirisë, për martirët tanë, për të gjithë qytetarët që dhanë jetën në rrugëtimin e gjatë për çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës.

 

Më 12 qershor të këtij viti po mbushen dhjetë vjet nga çlirimi i Kosovës, kur vendi dhe qytetarët tanë iu bashkuam vendeve të lirë të botës demokratike, pas një shekulli të tërë të robërisë e vuajtjeve, pas luftës së gjatë për liri, pavarësi dhe demokraci.

 

Sot, dhjetë vjet pas çlirimit të vendit tonë, kujtojmë simbolin e sakrificës së gjithë popullit të Kosovës, babain e Pavarësisë së Kosovës, komandanti tonë legjendar, Adem Jashari dhe familjen e tij heroike.

 

Populli i Kosovës ka bërë përpjekje dhe sakrificë të vazhdueshme për të ardhur deri tek liria që gëzojmë sot.

 

Madhështia e Ditës së Paqes, sot, më 12 qershor 2009, është se këtë Ditë të Madhe të krenarisë sonë, po e shënojmë në Kosovën, shtet i pavarur, sovran dhe demokratik, me qeverisje të mirë, efektive dhe transparente, duke garantuar mbrojtjen afirmative të të drejtave të të gjitha komuniteteve në vendin tonë.

 

Republika e Kosovës, në shënimin e Ditën e Paqes këtë vit, është e njohur nga 60 shtete të botës, nga shtetet më të fuqishme në botë, si dhe po arrin suksese të vazhdueshme në të gjitha sferat, që nga avancimi i infrastrukturës së gjithanshme, në arsim, në zhvillimin ekonomik dhe në sfera tjera.

 

Në Ditën e Paqes, kujtojmë se Republika e Kosovës, është pranuar anëtare me të drejta të barabarta e Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, duke e hapur kështu rrugën e pandalshme të zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik dhe integrimit në të gjitha mekanizmat financiarë ndërkombëtarë.

 

Në Ditën e Paqes, falënderimi u takon edhe eprorëve dhe ushtarëve të aleancës më të madhe ushtarake botërore, NATO-s, të cilët në momentet më të vështira dhe më vendimtare u vunë në mbrojtje të vlerave të qytetërimit në Kosovë, duke qenë krah për krah Kosovës dhe popullit të saj në rrugëtimin përfundimtar për liri dhe dinjitet.

 

Në Ditën e Paqes, institucionet dhe populli i Republikës së Kosovës shprehin mirënjohjen e lartë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Evropian dhe të gjitha vendet e tjera demokratike, të cilat me përkrahjen e vazhdueshme dhe në të gjitha fushat e ndihmuan dhe po e ndihmojnë ndërtimin e shtetit tonë.

 

Gëzuar Dita e madhe e Paqes!

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors