Mesazhi i Kryeministrit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, me rastin e Krishtlindjeve


Image

Prishtinë, 23 dhjetor 2011
 
Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi përgëzon ipeshkvin e Ipeshkvisë së Kosovës, Imzot Dodë Gjergjin dhe gjithë besimtarët të krishterë, me rastin e Krishtlindjeve
 
I  nderuari Imzot,  Dodë Gjergji,
Të nderuar besimtarë të besimit të krishterë,
 
Festa e Krishtlindjeve është ndër festat më të rëndësishme të botës së krishterë, që kremtohet me dinjitet dhe krenari nga mbarë komuniteti katolik dhe protestanë, kudo që jetojnë.

Kjo festë madhështore e njërit nga besimet më të rëndësishme të njerëzimit kremtohet edhe në Kosovën e lirë, të pavarur, sovrane dhe demokratike, duke e bërë fundvitin më të ngrohtë, më human dhe përmbledhës të të arriturave në familje, në shoqëri dhe arenën ndërkombëtare.

Kosova i bashkohet lumturisë dhe gëzimit që sjell kjo festë e cila mishëron idenë dhe ndjenjat e besimit në vlera hyjnore dhe njerëzore, në rilindjen shpirtërore dhe kultivimin e paqes midis popujve, si kusht i zhvillimit dhe përparimit të njerëzimit.

Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në emrin tim uroj që kjo festë të sjellë edhe më shumë ngrohtësi, lumturi, shpresë dhe suksese në familjet tuaja, që të sjellë harmoni, paqe dhe përparim në shoqërinë tonë.

Me një konsideratë të veçantë, Festën e Krishtlindjeve ua uroj  besimtarëve të krishterë  të komunitetit ndërkombëtarë , që gjenden në Kosovë.
 
Gëzuar Krishtlindjet!
 
Hashim Thaçi,
Kryeministër i Republikës së Kosovës 

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors