Prishtinë, 26 Nëntor 2009
Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, përgëzon kryetarin e Bashkësisë Islame të Kosovës, myftiun Naim Tërrnava dhe besimtarët islamë, me rastin e festës së Kurban Bajramit. Në mesazh thuhet:
I nderuari z. Tërrnava,
Të nderuar besimtarë,
Kam nderin dhe kënaqësinë që në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në emrin tim t’ju uroj festën e Kurban Bajramit.
Kjo festë na ngjall ndjenjën e përkushtimit dhe të sakrificës për të mirën e njerëzimit, nevojën shpirtërore të lartësimit moral dhe të kultivimit të vlerave të larta në shoqëri.
Festa e Kurban Bajramit Kosovën e gjen të lirë, shtet të pavarur dhe demokratik, duke thelluar reformat e gjithanshme për të përmbushur standardet më të larta në legjislacion, në politikë, në ekonomi dhe në sfera tjera të funksioniomit të shtetit.
Le të jetë kjo festë e madhe edhe një rast për të shpalosur edhe më thellë ndjenjat e dashurisë, respektit, harmonisë dhe vullnetit të mirë të qytetarëve tanë.
Uroj që ditët e Kurban Bajramit në familjet tona të sjellin më shumë lumturi, paqe dhe mbarësi.
Hashim Thaçi,
Kryeministër i Qeverisë së Republikës së Kosovës
