Me ftesë të presidentit të Francës, Nikolla Sarkozi, kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi do të qëndrojë për një vizitë zyrtare në Paris

Prishtinë, 5 qershor 2009

Me ftesë të Presidentit të Republikës së Francës, z. Nikolas Sarkozi,
Kryeministri i Republikës së Kosovës z. Hashim Thaçi, të hënën më 8
qershor, do të zhvillojë një vizitë zyrtare në Francë. Ftesa nga
presidenti Sarkozi vjen në kuadër të takimeve të tij me kryeministrat e
rajonit të Evropës Juglindore.

Gjatë vizitës, kryeministri Hashim Thaçi do të zhvillojë një drekë pune
edhe me ministrin e Punëve të Jashtme të Francës, Bernard Kushner.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi në vizitën e tij
zyrtare në Francë do të shoqërohet nga Ministri i Punëve të Jashtme i
Kosovës, Skender Hyseni dhe zyrtarë tjerë të lartë qeveritarë.

Gjatë vizitës në Francë, kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim
Thaçi do të mbajë një fjalim në Qendrën për Studime dhe Hulumtime
Ndërkombëtare (CERI), si dhe një konferencë shtypi në Qendrën për Media
të Huaja. Në të dyja këto raste, Kryeministri Thaçi do të prezantojë
para ekspertëve për çështje ballkanike dhe gazetarëve të medieve të
shumta botërore të arriturat e Kosovës pas shpalljes së pavarësisë,
rezultatet e qeverisjes së mirë dhe efektive të institucioneve
kosovare, respektimin afirmativ të të drejtave të komuniteteve, si dhe
sukseset dhe sfidat në procesin e integrimit të Kosovës në
institucionet euroatlantike.

Kjo është vizita e parë e kryeministrit të Republikës së Kosovës,
Hashim Thaçi në Paris, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Temë bosht e të gjitha takimeve të kryeministrit Hashim Thaçi me
zyrtarët më të lartë në Paris do të jetë thellimi i marrëdhënieve
dypalëshe mes Kosovës dhe Francës, në këtë kuadër edhe konfirmimi i
vazhdimit të mbështetjes së shtetit francez për zhvillimin e
gjithanshëm të shtetit të ri të Kosovës. 

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors