Mbledhja e 37-të e Qeverisë


Image


Image


Image


Image


Image


Prishtinë, 23 mars 2018
Qeveria e Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Ramush Haradinaj, ka zhvilluar mbledhjen e rregullt, në të cilën ka miratuar vendime dhe dokumente tjera të përgjegjësive të saj ligjore.
Në hapje të mbledhjes, kryeministri ka shprehur falënderimin për Aleancën e NATO-s, në 19 vjetorin e fillimit të intervenimit që ka quar në përfundimin e luftës në Kosovë. Kryeministri ka theksuar se populli i Kosovës do të jetë gjithmonë mirënjohës aleancës veri-atlantike për kontributin në lirinë e Kosovës.
Kryeministri ka shprehur edhe shqetësimin për furnizimin me energji elektrike gjatë ditëve të fundit dhe ka kërkuar nga të gjitha organet kompetente të ndërmarrin masa për stabilizimin e furnizimit me energji elektrike.
Qeveria e Kosovës ka miratuar Strategjinë kundër korrupsionit dhe planin e veprimit 2018-2022. Përmirësimi i politikave dhe zbatimi më efektiv i tyre dhe qeverisja e mirë, janë dy kushtet kryesore për parandalimin dhe luftimin e korrupsionit në Kosovë. Strategjia, në bazë të problemeve të identifikuara dhe sfidave të paraqitura, propozon masat dhe aktivitetet të cilat do të parandalojnë dhe luftojnë korrupsionin në Kosovë. Strategjia është ndarë në katër sektorë:

  • Sektori politik publik
  • Administratë publike
  • Zbatimi i ligjit dhe gjyqësori
  • Prokurimi publik dhe menaxhimi i financave publike.

Parimet tjera të përgjithshme të strategjisë janë: Ndërtimi i integritetit, përgjegjësisë dhe transparencës në punën e organeve të administratës publike dhe forcimi i besimit të qytetarëve në institucionet publike; Përmirësimi i legjislacionit dhe fuqizimi i kapaciteteve në luftimin dhe parandalimin e korrupsionit; dhe ndërgjegjësimi dhe edukimi i publikut të gjerë në fushën e luftës së korrupsionit.
Strategjia kundër korrupsionit dhe plani i veprimit 2018-2022, do të zbatohet nga Agjencia Kundër Korrupsionit.
Pas shqyrtimit, ka marr miratimin e kabinetit qeveritar në mbledhjen e sotme Koncept dokumenti për Agjencinë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës.
Me qëllim të përkufizimit të qartë me ligj të të drejtave pronësore, përmes të të cilës u ofrohet njohje juridike të të drejtave pronësore, kthimin e të zhvendosurve dhe duke u bazuar në mbrojtjen e të drejtave pronësore, janë më se të nevojshme plotësim ndryshimet e Ligjit, duke u bazuar në sfidat të cilat janë hasur gjatë zbatimit të Ligjit për AKKVP-së.
Me vendimin e miratuar në mbledhje të Qeverisë, Lulzim Sylës i është vazhduar mandati në pozitën e kryeinspektorit të tregut edhe për një mandat tre vjeçar.
Kabineti qeveritar ka miratuar edhe Strategjinë shtetërore për ri integrim të qëndrueshëm të personave të riatdhesuar në Kosovë dhe planin e veprimit 2018-2022!
Ministri i Punëve të Brendshme është caktuar koordinator nacional për Strategjinë shtetërore për ri integrim të qëndrueshëm të personave të riatdhesuar në Kosovë. Ri integrimi i qëndrueshëm është njëri nga prioritetet e Qeverisë së Kosovës. Kjo strategji është dokument udhëheqës që pasqyron dinamikën e ri integrimit, sfidat e identifikuara gjatë monitorimit të këtij procesi dhe masat që duhet të merren nga institucionet përkatëse. Strategjia identifikon pesë objektiva:

  • Avancimi i masave për ri integrim të qëndrueshëm socio-ekonomik të personave të riatdhesuar;
  • Adresimi i nevojave të veçanta për grupet e cenueshme;
  • Avancimi i bashkëpunimit rajonal, ndërkombëtarë dhe ndërinstitucional;
  • Zhvillimi i vazhdueshëm i ekspertizës vendore;
  • Monitorimi sistematik dhe vlerësimi i ndikimit të masave të ndërmarra në qëndrueshmërinë e ri integrimit të personave të riatdhesuar.

Kostoja buxhetore e zbatimit të kësaj strategjie është brenda shpenzimeve të planifikuara buxhetore dhe për tri vitet e ardhshme është 15,496,597 euro. Prej tyre 5,040,000 euro janë donacione.
Programi për zbatimin e strategjisë minerare të Republikës së Kosovës për periudhën 2018-2022, gjithashtu ka marr miratimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Çështjet kryesore që trajtohen në këtë program janë:

  • Krijimi i kushteve të favorshme për shfrytëzimin dhe valorizimin ekonomik të resurseve minerare dhe tërheqja e investimeve;
  • Rritja e kapaciteteve njerëzore dhe institucionale në sektorin minerar;
  • Çështjet sociale dhe përfitimet e komunitetit; dhe
  • Përkujdesa ndaj mjedisit.

Në bashkëpunim edhe me institucionet tjera kompetente, Ministria e Zhvillimit Ekonomik është institucioni që obligohet për zbatimin e këtij Programi.
Me propozimin të Ministrisë së Forcës së Sigurisë është aprovuar vendimi për lejimin e pagesës në formë të paradhënies në vlerë prej tridhjetë për qind (30%) të vlerës së kontratës për projektin “Furnizim me automjete taktike “HMMWV 4×4 të blinduara” dhe “Furnizim me automjete taktike “HMMWV 4×4, të pa blinduara për nevojat e Forcës së Sigurisë së Kosovës”.
Qeveria e Republikës së Kosovës ka autorizuar Ministrinë e Kulturës, Rinis dhe Sportit që të ndërmarr veprimet e nevojshme për paraqitjen e kërkesës për shpronësimin e pronave dhe objekteve të paluajtshme për interes publik. Bëhet fjalë për objektin e “Shtëpisë së Sportit” dhe ngastrave në të cilat ndodhet ky objekt.
Qeveria i ka rekomanduar Presidentit të Republikës së Kosovës që të autorizojë Ministren e Integrimit Evropian që të nënshkruajë Marrëveshjen financiare për IPA 2017, ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian.
Totali i fondeve që përfshihen në këtë marrëveshje, kapin shifrën 49,450,000 euro, ndërsa pjesëmarrja e kontributeve nga Bashkimi Evropian janë 48,000,000 euro.
Gjithashtu është miratuar edhe nisma për lidhjen e marrëveshjes financiare IPA 2017- pjesa e dyte, me Bashkimin Evropian. Marrëveshja do të sigurojë financimin e projekteve në vlerë 21 milion euro, dhe do të negociohet nga grupi negociator i ekspertëve që do të krijohet pas miratimit të këtij vendimi.
Është miratuar edhe Koncept dokumenti për identifikimin elektronik dhe shërbimet e besueshme në lidhje me transaksionet elektronike. Përdorimi shumëdimensional i teknologjisë informative dhe mundësitë që ofron kjo teknologji ka treguar së është mjet i fuqishëm për të adresuar aspekte të rëndësishme për zhvillimin e shoqërisë dhe ekonomisë. Ekonomia digjitale sjell përfitime të qëndrueshme ekonomike dhe sociale të bazuara në shërbime moderne online dhe lidhje të shpejtë të internetit.
Krijimi i një mjedisi të besueshëm i cili do të garantonte besueshmërinë e transaksioneve elektronike, konsiderohet parakusht i zhvillimit të ekonomisë digjitale.
Është aprovuar propozimi i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenien Sociale për t’i rekomanduar presidentit të Republikës së Kosovës që ti japë autorizimin ministrit të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale për të nënshkruar Marrëveshjen Ndërkombëtare për sigurimet sociale ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Konfederatës Zvicerane.
Grupet teknike të dyja vendeve kanë zhvilluar negociatat për bashkëpunimin dhe kanë finalizuar tekstet e dy marrëveshjeve, asaj të përgjithshme dhe administrative dhe kanë shkëmbyer formularët përkatës.
Kjo Marrëveshje do t’ju mundësojë qytetarëve të dy vendeve lëvizje të lirë që të realizojnë të drejtat e tyre të pensionit të moshës, pensionit familjar, pensionit invalidor të punës dhe pensionit bazik të moshës. Qytetarët kosovarë të cilët kanë punuar për kohë të gjatë në Konfederatën e Zvicrës, nga kjo marrëveshje do t’ju mundësohet që pas arritjes së moshës së pensionimit, të kenë të drejtë që këto pensione t’i marrin në Kosovë. Marrëveshja siguron të drejtën e tyre që të bashkojnë periudhat e kontributeve, që të realizojnë pensionin, në rastet kur nuk është e mundshme që të plotësojnë kushtet ligjore për pensionim qoftë në Kosovë apo në Zvicër.
Kabineti qeveritar ka shqyrtuar dhe aprovuar propozimin për shtesat në Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për vitin 2018.
Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, përmes një shkrese të adresuar për Qeverinë e Republikës së Kosovës ka kërkuar që të vazhdojë pagesa e shtesave për stafin administrativ të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës. Prokurorët nuk do të jenë të përfshirë në pagesën e shtesave, derisa çështja për ngritjen e pagave sipas vendimit Nr. 04/20 të datës 20 dhjetor 2017, është në shqyrtim nga Gjykata Kushtetuese.
Zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj ka kërkuar nga anëtarët e kabinetit qeveritar që të angazhohen në përmbushjen e kërkesave që dalin nga Raporti i progresit i vitit të kaluar. Është me rëndësi që kjo të bëhet para publikimit të Raportit për vendin, siç do të quhen raportet e Komisionit Evropian, nga gjysma e muajit prill.
Kryeministri Ramush Haradinaj ka kërkuar që vizitat e delegacioneve qeveritare në selinë e Bashkimit Evropian në Bruksel, të bëhen të koordinuara me Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe me Ministrinë e Integrimit Evropian.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors