Mbahet takimi i tretë i radhës i Këshillit Ndër-Ministror për Ujërat në kuadër të Zyrës së Kryeministrit

Prishtinë, 5 shkurt 2014

Këshilli Ndër-Ministror për Ujërat në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, i udhëhequr nga zëvendëskryeministri Bujar Bukoshi dhe me pjesëmarrje të ministrit të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismajli, zëvendësministrit të Ministrisë së Integrimeve Evropiane, Gëzim Kasapolli, zëvendësministrit të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Shpëtim Rudi,  këshilltarëve të Sekretariatit të Këshillit dhe z. Markus Baechler, drejtor i Zyrës Zvicerane për Bashkëpunim, mbajti takimin e tretë të radhës, me ç’rast miratoi rregulloren e punës së Këshillit; shqyrtoi politikën e Qeverisë për Ujëra dhe vendosi ta finalizoj në një takim të jashtëzakonshëm; themeloi një grup punues ndër-institucional që do të analizojë situatën e thatësisë dhe masat për të tejkaluar gjendjen ekzistuese.

Opinioni publik, sidomos në Prishtinë dhe Gjilan, njoftohet se Qeveria në koordinim me Këshillin për Ujëra, Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, KRU Prishtina dhe Komunën e Prishtinës janë duke ndërmarr këto veprime për të menaxhuar thatësinë:

•    Angazhim teknik për transferimin e ujit nga liqeni i Ujmanit përmes kanalit të Ibër-Lepencit në liqenin e Badovcit. Kanali deri tek stacioni i pompimit në Çagllavicë është pastruar. Momentalisht është duke u bërë testimi i gypit që do mbushë liqenin e Badovcit dhe duke e pastruar. Pas analizave të cilësisë së ujit nga Instituti Kombëtar për Shëndetësi Publike dhe KRU Prishtina, uji do të pompohet në liqenin e Badovcit. Njëkohësisht, është duke u vlerësuar mundësia e zëvendësimit të këtij gypi të vjetër.
•    Njëherësh, KRU Prishtina është duke punuar në puset e Llukarit ku pritet të fitohet ujë shtesë dhe të zvogëlohet ngarkesa në liqenin e Batllavës. Ndërsa, për të zvogëluar ngarkesën në liqenin e Badovcit, është duke u punuar në puset e Gërmisë.
•    Në rastin e Gjilanit, liqeni i Përlepnicës ka ra dukshëm dhe obligon ashpërsim të furnizimit me ujë, por kompania ka në dispozicion burime alternative të ujit të cilat mbulojnë 60% të nevojave normale të popullatës për ujë. Njëkohësisht KRU Hidromorava, komuna e Gjilanit dhe institucionet relevante janë duke marr masa për zvogëlimin e keqpërdorimeve.
•    Në aspektin institucional dhe politikbërës është duke u kërkuar zbatimi i kornizës për menaxhimin e thatësisë së hartuar nga paraardhësi i Këshillit, Task Forca e Ujërave. Rrjedhimisht, me përkrahje të GIZ është duke u hartuar plani për menaxhimin e thatësisë për KRU Hidromorava (Gjilan) duke mbështetur edhe kompanitë tjera të ujësjellësve për të finalizuar individualisht planet e thatësisë. Gjithashtu, me bashkëpunim të Agjencionit për Mbrojtje të Mjedisit dhe Institutit Hidrometeorologjik, si dhe Agjencionit për Menaxhimin e Emergjencave është duke u punuar në vendosjen e sistemit të paralajmërimit të hershëm për thatësi dhe përmbytje.
•    Pos këtyre, për zgjidhje më afatgjate janë duke u vlerësuar mundësitë e mbushjes së liqeneve të Batllavës dhe Badovcit nga burime alternative.
•    Me përkrahje të Komunave të Prishtinës, Graçanicës dhe Gjilanit janë duke u shtuar kontrollimet e inspektorëve për përdorim racional të ujit dhe mbrojtje të infrastrukturës.
•    KRU Prishtina dhe Hortikultura janë duke pastruar zonat e thara të liqenit të Badovcit. Ftohen komunat dhe organizatat që të bashkëngjiten në këto aksione dhe ta shtrijnë këtë edhe tek liqeni i Batllavës si dhe lumenjtë e tjerë.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors