Mbahet takimi i radhës i Bordit të Përbashkët Koordinues për Sundimin e Ligjit: Qeveria dhe EULEX-i do të punojnë bashkë për të rindërtuar një shërbim policor plotësisht shumëtnik


Image


Image

Prishtinë, 17 qershor 2009

Bordi i Përbashkët Koordinues për Sundimin e Ligjit, i bashkëdrejtuar nga zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, Hajredin Kuçi dhe shefi i Misionit të EULEX-it në Kosovë, Yves de Kermabon u mblodh sot në takimin e 10- të radhës, për të diskutuar progresin në fushën e sundimit të ligjit.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi në hapje të takimit shprehu përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për të bashkëpunuar ngushtë me EULEX-in dhe falënderoi të gjithë pjesëmarrësit për punën e mirë të tyre në fushën e drejtësisë, të doganave, të rendit dhe të policisë.  

Shefi i Misionit të EULEX-it, Yves de Kermabon është shprehur i kënaqur me punën nga takimi i kaluar dhe theksoi se ky është një sukses i përbashkët i Qeverisë dhe EULEX-it. Në takim, shefi i EULEX-it potencoi veçmas zhvillimet pozitive në punën e doganave.

Ministri i Punëve të Brendshme, Zenun Pajaziti, prezantoi zhvillimet e fundit lidhur me kthimin e pjesëtarëve serbë të suspenduar në Policinë e Kosovës. Ministri Pajaziti pohoi se deri tash janë kthyer 50 policë dhe po punohet në inkurajimin e të tjerëve që të kthehen deri në datën 30 qershor, kur edhe është afati i fundit.
“Gjithë ata që nuk kthehen deri në këtë datë do t’u ndërpritet marrëdhënia e punës dhe do të fillojë rekrutimi i pjesëtarëve të rinj, për të cilën gjë ka mjaft të interesuar” ka thënë ministri Pajaziti.

Në këtë kontekst, zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, Hajredin Kuçi theksoi se Qeveria dhe EULEX-i do të punojnë bashkë në këtë proces për të rindërtuar një shërbim policor plotësisht shumëtnik, që do të pasqyrojë shoqërinë e Kosovës dhe do të punojë për interesat e të gjitha komuniteteve.

Bordi është njoftuar lidhur me procesin e Ristrukturimit në Policinë e Kosovës, që përfshinë edhe përshkrimin e vendeve të punës për stafin e lartë në Policinë e Kosovës.

Në takimin e sotëm, Bordi i Përbashkët Koordinues për Sundimin e Ligjit, i ka dhënë mbështetje punës që po bëhet në përfundimin e Strategjisë kundër Terrorizmit, asaj kundër Krimit të Organizuar, Strategjisë kundër Trafikimit të Narkotikëve dhe Strategjisë për Menaxhimin e Integruar të Kufirit. Këto strategji do të kryhen brenda afatit kohor dhe të procedohen për miratim nga Qeveria e Republikës së Kosovës.

Në vazhdim Bordi ka diskutuar lidhur me kërkesën e ministrit të Administratës Publike, Arsim Bajrami lidhur me lirimin e disa objekteve në të cilat ka qenë i vendosur UNMIK-u. Bordi është pajtuar që Qeveria, EULEX-i dhe UNMIK-u të diskutojnë bashkë për të gjetur një zgjidhje më të mirë për nevojat e ministrive për hapësira pune. 

Takimi i radhës i  Bordit të Përbashkët për Sundimin e Ligjit do të mbahet më 16 korrik 2009.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors