Prishtinë, 25 maj 2011
Nën drejtimin e kryeministrit Hashim Thaçi është mbajtur sot mbledhja e 16-të e Qeverisë së Republikës së Kosovës. Fillimisht z. Thaçi ka njoftuar kabinetin e tij qeveritar për vizitën e rëndësishme për Kosovën të Baroso dhe Shtefan Fule. Po ashtu kryeministri Thaçi ka vlerësuar të mirëseardhur vizitën që do ti bëjë Kosovës baronesha Ashton në fund të kësaj jave. “Këto vizita të nivelit të lartë të udhëheqësve të BE-së konfirmojnë perspektivën evropiane të Kosovës dhe agjendën e integrimeve evropiane të Qeverisë së Kosovës”, theksoi kryeministri Thaçi në hapje të takimit të sotëm të Qeverisë.
Qeveria sot ka miratuar Projektligjin për Nismat Legjislative me të cilin përcaktohen rregullat dhe procedurat për nismat legjislative nga autoritetet relevante, duke përfshirë Presidentin e Republikës së Kosovës, deputetët e Kuvendit, Qeverinë dhe më së paku dhjetëmijë qytetarë me të drejtë vote. Me këtë projektligj përcaktohen rregullat dhe procedurat për nismën legjislative nga institucionet e Republikës së Kosovës si dhe nga qytetarët.
Qeveria ka heq nga Strategjia Legjislative për vitin 2011 Projektligjin për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Letërnjoftimin dhe ka propozuar futjen në këtë strategji ndryshimin e Ligjit Nr .03/L-171 për Mërgatën e Kosovës. Me formimin e Ministrisë për Diasporë, është kërkuar që të bëhen edhe ndryshimet e nevojshme legjislative për funksionimin dhe funksionalizimin e kësaj ministrie.
Qeveria ka dhene opinion lidhur me propozimin e Komisionit te kuvendit për përzgjedhjen e anëtarit dhe kryesuesit të Bordit të Trustit të Kursimeve Pensionale të Kosovë. I cili I ka rekomanduar Kuvendit z. Ejup Qerimi, për anëtar të Bordit dhe z. Ymer Havolli për kryesues të Bordit të Trustit të Kursimeve Pensionale të Kosovës.
Qeveria ka miratuar propozimin për fillim e procedurës për zgjedhjen e një anëtari në Bordin e Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale, ka emëruar Basri Ibrahimin kryeinspektor të punës dhe ka miratuar propozimin për emërimin e Veton Firzi për sekretar të përgjithshëm në Ministrinë e Kulturës Rinisë dhe Sporteve.
Qeveria ka miratuar propozimin për strukturën e stafit në kabinetin e Zëvendëskryeministrit, në pajtim me Rregulloren nr. 02/2011 për fushat e përgjegjësisë administrative të Zyrës së Kryeministrit dhe ministrive.
Qeveria ka marrë vendim preliminar për shpronesim për interes publik, të pronave të paluajtshme të cilat evidentohen në ngastrat kadastrale Nr. 257, 259, 260, 261 dhe 382, në sipërfaqe prej 39.99 ari, të cilët ndodhen në zonën kadastrale të Hajvalisë.
Qeveria e Kosovës, ka ndare 20 mijë euro ndihmë për përballimin e pasojave të motit të keq në shtetin Santa Luçia.
