Prishtinë, 14 gusht 2026
Nën drejtimin e Kryeministrit në detyrë të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, është mbajtur online mbledhja e dytë e Komitetit Organizativ të Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”.
Në mbledhje u miratua përbërja aktuale e Komitetit Organizativ dhe u diskutuan përgatitjet për prezantimin e Raportit të Progresit në Asamblenë e Përgjithshme të Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare (ICMG), më 20 gusht 2026.
Komiteti miratoi ministrin e Sportit dhe Rinisë, Blerim Gashani, si përfaqësues të KOLM-së për prezantimin e Raportit të Progresit në Asamblenë e Përgjithshme të ICMG-së.
Kryeministri Kurti u uroi shumë suksese sportistëve të Kosovës që do të marrin pjesë në Lojërat Mesdhetare Taranto 2026. Ai kërkoi që zyrtarët shtetërorë dhe përfaqësuesit e organizatave sportive që do të qëndrojnë në Taranto ta shfrytëzojnë këtë mundësi për të përfituar përvojë dhe njohuri sa më të mëdha nga organizimi i Lojërave, duke pasur parasysh se Kosova do të jetë vendi i radhës mikpritës i Lojërave Mesdhetare, me “Prishtina 2030”.
Të gjitha pikat e rendit të ditës u miratuan.


