Prishtinë, 14 korrik 2010
Qeveria sot ka miratuar Planin Hapësinor të Kosovës 2010-2020, propozuar nga MMPH. Sipas ministrit Mahir Jagxhillar Plani Hapësinor i Kosovës është dokument, i cili duhet të promovojë interesat e përbashkëta të banorëve të Kosovës, për një zhvillim më të shpejtë ekonomik, me qëllim të përmirësimit të kualitetit të jetës, por njëkohësisht edhe të mbrojë resurset, trashëgiminë natyrore dhe kulturore. Po sot është miratuar Projektligji për Mbrojtjen e Natyrës, me të cilin rregullohet mbrojtja e natyrës, përkatësisht ruajtja e florës dhe faunës si dhe shfrytëzimi i qëndrueshëm i të mirave të natyrës.
Qeveria është informuar lidhur me emërimet në pozita të larta drejtuese në shërbimin civil, në bazë të Ligjit për Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës. Sipas zëvendëskryeministrit Ramë Manaj institucionet e administratës qendrore dhe komunale, që hyjnë në fushën e veprimit të këtij ligji përfshijnë: administratën e Kuvendit; administratën e Presidencës; Zyrën e Kryeministrit dhe ministritë; agjencitë ekzekutive; agjencitë e pavarura dhe ato rregullatore dhe administratën komunale.
Ky ligj përcakton rregullat për menaxhimin dhe organizimin e përgjithshëm të një shërbimi civil të paanshëm politikisht, rregullat për pranimin në të, kushtet e punës, të drejtat dhe detyrimet, sjelljen personale, avancimin në karrierë, si dhe zhvillimin profesional të nëpunësve civil. Gjithashtu, me anë të këtij ligji rregullohet edhe emërimi i sekretarëve të përgjithshëm dhe pozicioneve të barasvlershme e cila është një ndër çështjet më të rëndësishme të këtij ligji dhe njëherësh sjellë risi në gjithë procesin aktual të emërimit të sekretarëve të përhershëm.
Qeveria sot ka marrë vendim që t’u vazhdohet mandati edhe për dy vite anëtarëve të Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit.
Ministri Enver Hoxhaj ka njoftuar Qeverinë lidhur me rezultatet e akreditimit institucionet e larta të arsimit në Republikën e Kosovës. “Agjencioni i Kosovës për Akreditim në vitin 2009 2010 ka akredituar të gjitha programet e Universitetit të Prishtinës, Universiteti i Prizrenit , 10 kolegje private, 3 institute dhe 5 shkolla profesionale” theksoi ministri Hoxhaj.
