Prishtinë, 15 dhjetor 2009
Mbahet Konferenca e ujërave 2009 me temën: Zhvillimi i Qëndrueshëm i Sektorit të Ujërave në Kosovë, organizuar nga Task Forca e Ujërave në kuadër të Zyrës së Kryeministrit dhe e mbështetur nga Zyra Zvicerane për Bashkëpunim.
Në takim kanë marrë pjesë ministra të Qeverisë së Republikës së Kosovës, përfaqësues të donatorëve, bartës të sektorit të ujërave, ambasadori zviceran në Prishtinë, Lukas Beglinger, përfaqësues të KfË , të Task Forcës për Mjedis dhe Bujqësi (ECLO) dhe të Zyrës zvicerane për Bashkëpunim. .
Në hapje të Konferencës “Zhvillimi i Qëndrueshëm i Sektorit te Ujërave”, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka thënë se Task Forca e Ujërave në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, në bashkëpunim me Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Ministrinë e Ekonomisë dhe Financave janë duke punuar së bashku për të përmirësuar sektorin.
“Kemi arritur shumë në këto 10 vitet e fundit, por tani kemi nevojë për një ndryshim në hap, për të na çuar në një nivel tjetër. Varet prej nesh, të gjithëve në këtë sallë, që të sigurohemi se ndryshimet e nevojshme të cilat do t’i diskutoni sot, mund të bëhen. Veçanërisht është shpërblyese për mua që të shoh qeverisjen në veprim, kur institucionet kryesore Kosovare bashkëpunojnë për të sjell ndryshime”, ka thënë z. Kuçi, duke shtuar se ngritja e profilit të sektorit të ujërave në nivelin e politikë-bërjes është me rëndësi të lartë. Kjo konferencë i shërben këtij qëllimi gjithashtu, dhe është fillimi i një procesi të përmirësimit. Qeveria po i kërkon këto zhvillime në sektor.
Në vazhdim zëvendës kryeministri Kuçi ka falënderuar donatorët që kanë mbështetur sektorin e ujërave.
“Progresi në përmirësimin e sektorit të ujërave në dekadën e fundit nuk do të ishte i mundur pa kontributin bujar të shumë qeverive, individëve dhe posaçërisht donatorëve, të cilët kanë qenë të përkushtuar për këtë sektor”, ka pohuar z. Kuçi, duke shtuar se do të vazhdojmë të kemi nevojë për investime nga donatorët, por do të tërheqim edhe investime nga institucionet ndërkombëtare financiare dhe sektori privat.
“Qeveria do të vendos kushtet ligjore që ndihmojnë këto investime dhe do të kërkojë nga kompanitë e ujësjellësve të përmirësojnë performancën e tyre në inkasim, nivel të shërbimeve dhe zvogëlimin e humbjeve të ujit”tha zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi.
Rekomandimet nga Konferenca “Zhvillimi i Qëndrueshëm i Sektorit te Ujërave” do të diskutohen në takimin e dytë të Task Forcës, që pritet të mbahet me 22 dhjetor të këtij viti.
