Lansohet Sistemi i Pagesave të Shpejta

Prishtinë, 20 nëntor 2026

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në lansimin e Sistemit të Pagesave të Shpejta nga Banka Qendrore e Kosovës.

Në fjalën e tij, kryeministri Kurti tha se ky projekt shënon një hap tejet të rëndësishëm në modernizimin e infrastrukturës financiare të vendit dhe avancimin e shërbimeve të pagesave, në përputhje me zhvillimet dhe standardet bashkëkohore evropiane.

“Rëndësia e këtij sistemi shkon përtej avancimit teknologjik. Ajo qëndron te ndikimi në ekonominë reale, pra, pagesa më të shpejta dhe shërbime më efikase për qytetarët, qarkullim më i shpejtë i mjeteve për bizneset dhe ulje e kostove të transfereve bankare. Në praktikë, ky sistem do t’u mundësojë qytetarëve dhe bizneseve të transferojnë mjete brenda pak sekondave, në çdo orë të ditës, shtatë ditë në javë, pa u kufizuar nga orari i punës së bankave apo ditët e pushimeve. Kjo do të thotë më shumë lehtësi në pagesat e përditshme, qasje më e shpejtë në mjetet financiare dhe më pak kosto për qytetarët dhe bizneset tona”, theksoi ai.

Kryeministri Kurti, mes tjerash, theksoi se për Republikën e Kosovës, kjo është një arritje infrastrukturore dhe një hap konkret drejt përafrimit me hapësirën financiare evropiane.

“Integrimi evropian ndërtohet përmes standardeve që i zbatojmë, institucioneve që i fuqizojmë dhe infrastrukturës që e zhvillojmë. Në këtë kuptim, Sistemi i Pagesave të Shpejta dhe procesi ynë drejt anëtarësimit në SEPA janë pjesë e orientimit të përbashkët për një Kosovë me sektor financiar modern, më të integruar me tregjet evropiane dhe me shërbime më efikase si për qytetarët ashtu edhe për bizneset”, shtoi kryeministri.

Ai i shprehu falënderime Bankës Botërore për mbështetjen financiare dhe partneritetin e vazhdueshëm me institucionet e Republikës, si dhe Ministrisë së Financave për koordinimin dhe përkushtimin. Ndërkaq, përgëzoi posaçërisht Bankën Qendrore të Kosovës për udhëheqjen dhe realizimin e këtij projekti, si dhe institucionet financiare për angazhimin e tyre në funksionalizimin e kësaj infrastrukture në shërbim të qytetarëve dhe bizneseve.

Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti:

I nderuari Ahmet Ismajli, Guvernator i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës,
Të nderuar kolegë, ministra, ministër i Financave, Hekuran Murati, dhe ministër i Digjitalizimit dhe Administratës Publike, Lulëzon Jagxhiu,
I nderuari ambasador i Italisë në Republikën e Kosovës, z. Mauricio Antonini,
E nderuara zëvendësdrejtore e Bankës Botërore në Kosovë, Jane Millicent Sprouster,
Të nderuar anëtarë të Bordit të Bankës Qendrore të Kosovës dhe zëvendësguvernator,
I nderuar drejtor i Administratës Tatimore të Kosovës, z. Mentor Hyseni,
Të nderuar përfaqësues të Fondit Monetar Ndërkombëtar,
Të nderuar drejtorë të bankave komerciale,
Të nderuar drejtorë të institucioneve financiare jo-bankare,
Zonja dhe zotërinj,
Të nderuar të pranishëm,

Është kënaqësi e posaçme që të jem sot këtu me juve për të shënuar një arritje të rëndësishme për sistemin financiar dhe ekonominë e Republikës së Kosovës: lansimin e Sistemit të Pagesave të Shpejta në vendin tonë. Ky projekt i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës shënon një hap tejet të rëndësishëm në modernizimin e infrastrukturës financiare të vendit dhe avancimin e shërbimeve të pagesave, në përputhje me zhvillimet dhe standardet bashkëkohore evropiane.

Rëndësia e këtij sistemi shkon përtej avancimit teknologjik. Ajo qëndron te ndikimi në ekonominë reale, pra, pagesa më të shpejta dhe shërbime më efikase për qytetarët, qarkullim më i shpejtë i mjeteve për bizneset dhe ulje e kostove të transfereve bankare. Në praktikë, ky sistem do t’u mundësojë qytetarëve dhe bizneseve të transferojnë mjete brenda pak sekondave, në çdo orë të ditës, shtatë ditë në javë, pa u kufizuar nga orari i punës së bankave apo ditët e pushimeve. Kjo do të thotë më shumë lehtësi në pagesat e përditshme, qasje më e shpejtë në mjetet financiare dhe më pak kosto për qytetarët dhe bizneset tona.

Të nderuar të pranishëm,

Kjo arritje merr rëndësi të veçantë edhe në kontekstin e orientimit tonë evropian.
Sistemi bazohet në teknologjinë TIPS të Eurosistemit, e Banka e Italisë, e cila e ka zhvilluar dhe e operon këtë platformë në emër të Eurosistemit, ofron zgjidhjen përkatëse për bankat qendrore pjesëmarrëse. Miratimi i kësaj nisme nga Banka Qendrore Evropiane dëshmon rëndësinë e saj në kuadër të bashkëpunimit financiar evropian.

Për Kosovën, kjo është më shumë se një arritje infrastrukturore. Është një hap konkret drejt përafrimit me hapësirën financiare evropiane.

Integrimi evropian ndërtohet përmes standardeve që i zbatojmë, institucioneve që i fuqizojmë dhe infrastrukturës që e zhvillojmë. Në këtë kuptim, Sistemi i Pagesave të Shpejta dhe procesi ynë drejt anëtarësimit në SEPA janë pjesë e orientimit të përbashkët për një Kosovë me sektor financiar modern, më të integruar me tregjet evropiane dhe me shërbime më efikase si për qytetarët ashtu edhe për bizneset.

Më tutje, realizimi i një projekti të kësaj natyre dëshmon edhe rëndësinë e bashkëpunimit institucional dhe partneriteteve të qëndrueshme ndërkombëtare. Ky projekt është realizuar në kuadër të Projektit për Zhvillimin e Sektorit Financiar, përmes bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Financave, Bankës Qendrore dhe Bankës Botërore.

Përmes marrëveshjes së financimit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Botërore, të ratifikuar nga Kuvendi i Republikës, është siguruar mbështetja e nevojshme për realizimin e këtij projekti strategjik. Ky bashkëpunim dëshmon rëndësinë e investimeve në infrastrukturën financiare, si parakusht për një ekonomi më konkurruese, shërbime më efikase dhe integrim më të thellë me tregjet ndërkombëtare.

Me këtë rast, dëshiroj të shpreh mirënjohjen tonë të veçantë për Bankën e Italisë, për ekspertizën dhe partneritetin e saj të çmuar.

I nderuar Ambasador, përmes jush, dëshiroj t’ia përcjell Republikës Italiane vlerësimin tonë të lartë e të sinqertë për bashkëpunimin. Në Samitin e Procesit të Berlinit në Mal të Zi në Tivat në muajin e kaluar, zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme i Italisë, Antonio Tajani, e veçoi përfundimin e këtij projekti si një rezultat konkret të angazhimit afatgjatë të Italisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, duke theksuar kontributin e tij në lehtësimin e shkëmbimeve ekonomike, uljen e kostove të transaksioneve dhe integrimin gradual në infrastrukturën financiare evropiane.

Ky është gjithsesi një shembull domethënës se si partneritetet ndërkombëtare përkthehen në rezultate konkrete, në dobi të ekonomisë tonë vendore, por dhe perspektivës evropiane të Kosovës.

Dëshiroj të falënderoj Bankën Botërore për mbështetjen financiare dhe partneritetin e vazhdueshëm me institucionet e Republikës së Kosovës, si dhe Ministrinë e Financave për koordinimin dhe angazhimin në realizimin e këtij projekti. Në veçanti, e përgëzoj Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës për udhëheqjen dhe realizimin e tij, si dhe institucionet financiare për angazhimin e tyre në funksionalizimin e kësaj infrastrukture në shërbim të qytetarëve dhe bizneseve.

Të nderuar të pranishëm,

Digjitalizimi është ndër prioritetet e agjendës sonë qeveritare. Teknologjia duhet ta bëjë shtetin më efikas, shërbimet më të qasshme, ndërkaq ekonominë më konkurruese. Prandaj, edhe iniciativat e digjitalizimit dhe zhvillimi i infrastrukturës kritike, duhet të jenë të koordinuara, në mënyrë që sistemet e ndryshme ta plotësojnë njëra-tjetrën dhe të sjellin përfitime konkrete për qytetarët dhe bizneset. Lansimi i sotëm është një hap i rëndësishëm në këtë drejtim.

Kjo arritje dëshmon se çfarë mund të realizojmë përmes institucioneve të fuqishme, bashkëpunimit vendor dhe partneriteteve të besueshme ndërkombëtare.

Çdo hap që forcon ekonominë, përmirëson shërbimet dhe e afron Kosovën me standardet evropiane, është një hap përpara, në kahjen e duhur për Republikën tonë.

Urime Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Ministrisë së Financave, Bankës Botërore, sektorit financiar dhe të gjithë partnerëve.

Ju faleminderit shumë për ftesën dhe vëmendjen!

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors