Prishtinë, 3 nëntor 2026
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pesë në lansimin e Platformës Nacionale të Identitetit Elektronik dhe Kuletës Digjitale, organizuar nga Ministria e Digjitalizimit dhe Administratës Publike.
Teksa vlerësoi se me Platformën Kombëtare të Identitetit Elektronik (eID), Kuletën Digjitale (Digital Wallet) dhe aplikacionin për nënshkrim elektronik (eSign), Republika e Kosovës shënon një hap të rëndësishëm në transformimin e saj digjital, kryeministri Kurti theksoi rëndësinë e secilit prej këtyre shërbimeve.
“Identifikimi elektronik u mundëson qytetarëve të dëshmojnë identitetin e tyre në mënyrë të sigurt në mjedisin digjital. Kuleta digjitale krijon mundësi për përdorimin e identitetit dhe të kredencialeve, ndërsa nënshkrimi elektronik mundëson firmosjen e dokumenteve pa pasur nevojë për letër dhe prani fizike”, tha ai.
Pasi përmendi avancimin dhe shtimin e shërbimeve në E-Kosova, kryeministri tha se nga sot hapet një fazë e re e zhvillimit dhe zgjerimit të shërbimeve digjitale.
“Tani, me identitetin dhe nënshkrimin elektronik, po lëvizim drejt gjithnjë e më shumë shërbimeve që mund të përfundohen tërësisht në mënyrë digjitale. Me zgjerimin e shërbimeve, për bashkatdhetarët tanë do të krijohen më shumë mundësi për të kryer punë nga vendet ku jetojnë e punojnë ata”, shtoi ai.
Ai falënderoi Bashkimin Evropian për mbështetjen e këtij projekti përmes fondeve IPA, si dhe të gjitha ekipet dhe profesionistët që kanë kontribuar në realizimin e kësaj platforme.
Kryeministri Kurti tha se synimi është ndërtimi i një administrate dhe sistemi që organizohet e funksionon sipas nevojave të qytetarëve, me shërbime të shpejta, të thjeshta, të sigurta, gjithnjë e më shumë të qasshme kudo e kurdo për gjithkënd, e ku qytetarët e bizneset e kanë më të lehtë të bashkëveprojnë me njëri tjetrin dhe me shtetin.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
I nderuar Ministër i Digjitalizimit dhe Administratës Publike, Lulëzon Jagxhiu,
I nderuari Ambasador i Bashkimit Evropian në Kosovë, Dirk Schuebel,
Të nderuar zëvendësministra, përfaqësues të institucioneve, të bizneseve dhe të partnerëve zhvillimorë,
I nderuari rektor i Universitetit të Prishtinës, Arben Hajrullahu,
Zonja dhe zotërinj,
Nga shkuarja në institucione te qasja në shërbimet që ato ofrojnë kudo e kurdo, digjitalizimi praktikisht mundëson ardhjen e institucionit te qytetari në vend se anasjelltas.
Kur flasim për digjitalizimin, mendojmë për kohën që mund t’ia kursejmë qytetarit. Për rrugën që nuk do t’i duhet ta bëjë. Për punën që do të mund të përfundojë kudo që ai apo ajo ndodhet. Për dokumentin që nuk do t’i duhet ta shtypë.
Sot, me lansimin e Platformës Kombëtare të Identitetit Elektronik (eID), kuletës digjitale (Digital Wallet) dhe aplikacionit për nënshkrim elektronik (eSign), Republika e Kosovës shënon një hap të rëndësishëm në transformimin e saj digjital.
Në një kohë kur gjithnjë e më shumë veprime të përditshme kryhen në internet, është e domosdoshme që në mjedisin digjital të kemi mënyra sa më të sigurta dhe të besueshme për të dëshmuar identitetin tonë dhe për të nënshkruar dokumente të rëndësishme.
Identifikimi elektronik u mundëson qytetarëve të dëshmojnë identitetin e tyre në mënyrë të sigurt në mjedisin digjital. Kuleta digjitale krijon mundësi për përdorimin e identitetit dhe të kredencialeve, ndërsa nënshkrimi elektronik mundëson firmosjen e dokumenteve pa pasur nevojë për letër dhe prani fizike.
Këto zgjidhje përbëjnë një pjesë të rëndësishme të infrastrukturës së besimit digjital të Kosovës, mbi të cilën do të mund të ndërtohen shërbime më të avancuara, si në sektorin publik, ashtu edhe në atë privat.
Gjatë viteve të fundit, kemi bërë përparim të rëndësishëm në digjitalizimin e shërbimeve publike. Përmes platformës eKosova, sot qytetarëve dhe bizneseve u ofrohen mbi 330 shërbime digjitale, duke reduktuar kësisoj nevojën për vizita në institucione, dokumente fizike dhe procedura të panevojshme.
Tani, me identitetin dhe nënshkrimin elektronik, po lëvizim drejt gjithnjë e më shumë shërbimeve që mund të përfundohen tërësisht në mënyrë digjitale.
Me zgjerimin e shërbimeve, për bashkatdhetarët tanë do të krijohen më shumë mundësi për të kryer punë nga vendet ku jetojnë e punojnë ata.
Të nderuar të pranishëm,
Zhvillimi i kësaj platforme ka nisur në Ministrinë e Ekonomisë dhe ka vazhduar, e është finalizuar, në Ministrinë e Digjitalizimit dhe Administratës Publike, në bashkëpunim edhe më shumë institucione e partnerë tanë.
Dua të falënderoj veçanërisht Bashkimin Evropian për mbështetjen e këtij projekti përmes fondeve IPA, si dhe të gjitha ekipet dhe profesionistët që kanë kontribuar në realizimin e tij.
Sot po hapet një fazë e re e zhvillimit dhe zgjerimit të shërbimeve që do të mbështeten në këtë platformë, e vlera e cilës do të rritet me integrimin e gjithnjë më shumë shërbimeve publike dhe përdorimit nga bizneset.
Mirëpo, zhvillimi i këtyre shërbimeve duhet të shoqërohet, të nderuar të pranishëm, me përgjegjësi të lartë për sigurinë, mbrojtjen e të dhënave personale dhe besueshmërinë e sistemeve. Besimi i qytetarëve ndërtohet çdo ditë, përmes sistemeve që funksionojnë, përmes institucioneve që përgjigjen dhe shërbimeve efikase që e respektojnë kohën dhe dinjitetin e secilit.
Të nderuar të pranishëm,
Synimi ynë është ndërtimi i një administrate dhe sistemi që organizohet e funksionon sipas nevojave të qytetarëve, me shërbime të shpejta, të thjeshta, të sigurta, gjithnjë e më shumë të qasshme kudo e kurdo për gjithkënd, e ku qytetarët e bizneset e kanë më të lehtë të bashkëveprojnë me njëri tjetrin dhe me shtetin.
Identiteti dhe nënshkrimi elektronik, bashkë me kuletën digjitale, janë hapa të rëndësishëm të këtij synimi.
Ju faleminderit dhe urime të gjithëve!




















