Kryenegociatori Zulfaj takohet me Komisioneren Evropiane për Zgjerim, Marta Kos

Bruksel, 15 tetor 2026

Kryenegociatori i Republikës së Kosovës me Bashkimin Evropian, z. Jeton Zulfaj, u takua sot në Bruksel me Komisioneren Evropiane për Zgjerim, znj. Marta Kos, për të diskutuar avancimin e procesit të anëtarësimit të Kosovës në BE.

Zulfaj paraqiti progresin e Kosovës në forcimin e sundimit të ligjit, konsolidimin e institucioneve demokratike dhe zbatimin e reformave në procesin e anëtarësimit në BE. Ai nënvizoi përkushtimin e Kosovës ndaj vlerave themelore të BE-së dhe harmonizimin e plotë me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë. Në takim u shqyrtua edhe progresi në kuadër të Planit të Rritjes, integrimit në “SEPA” dhe “Roam Like at Home”, për të cilin Zulfaj theksoi që qeveria është duke i trajtuar me prioritet.

Në takim, Kryenegociatori e vendosi në fokus diskutimin rreth aplikimit të Kosovës për anëtarësim në BE, i dorëzuar më 15 dhjetor të vitit 2022. Zulfaj falënderoi Komisioneren Kos për angazhimin e saj në procesin e zgjerimit dhe theksoi rëndësinë e mbështetjes proaktive të Komisionit në procesin e dorëzimit të pyetësorit, dhënies së statusit të kandidatit dhe hapjes së negociatave të anëtarësimit.

Ai theksoi se Kosova i njeh sfidat e procesit të zgjerimit dhe se ato do të adresohen gjatë rrugës së anëtarësimit në BE.

Qytetarët e Kosovës janë mirënjohës për mbështetjen dhe investimet e BE-së, dhe këtë mbështetje e kanë shndërruar në ndërtimin e një shteti me demokraci funksionale, të drejta të barabarta dhe siguri për të gjithë. Është e rëndësishme që BE-ja ta njohë dhe ta vlerësojë përkushtimin e qeverisë dhe të qytetarëve për reforma, i cili shprehet edhe në mbështetjen e gjerë qytetare për anëtarësimin në BE, theksoi Zulfaj.

Në takim u diskutua edhe për zhvillimet aktuale, përfshirë ligjin e miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës për Dhomat e Specializuara. Kryenegociatori Zulfaj shpjegoi kontekstin e miratimit të ligjit duke theksuar që verdikti i 16 shtatorit ishte i padrejtë dhe që pret të korrigjohet në shkallën e apelit për çka qeveria tashmë ka formuar një grup punues për strategji shtetërore. Ai theksoi se Kosova është demokraci funksionale me ndarje të pushteteve, e përkushtuar ndaj sundimit të ligjit.

Në fund, Kryenegociatori Zulfaj falënderoi Komisioneren Kos për takimin dhe shprehu përkushtimin për vazhdimin e reformave dhe të bashkëpunimit të ngushtë me institucionet e BE-së në procesin e anëtarësimit.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors