Fjala e kryeministrit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në takimin e përbashkët të Komitetit Drejtues për Liberalizimin e Vizave dhe Ekipit Negociator për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit
Prishtinë, 4 tetor 2013
Të nderuar ministra,
Të nderuar anëtarë të Komitetit Drejtues për Liberalizimin e Vizave
Të nderuar anëtarë të Ekipit Negociator për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit,
Të nderuat të pranishëm
Sot, jo rastësisht ju kemi ftuar, ju të cilët keni nderin dhe përgjegjësinë që të bartni mbi supet tuaja dy procese të rëndësishme, atë të liberalizimit të vizave dhe të nënshkrimit të MSA-së.
Sot për ju kam vetëm një mesazh, pra të ruajmë integritetin e këtyre dy proceseve.
Me asnjë çmim nuk do të lejojmë që fushata zgjedhore, të ndikojë në uljen e përkushtimit dhe angazhimin për këto dy procese jetike për qytetarët e Kosovës.
Vjeshta është vendimtare për këto dy procese dhe kërkoj një angazhim maksimal prej të gjithëve.
Me vizitën e Komisionarit për Zgjerim më 18 tetor, edhe formalisht fillon negocimi i MSA-së, ndërkohë, që brenda pak javësh presim misione tjera vlerësuese për përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave.
Të nderuar të pranishëm,
Posaçërisht dua t’ju drejtohem ministrave që janë të përfshirë në këto dy procese.
Për ju, liberalizimi i vizave dhe MSA-ja, duhet të jenë prioritet absolut.
Kërkoj që me asnjë çmim, vëmendja juaj të mos përqendrohet në fushatën për zgjedhjet lokale.
Detyra juaj parësore është që të siguroheni që secili zyrtar që ka detyrime në këtë proces, të jetë i angazhuar maksimalisht.
E ju, me angazhimin tuaj, duhet të jeni shembull për të gjithë.
Kërkoj nga ministrja Çitaku dhe gjithë që janë të angazhuar në këtë proces, që rregullisht të më raportojnë për ecurinë e këtyre dy procese.
Ky duhet të jetë prioritet juaji i parë, ndërsa, natyrisht duhet të vazhdojmë me zgjedhjet, por prioriteti i parë është angazhimi për procesin e liberalizimit të vizave dhe MSA-ja.
Ju faleminderit për vëmendjen tuaj.
