Kryeministri Thaçi: Uniteti evropian për Kosovën, mesazh i mirëbesimit për të ardhmen e sigurt evropiane të Republikës së Kosovës


Image


Image

Fjala e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi në takimin e Këshillit Ndërministror për pyetësorin për Marrëdhënie Tregtare me Bashkimin Evropian

Prishtinë, 22 mars 2010

Të nderuar zëvendëskryeministra,
Të nderuar ministra,
Përfaqësues të Agjencionit për Koordinim të Zhvillimit dhe Integrim Evropian

Procesi i integrimit duhet të vazhdohet, sepse është një proces jashtëzakonisht i rëndësishëm, strategjik, nga i cili të gjitha punët e ministrive përkatëse duhet të burojnë si vizion strategjik në kuptimin e procesit të integrimit të Republikës së Kosovës në Bashkim Evropian dhe të gjitha prioritetet duhet të jenë konform këtij vizioni, këtij përkushtimi dhe përgjegjësie që e kemi.

Procesi i integrimit do të jetë i shumanshëm dhe gjithëpërfshirës që nënkupton reformat e thella në çdo dikaster të Qeverisë së Republikës së Kosovës, të gjitha institucioneve tona, po ashtu të shoqërisë kosovare.

Integrimi do të përcillet me qeverisje të mirë, efektive dhe efikase, të sundimit të ligjit, të luftës së pakompromis kundër korrupsionit, të reformave në drejtësi, zhvillim ekonomik, mirëqenie sociale, punësim, lëvizje të lirë të njerëzve, infrastrukturë moderne rrugore lokale dhe nacionale, si dhe përkujdesje dhe përkushtim edhe për sektorin e agrokulturës.

Në tetorin e vitit të kaluar, pranuam, mirëpritëm Raportin e Progresit të Komisionit Evropian me gjithë vlerësimet për punën e arritur në Kosovë, me sfidat që dalin të përbashkëta. Por, në të njëjtën kohë u publikua edhe Studimi i fizibilitetit dhe perspektiva evropiane për Republikën e Kosovës.

Njëri prej propozimeve kryesore, përveç fillimit të dialogut për liberalizim të vizave, ishte edhe Marrëveshja Tregtare.

Ky rekomandim lidhur me Marrëveshjen Tregtare shënon një epokë të rë në lidhje me raportin ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

Nëpërmjet marrëveshjes tregtare, shtetit të Kosovës iu mundësohet qasja e barabartë në tregun e Bashkimit Evropian, treg ky që mbulon 500 milionë banorë.

Rëndësia e pyetësorit për Marrëveshje Tregtare është shumë e madhe, pasi që kjo marrëveshje në të ardhmen do të lehtësojë angazhimet tona dhe të mundësojë përmbushjen e gjitha kritereve të nevojshme edhe lidhur me marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit.

Të nderuar zëvendëskryeministra,
Të nderuar ministra,
Përfaqësues të Agjencionit për Koordinim të Zhvillimit dhe Integrim Evropian

Marrëveshja Tregtare me Bashkimin Evropian dhe të shtetit të Kosovës, në përgjithësi përmban gati të gjitha elementet e marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit. Pra, marrëveshja tregtare është një parahyrje dhe parapërgatitje e shtetit të Kosovës për marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit.

Në aspektin e prioriteteve tuaja si ministri, pyetësori zë vendin e parë – është prioritet tani më mbi të gjitha prioritetet.

Në emër të shtetit të Kosovës, Qeverisë së Republikës së Kosovës, shprehim kënaqësinë për marrjen e pyetësorit për Marrëdhënie Tregtare me Bashkimin Evropian.

Ky është edhe një hap konkret në rrugën tonë drejt integrimit në Bashkim Evropian. Është një konfirmim i këtij procesi ndër gjitha shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, për çka u jemi mirënjohës.

Ky pyetësor është i mbështetur nga i gjithë Bashkimi Evropian, nga të gjitha shtetet e tij.

Ky unitet evropian për Kosovën, është edhe një mesazh i mirë i besimit evropian për të ardhmen e sigurt evropiane të Republikës së Kosovës.

Natyrisht, ky proces për ne është i ri, është sfidues dhe kërkon angazhim serioz konkret profesional dhe jashtëzakonisht të përgjegjshëm shtetëror.

Kërkoj nga secili prej jush që me stafin tuaj të përgjigjeni në këtë pyetësor. Përgjigjet duhet të jenë shumë konkrete, profesionale, të sakta dhe do t’ju kërkoja nga ju që të angazhoni ekspertë edhe nga stafi juaj edhe nga shoqëria civile, gjithë njerëzit përgjegjës në këtë lami, por edhe të bashkëpunoni shumë ngushtë ekspertët e Bashkimit Evropian, të Komisionit Evropian.

Koha për përgjigje në pyetësorin e marrëdhënieve tregtare të Republikës së Kosovës me Bashkimin Evropian, është me 15 prill.

Do të kërkoja nga ju që takimi tjetër i përbashkët, të jetë më datën 7 prill, ku duhet të jenë të gjitha përgjigjet finale.

Koordinimi duhet të jetë i plotë brenda ministrive, pastaj mes ministrive përkatëse, ku ka çështje të përbashkëta, edhe me Agjencinë për Koordinim të Zhvillimit dhe Integrimit Evropian, por edhe me Zyrën e Kryeministrit.

Koordinator për përgatitjen e këtij pyetësori, do të jetë ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Lutfi Zharku, ndërsa zëvendëskoordinator, kryeshefi i Agjencionit për Koordinim të Zhvillimit dhe Integrimit Evropian, Edon Cana.

Përgjigjet në këtë pyetësor, janë prioritet mbi prioritetet për të gjithë ju që jeni këtu, por edhe për Qeverinë e Kosovës.

Qeveria e Kosovës dhe të gjitha institucionet do të jenë të angazhuara në këtë proces për integrim në Bashkim Evropian. Ky është edhe një nga prioritetet tona të perspektivës evropiane tash e tutje.

Së shpejti presin edhe udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Edhe ky do të jetë një proces jashtëzakonisht i rëndësishëm. Unë dua të besoj fuqishëm, se do të jetë i suksesshëm dhe i shpejt.

Në proces të integrimeve ne kemi ndërmarrë një varg veprimesh, por do të jemi edhe më të fokusuar për reforma edhe në aspektin e politikës, në atë të ekonomisë dhe të legjislacionit. Gjithmonë konform kërkesave dhe standardeve të Bashkimit Evropian.

Faleminderit!

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors