Stockholm, 1 tetor 2012– Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi filloi sot vizitën zyrtare në Suedi, ku po qëndron me ftesë të kryeministrit të Suedisë.
Në kuadër të kësaj vizite, kryeministri Thaçi u prit sot nga kryetari i Parlamentit të Suedisë, Per Westerberg.
Kryeministri Thaçi e falënderoi kryetarin e Parlamentit të Suedisë për njohjen e hershme të pavarësisë së Kosovës, si dhe mbështetjen e madhe ndaj shtetndërtimit të Kosovës.
“Pas përfundimit të mbikëqyrjes ndërkombëtare, Kosova është edhe më shumë e përkushtuar në zbatimin e të gjitha reformave të nevojshme për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Për më tepër e çmojmë lartë rolin e Suedisë dhe përkrahjen e saj si njëra ndër përkrahësit kryesor të zgjerimit të BE-së” theksoi kryeministri Thaçi.
Kryeministri Thaçi në takim çmoi lartë angazhimin personal të kryeparlamentarit suedez në funksion të ndryshimit të qëndrimeve të Greqisë, Qipros, Rumanisë, Sllovakisë, dhe Spanjës, në raport me procesin e integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian, përmes kontakteve që ai ka me kryetarët e parlamenteve të këtyre vendeve.
“Kosova ka marrëdhënie të shkëlqyeshme me të gjithë fqinjët përpos me Serbinë. Problemet në veri të Kosovës janë të shkaktuara nga strukturat e kontrolluara nga Serbia dhe jo nga komuniteti serb. Prandaj Kosova është e përkushtuar që t’i normalizojë marrëdhëniet me Serbinë t’i zgjidhë përmes dialogut si dy shtete të pavarura dhe sovrane” – shtoi kryeministri Thaçi në takim.
Kryetari i Parlamentit të Suedisë, Per Westerberg, theksoi se Suedia do të mbetet e përkushtuar fuqishëm në përkrahjen e perspektivës evropiane për Kosovën dhe rajonin.
