Prishtinë, 22 dhjetor 2009
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka pritur sot z.Abdullah Abdulaziz Al – Abdulkarim, Ambasador i Arabisë Saudite në Tiranë.
Në vijim po i japim të plota deklarimet e kryeministrit Thaçi dhe amasadorit Abdullah Abdulaziz Al – Abdulkarim
Kryeministri Hashim Thaçi:
Ishte kënaqësi të prisja ambasadorin e Arabisë Saudite në Tiranë, që përfshin dhe mbulon edhe Maqedoninë, por edhe Republikën e Kosovës.
Falënderova ambasadorin për mbështetjen e plotë që Arabia Saudite, populli saudit i ka dhënë mbështetje të plotë popullit të Kosovës, institucioneve të saj.
Është e njohur dhe mjaft falënderuese nga ana jonë mbështetja e fuqishme në periudhën e luftës nga Arabia Saudite për refugjatët në çështjet humanitare, pastaj në gjithë procesin e tranzicionit demokratik dhe tash, me njohjen e Kosovës si shtet nga Arabia Saudite, është bërë një avancim tjetër i raporteve ndërshtetërore bilaterale.
Tani jemi në kapitullin tjetër, atë të avancimit të këtyre raporteve, forcimet e relacioneve bilaterale, në veçanti tash në kapitullin e bashkëpunimit ekonomik, sjelljes së investitorëve të Arabisë Saudite në Republikën e Kosovës, e në të njëjtën kohë forcimin e marrëdhënieve tona bilaterale të gjithanshme në të gjitha fushat.
Ambasador i Arabisë Saudite në Tiranë, Abdullah Abdulaziz Al – Abdulkarim:
Ju siguroj që mbështetja e Arabisë Saudite do të jetë e vazhdueshme në të ardhmen në të gjitha fushat, aq më tepër në fushën e ekonomisë.
Mbështetja që tregon Mbretëria e Arabisë Saudite ndaj popullit dhe Qeverisë së Kosovës, është një ndjenjë obligimi që ata e tregojnë kundrejt këtij shteti.
Siguroj Kryeministrin Thaçi që unë personalisht dhe qeveria ime nuk do të kursehet në asgjë për të konsoliduar marrëdhëniet tona bilaterale në të gjitha fushat.
