08.4.2013
Në vazhdim po japim në tërësi fjalën e Kryeministrit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi:
I nderuari z. Zhbogar,
E nderuara Ambasadore znj. Jacobson,
E nderuara znj. Hodžić,
Te nderuar ju gjithë ambasadorët e BE-së dhe të dhe donatorë,
Të nderuar zonja dhe zotërinj, ministra dhe ju të gjithë të pranishmit,
Fillimisht ju dëshiroj mirëseardhje në takimin e radhës për koordinim të donatorëve në pjesën veriore të Mitrovicës.
Më lejoni të filloj duke çmuar lartë përpjekjet e vazhdueshme tuaja për zhvillimin e gjithëmbarshëm të Republikës së Kosovës në përgjegjësi, por edhe të Mitrovicës Veriore në veçanti.
Pjesa veriore e Mitrovicës vazhdon të ballafaqohet me sfida të mëdha, më komplekse prej të cilave është mungesa e sundimit të ligjit dhe mekanizmave institucional për ofrimin e shërbimeve publike nga institucionet e zgjedhura, ligjore dhe legjitime.
Të nderuar të pranishëm,
Republika e Kosovës dhe Republika e Serbisë janë ende pjesë e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet shtetit të Kosovës dhe Serbisë, me përkushtimet tona për fqinjësi të mirë, si parakusht i domosdoshëm për integrimet euroatlantike të Kosovës, edhe të vendeve tjera të rajonit. Në kuadër të dialogut, së fundi temë e diskutimit ka qenë edhe shuarja e strukturave paralele dhe krijimi i sigurisë dhe i asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Pas disa raundeve të takimeve, me ndërmjetësimin e shkëlqyeshëm të Baroneshesh Ashton, kemi arritur afër marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Dua të shpresoj se do të gjendet koha dhe momenti, si the rrethanat e përshtatshme për arritjen e marrëveshjes.
Marrëveshja do të ndihmojë në konsolidimin dhe funksionalizimin e shtetit të Kosovës, funksionimin e të gjitha institucioneve shtetërore në çdo cep të territorit të vendit dhe, në kuadër të kësaj integrimin e plotë të serbëve në veri dhe gjithë atyre që jetojnë atje në institucionet e Kosovës dhe në gjithë mekanizmat institucional e shoqërorë.
Marrëveshja do të mundësojë lëvizje të lirë të njerëzve dhe mallrave, do të krijohet ambient i sigurt edhe në veri dhe, do të punohet për shpërbërjen e të gjithë strukturave ilegale të sigurisë.
Oferta për secilin qytetar të Kosovës pavarësisht përkatësisë etnike është e thjeshtë dhe e qartë – Kosova është vendi i përbashkët dhe atë e kemi ndërtuar dhe po e ndërtojmë për të mirën tonë të përbashkët, pa dallime etnike, për të mirën edhe të atyre qytetarëve tanë në komunat në veri të Kosovës, jeta e të cilëve vazhdon të mbetet peng e grupeve të caktuara.
Vendosja e sundimit të ligjit dhe e rendit në pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës, është thelbësore për zhvillimin e saj në kuadër të Kushtetutës dhe ligjeve të vendit dhe për qetësinë, sigurinë dhe mirëqenien e qytetarëve tanë të komunitetit serb.
Prandaj, investimi në këtë pjesë të Kosovës është shumë domethënës dhe esencial, sepse në këtë mënyrë qytetarët e kësaj pjesë do të krijojnë marrëdhënie të shëndosha me institucionet dhe, njëkohësisht do te krijohet një rritje e besueshmërisë në organet shtetërore të Kosovës.
Unë dua të besoj se edhe Serbia, është thellësisht e interesuar që në veri të Kosovës të sundojë rendi dhe ligji, dhe që komuniteti serb që jeton atje të zhvilloj jetë normale.
Suksesi në këtë dialog, do të jetë në dobi të dy shteteve dhe mbi të gjitha të qytetarëve tanë. Nëse dialogu rezulton me sukses, nuk do të ketë humbës, por vetëm fitues.
