Kryeministri Thaçi sot mbajti ligjëratë në Universitetin John Hopkins, me temën “Mundësitë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pas Normalizimit”


Image


Image


Image

Prishtinë, 12 qershor 2013

Në kuadër të vizitës zyrtare që po zhvillon në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka mbajtur sot një ligjëratë në Universitetin Johns Hopkins, Shkolla për Studime të Avancuara Ndërkombëtare Uashington, D.C.

Në vazhdim po e prezantojmë të plotë ligjëratën e Kryeministrit Thaçi:

Faleminderit, z.Haltzeel, për këtë prezantim të shkëlqyeshëm.

Para së gjithash, më lejoni që në emër të popullit të Kosovës, të shpreh mirënjohjen tonë ndaj popullit amerikan për gjithçka që Shtetet e Bashkuara kanë bërë për të ndihmuar vendin tonë që të arrijmë pavarësinë e vendit tonë, të bëjmë paqe me fqinjët tanë si dhe të ndërtojmë të ardhmen tonë.

Ne, nuk do të mund të kishim ardhur deri këtu, pa përpjekjet paqeruajtëse të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe NATO-së, të cilat kanë kontribuar me dhjetëra mijëra trupa në fushatën e Kosovës.

Gjatë vizitës sime këtu, unë jam takuar me udhëheqës të shquar në Shtëpinë e Bardhë, në Pentagon dhe në Kapitol Hill.

Kam takuar Zëvendëspresidentin Biden, Senatorin Mark Kirk, i cili shërbeu me forcat e armatosura amerikane në Kosovë, dhe Kongresmenin Eliot Engel, qarku i të cilit përfshin shumë familje me rrënjë nga Ballkani.

Të nderuar zonja dhe zotërinj,

Sot, unë do të flas rreth mundësive ekonomike që po hapen në Kosovë, tani kur jemi duke normalizuar marrëdhëniet me Serbinë.

Kosova është vend i hapur për biznes. Ne kemi hapur rrugën për investitorët amerikanë dhe  gjithë të tjerët.

Qytetarët e Kosovës iu janë shumë mirënjohës amerikanëve, dhe ekonomia jonë është e hapur për ju.

Kosova po ndërton një demokraci të fuqishme, një ekonomi të tregut të lirë, prandaj duam që ju të jeni pjesë e saj.

Por, së pari, unë dua të flas rreth asaj se si arritëm në këtë moment historik dhe çfarë do të thotë për njerëzit në botë të cilët aktualisht janë të përfshirë në konflikte të vjetra, të cilat, në shikim të parë, mund te duken të pazgjidhshme.

Kur u takova me Zëvendëspresidentin Bajden dje, unë solla lajme të mira rreth asaj se si një nga rajonet më të trazuara tradicionalisht në botë – Ballkani – është duke bërë paqe.

Një konflikt i hapur midis dy popujve për më shumë se një shekull është afër përfundimit paqësor, duke mbyllur armiqësitë e së kaluarës.

Me ndërmjetësimin e palodhur të Përfaqësueses së Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe  Siguri, baroneshës Catherine Ashton, dhe mbështetjen e fuqishme të Shteteve të Bashkuara, unë dhe kryeministri serb Ivica Daçiq në muajin prill nënshkruam marrëveshjen e parë të arritur ndonjëherë ndërmjet dy vendeve tona.

Tani, pas arritjes së marrëveshjes, të dy shtetet tona janë duke punuar për zbatimin e saj.

Për Kosovën, kjo do të thotë dyfishim i përpjekjeve për të ndërtuar një demokraci të larmishme dhe një ekonomi të tregut të lirë.

Kjo marrëveshje ndër të tjera siguron të drejta shtesë dhe gjithëpërfshirëse për pjesën veriore të Kosovës me shumicë etnike serbe.

Qeveria jonë është duke bërë përpjekje të integrojë këta serbë etnikë në institucionet dhe shoqërinë  e Kosovës.

Ne jemi duke krijuar komuna me shumicë serbe, që garantojnë të drejtat politike, ekonomike dhe socio-kulturore.

Ne duam t’ju sigurojmë se komunitetit serb të Kosovës do t’i mbrohen të drejtat, kultura, institucionet fetare, duke përfshirë kishat dhe manastiret.

Duke bërë këtë, ne demonstrojmë në praktikë se jemi vend demokratik, shtet multietnik, multikulturor dhe multifetar.

Zonja dhe zotërinj,

Ne duam të jemi pjesë e komunitetit botëror të demokracive të tregut të lirë.

Për Kosovën dhe Serbinë, perspektiva e anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian dhe institucionet e tjera perëndimore është nxitje dhe frymëzim për pajtim dhe reformë.

Marrëveshja jonë nënkupton se as Serbia e as Kosova nuk do të pengojnë – ose inkurajojnë të tjerët të pengojnë – progresin e njëra-tjetrës drejt integrimit në BE.

Derisa ne lëvizim përpara drejt paqes me Serbinë dhe pjesëmarrje në BE, ekonomia jonë ofron mundësi për popullin tonë dhe për investitorët e huaj.

Ne duhet të tejkalojmë pengesa historike.

Por, duhet ditur, se Kosova është vend i mundësive të shumta.

Kosova është vend strategjik, i pasur me burime natyrore, me një popullsi të arsimuar dhe energjike, me një mjedis miqësor për biznes dhe vend i orientuar drejt rritjes ekonomike

Derisa ne jemi duke shkuar drejt integrimit në BE, ekonomia jonë do të shënoj rritje të vazhdueshme.

Ekonomia jonë ka ende shumë sfida për të kaluar.

Kosova është nder vendet më te varfra në Evropë dhe ka shkallën më të lartë të papunësisë në Evropë.

Ne po përpiqemi që ta zhvillojmë ekonominë tonë, duke kompensuar edhe kohën e humbur.

Nga viti 1945 deri 1990, ne ishim rajoni më i varfër i ish-Jugosllavisë.

Për katër dekada e gjysmë, komunizmi vonoi zhvillimin tonë.

Dhe, pastaj, gjatë viteve 1990, ne përjetuam luftën, gjenocidin dhe konfliktin ndër-etnik.

Gjatë kësaj dekade, në mes të luftës më të rëndë në Evropë që prej Luftës së Dytë Botërore, kemi pasur fare pak qasje në financat dhe tregtinë ndërkombëtare.

Derisa pjesa tjetër e botës perëndimore po përparonte, ne asnjëherë nuk patëm mundësi për të nxjerr ndonjë gjë të mirë gjatë viteve 1990.

Edhe pasi përfundimit të luftës – kur Kosova u vu nën Administratën e Kombeve të Bashkuara – statusi ynë i kontestuar ishte si një rrugë pa krye për ekonominë dhe zhvillimin tonë.

Por sfidat tona nuk u zhdukën kur Kosova shpalli pavarësinë në vitin 2008.

Kriza financiare globale bëri që investimet kapitale të zvogëlohen kudo, duke mos përjashtuar as Kosovën.

Përkundër këtyre sfidave, ne kemi rindërtuar shtëpitë tona, rrugët, urat dhe infrastrukturën tjetër fizike.

Dhe, mbi te gjitha, ne po ndërtojmë një shtet të ri, e gjithashtu jemi duke punuar shumë për ta përmirësuar strukturën tonë sociale.

Ne jemi duke u mbështetur në përparësitë dhe resurset që kemi.

Ne kemi pozitë strategjike në Ballkan sepse jemi afër shteteve të Evropës Lindore, Evropës Qendrore dhe Mesdheut.

Jemi të pasur me burime natyrore.

Në pjesën më të madhe të historisë sonë, ne kemi qenë një qendër e madhe e minierave.

Në mesin e burimeve tona të bollshme gjenden rezervat e pasura të plumbit, zinkut, argjendit, nikelit, kobaltit, bakrit, hekurit dhe boksitit.

Në të vërtetë, Banka Botërore ka vlerësuar se Kosova ka minerale në vlerë prej 13,5 miliardë Eurosh.

Ne gjithashtu kemi 14 miliard tonelata linjit  të cilësisë së lartë – rezerva e pestë më e madhe në botë.

Shpesh i njohur si “qymyri kafe”, kjo lëndë digjet në termocentralet për të gjeneruar 97 për qind të energjisë sonë elektrike.

Përkundër tërë pasurive tona minerale, burimi ynë më i rëndësishëm është vitaliteti dhe shkathtësia e qytetarëve tanë.

Ne nuk jemi vetëm shteti më i ri në Evropë. Ne gjithashtu kemi popullatën më të re në Evropë.

Mosha jonë mesatare është 27 vjet.

Shtatëdhjetë e pesë për qind e popullsisë sonë është nën moshën 35 vjeçare.

Të rinjtë tanë janë të arsimuar mirë, dhe ata janë të gatshëm – dhe të etur – për të punuar me  bashkëmoshatarët e tyre në tërë Evropën dhe tërë botën.

Çdo vit, universitetet tona prodhojnë rreth 15.000 të diplomuar të rinj. Përveç gjuhës shqipe dhe serbe, shumë kosovarë flasin anglisht, gjermanisht dhe frëngjisht.

Në një kohë kur shumë vende evropiane janë duke adresuar sfidat e popullsisë në mplakje, Kosova gëzon mundësitë që dalin nga të qenit “Evropianë të Rinj”.

Me gjithë dhimbjet që kemi pasur në të kaluarën tonë, ne mund t’i tejkalojmë tragjeditë e shekullit të 20-të, sepse shumica aktuale e njerëzve tanë do të jetojnë pjesën më të madhe të jetës së tyre në shekullin 21.

Në vend se të mbesim në të kaluarën, qytetaret tanë po përballen me të ardhmen me energji të madhe.

Në vend të proteksionizmit, populli ynë mirëpret investimet e huaja.

Në vend të frikës nga ndryshimet, populli ynë i mirëpret ato.

Gjatë pesë viteve të kaluara të pavarësisë – dhe pavarësisht nga një rënie ekonomike në mbarë botën – Kosova është duke ndërtuar një ekonomi në rritje.

Bruto Produkti Vendor ynë ka shënuar  rritje prej 3.9 për qind në vitin 2010, 5.3 për qind në vitin 2011, dhe 4.4 për qind në vitin 2012.

Normat e inflacionit kanë qenë stabile.

Dhe biznesi është duke u rritur.

Ne kemi më shumë se 60,000 biznese të vogla dhe të mesme.

Numri i kompanive me të ardhura vjetore prej më shumë se 5 milionë Euro është rritur nga 144 në 179 kompani.

Nga viti 2009 deri më 2011, të ardhurat totale vjetore të bizneseve që operojnë në Kosovë u rritën nga 4.7 miliardë Euro në 6,3 miliard.

Fitimet që i kemi arritur janë vetëm hapat e parë në udhëtimin tonë drejt progresit.

Qëllimi ynë është pjesëmarrja e plotë në komunitetin  e demokracive të tregut të lirë.

Ne jemi duke krijuar politikat publike, të cilat janë largpamëse, miqësore për biznesin, të orientuara drejt rritjes, që janë duke dhënë fryte.

Si “Evropianë të Rinj”, kosovarët janë konsumatorë real dhe potencial për gamën e plotë të shërbimeve dhe produkteve moderne.

Ata janë të gatshëm, të vullnetshëm dhe të etur të kushtojnë një ditë të plotë pune për një pagë të plotë në mënyrë që ata të mund ta përballojnë  standardin e jetës së shekullit 21.

Kosova ofron mundësi të mëdha për investime, duke përfshirë fushat në:

• Bujqësi, përpunim të ushqimit dhe ambalazhim;
• Energji dhe miniera;
• Kontraktim i jashtëm i procesit të biznesit;
• Tekstil;
• Përpunimi i metaleve dhe drurit;
• Ndërtimtari dhe
• Prodhim i komponentëve të automobilave dhe komponentëve elektronik.

Turizmi dimëror është një atraksioni tjetër interesant.

Në një zonë malore piktoreske me një klimë të butë në lugina, ne jemi duke zhvilluar Qendrën e Skijimit në Brezovicë, dhe investitorët e huaj janë të mirëseardhur.

Ne gjithashtu jemi duke privatizuar sistemin tonë telekomunikacionit dhe kjo ka tërhequr vëmendjen e madhe të investitorëve të huaj.

Ekonomia jonë është e hapur ndaj ekonomisë botërore.

Monedha jonë është Euro.

Derisa jemi duke lëvizur përpara drejt integrimit në BE, ne jemi bërë pjesë në institucionet ndërkombëtare dhe kemi nënshkruar marrëveshjet tregtare ndërkombëtare.

Në vitin 2009, jemi anëtarësuar në Bankën Botërore dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar. Ndërsa këtë vit jemi bërë anëtar të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

Ne tashmë gëzojmë Preferencat Autonome Tregtare me Bashkimin Evropian.

Ne kemi qasje të pakufizuar të liruar nga dogana në tregun e BE-së, me më shumë se 500 milionë konsumatorë.

Ne jemi pjesë e Marrëveshjes për Tregti të Lirë të Evropës Qendrore me tetë vendet fqinje, me një popullsi të kombinuar prej 32 milionë banorësh dhe me një GDP totale prej 230 miliard dollarësh.

Ne jemi pjesë e Sistemit të Përgjithësuar të Preferencave me Shtetet e Bashkuara, me hyrje preferenciale pa doganë për 4,800 produkte.

Përveç kësaj, ne kemi preferenca tregtare me Japoninë, Norvegjinë dhe Turqinë.

Për investitorët amerikanë, mesazhi është i qartë.

Në rast se prodhoni produkte në Kosovë, ju do të keni qasje në tregjet e Evropës dhe në mbarë botën.

Sistemi ynë tatimor dërgon mesazh të qartë i cili mund të përmblidhet me tri fjalë, “Investoni në Kosovë.”

Ne kemi reformuar dhe reduktuar normat tona tatimore në nivelet më të ulëta në Evropë.

Për bizneset që veprojnë në Kosovë, pagesat e taksave, si përqindje e të hyrave, janë në nivel shumë të ulët – vetëm 3 deri 4 për qind në vit.

Me politikën tonë fiskale dhe me popullsinë tonë të re, barra jonë fiskale është relativisht e ulët. Dhe ajo do të mbetet e ulët.

Në fakt, ne kemi nivelin më të ulët të borxhit si përqindje e Prodhimit të Brendshëm Bruto sesa kudo tjetër në Evropë.

Sistemi ynë ligjor është në masë të madhe në përputhje me BE-në dhe është i favorshëm për investitorët e huaj.

Ligji ynë për investimet e huaja kërkon trajtim të barabartë për investitorët vendorë dhe të huaj.

Në rast se investoni në Kosovë, ju mund të mbështeteni në transferimin e lirë të fondeve, riatdhesimin e lirë të fitimit dhe dividendës, dhe mbrojtjen nga shpronësimi  dhe aplikimi retroaktiv i ligjeve.

Në mënyrë që të inkurajojmë investimet dhe tregtinë ndërkufitare, ne gjithashtu kemi miratuar edhe Standardet Ndërkombëtare të Raportimit Financiar.

Ne jemi duke e bërë më të lehtë krijimin e bizneseve në Kosovë.

Ju mund të regjistroni një biznes në Kosovë brenda vetëm një dite.

Ne kemi reduktuar procedurat administrative për import dhe eksport për 70 për qind.

Pa marr parasysh se a vini në Kosovë si investitor, dijetar apo turist, ju do të gëzoni respekt të madh si pjesëtar i popullit amerikan.

Ju na keni ndihmuar të mbijetojmë luftën, të shpallim pavarësinë tonë dhe të bëjmë paqe me fqinjët tanë.

Ne jemi të etur të punojmë me investitorët privatë, me organizatat joqeveritare, si dhe me agjencitë e zhvillimit të SHBA-së.

Ne jemi të gatshëm që Për Sfidën e Mijëvjeçarit të ndërtojmë ekonominë tonë dhe të sjellim mundësi të reja për popujt tanë të cilët kanë vuajtur aq shumë në të kaluarën, e të cilët mund të kontribuojnë aq shumë për të ardhmen.

Me mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, Kosova dhe Serbia mund të dëshmojnë se ka mbaruar koha e armiqësive të vjetra edhe për rajonet e tjera të trazuara në Mesdhe dhe në tërë botën, dhe se është më mirë të ndërtojmë një të ardhme të përbashkët për paqe dhe prosperitetit në vend se të lejojmë acarime ndëretnike dhe urrejtje arkaike.

Në fund, më lejoni që sërish të ju drejtohem me fjalët Faleminderit, Amerikë, për çdo gjë që keni bërë, dhe për çdo gjë që do të bëjmë së bashku, për të ndërtuar një të ardhme më të mirë.

Dhe tani unë do të kem kënaqësinë t’iu përgjigjem pyetjeve tuaja.

*******

Në këtë prezantim te kryeministrit Thaçi ishin të pranishëm shumë personalitete të jetës publike, diplomatë, analistë, studentë dhe përfaqësues të instituteve të ndryshme amerikane.

Kryeministri Thaçi u përgjigj në shumë pyetje lidhur me interpretimin politik të Marrëveshjes, për punën e përbashkët midis pozitës dhe opozitës për krijimin e ligjeve dhe parakushteve për përmbushjen e kritereve për integrime evropiane dhe për aspekte të ndryshme, që çojnë drejt normalizimit të marrëdhënieve midis shtetit .të Kosovës dhe atij të Serbisë, në favor të paqes dhe stabilitetit rajonal.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors