Prishtinë, 27 gusht 2009
Në vazhdim po e prezantojmë të plotë fjalën e kryeministrit të Republikës së Kosovës lidhur me zhvillimet e fundit në pjesën veriore të Kosovës
Ngjarjet penguese dhe të dhunshme në Mitrovicë kanë qenë, janë dhe do të jenë vazhdimisht të papranueshme për Qeverinë e Republikës së Kosovës dhe do të punohet maksimalisht që ato skena të parandalohen me të gjitha mjetet që lejon Kushtetuta e Republikës së Kosovës, dhe ligjet tona në fuqi dhe që duhet të vlejnë e që do të vlejnë për gjithë territorin e Republikës së Kosovës.
Qytetarët e Mitrovicës pavarësisht përkatësisë së tyre etnike kanë të drejtë themelore, të garantuar me Kushtetutë dhe me ligj që të jetojnë të qetë, të lirë, të sigurt në pronat dhe shtëpitë e tyre, kudo që ndodhet ajo brenda territorit të Republikës së Kosovës.
Këtë të drejtë, atyre nuk mund t’ua mohojë askush. Kjo është e drejtë elementare, ekzistenciale. As më tepër ndonjë zyrtar i tejkaluar që mban në xhep ndonjë vulë të UNMIK-ut dhe që e përdor atë për të mbrojtur interesat e strukturave paralele ekstremiste serbe.
Këtë të drejtë për të jetuar të lirë në pronën e tyre për të ndërtuar jetën e re nuk mund t’ua mohojë qytetarëve as edhe ndonjë oficer policie, i cili bazuar në vulën e tejkaluar të UNMIK-ut pretendon të sfidojë zinxhirin komandues të Policisë së Republikës së Kosovës dhe bën përpjekje që duke keqpërdorur uniformën e Policisë së Kosovës t’i privojë nga e drejta qytetarët e Republikës së Kosovës për të jetuar të lirë në shtëpitë dhe pronat e tryre.
Kjo situatë e pakuptimtë dhe e papranueshme duhet të marrë fund. Dhe, të gjithë mekanizmat institucionalë relevantë të Qeverisë së Republikës së Kosovës do të jenë të pakompromis ndaj këtyre ekstremistëve që pengojnë njerëzit të punojnë në shtëpitë e tyre.
Si Kryeministër i shtetit tonë sovran dhe demokratik kam kërkuar nga mekanizmat gjithështetërorë, përgjegjës për sigurinë e vendit që të marrin masa të menjëhershme për të vendosur rendin dhe ligjin në tërë territorin e Republikës së Kosovës. Qytetarët duhet të trajtohen të barabartë para ligjit.
Gjithashtu dua të theksoj se mjaft qytetarët e Kosovës kanë vuajtur që të jetojnë të lirë në shtëpitë, pronat e tyre, në vendin e tyre. Këtë të drejtë nuk do të lejohet askush t’ua mohojë. Kosova është shtet i pavarur, sovran, demokratik, me perspektivë të sigurt evropiane. Askënd nuk do ta lejojmë ta cenojë sovranitetin e Republikës së Kosovës.
Gjithashtu, jemi duke punuar për sot dhe në ditët në vazhdim që Policia e Republikës së Kosovës në bashkëpunim me kompetentët e Policisë së EULEX-it t’i ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme operacionale për të siguruar jetën e qytetarëve të Kosovës dhe të drejtën e tyre prë të jetuar të lirë në pronat e tyre.
Qeveria e Republikës së Kosovës përkrah gjithë njerëzit pa dallim të përkatësive etnike që dëshirojnë të kthehen në shtëpitë, banesat, pronat e tyre, që dëshirojnë të ndërtojnë shtëpitë e tyre në Kosovën e re, jetën e re. është mbështetje jo vetëm politike, por edhe logjistike, edhe financaire dhe gjithështetërore.
Gjithashtu, nuk do të tolerohet edhe më tutje që dikush t’i mbyll veshët apo sytë para njerëzve që i pengojnë njerëzit të kthehen në shtëpitë e tyre. Problem nuk janë qytetarët që duan të kthehen në shtëpitë e tyre të ndërtojnë jetën e re. Problem janë ata që pengojnë dhe që do të dështojnë në raport me këtë angazhim ekzistencial të qytetarëve të Kosovës.
Kryeministri Thaçi në vazhdim ka folur edhe për bashkëpunimin e shtetit të Kosovës me shtetet fqinjë:
Ne kemi punuar dhe vazhdojmë të jemi shumë të përgjegjshëm në bashkëpunimet tona ndërfqinjësore, por edhe këto bashkëpunime duhet të jenë duke respektuar sovranitetin e secilit vend. Kemi ndërtuar raporte të shkëlqyeshme edhe me Maeqdoninë, Shqipërinë, edhe Malin e Zi. Duam që të ndërtojmë raporte të mira ndërfqinjësore edhe me Serbinë. Por, tani Kosova është shtet, përgjegjësitë shtetërore nuk i bart te asnjë mekanizëm tjetër dhe asnjë mekanizëm tjetër nuk ka të drejtë të flasë, të vendosë për Kosovën, pa Kosovën – ka thënë z.Thaçi.
Në mbledhjen e sotme të qeverisë, kryeministri Hashim Thaçi ka njoftuar kabinetin qeveritar për takimin që sot bashkë me presidentin Sejdiu, zëvendëskryeministrin Kuçi dhe ministrin Hyseni ka zhvilluar me shefin e ICO-së, Piter Fejt dhe shefin e EULEX-it, Iv de Kermabon.
Qëndrimi i institucioneve të Kosovës sa i përket situatës së krijuar në të ashtuquajturin protokoll bashkëpunimi me Republikën e Serbisë është shumë i qartë. Ne kemi theksuar edhe në takim, por edhe publikisht se kjo çështje mbyllet përfundimisht sot. Çdo debat, çdo takim, çdo bisedë për këtë temë tashmë është e mbyllur – ka theksuar kryeministri Hashim Thaçi.
