Prishtinë, 7 prill 2010
Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi, duke u mbështetur në kompetencat e tij sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe ligjeve përkatëse, ka vendosur që të suspendojë nga detyra e Kryeshefit Ekzekutiv të Agjencisë së Kosovës për Produkte Medicinale, z. Zehadin Gashi.
Vendimi për suspendimin e z. Gashi është marrë pas vlerësimit të përgjithshme se ai ka treguar performansë të ultë në përmbushjen e obligimeve të tij dhe bazohet ne provat materiale të ofruara në Zyrën e Kryeministrit, të cilat ndërlidhen me raportin e auditimit për banderolat dhe mënyrën e tenderimit si dhe vërejtjet e njëpasnjëshme nga Ministria e Shëndetësisë
Vërejtjet ndaj z. Gashi ndërlidhen edhe me moszbatimin e vendimeve te Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës të Kosovës (KPMK), shkeljen e Ligjit për Buxhetin me rastin e pagesave për Komisionin e Kosovës për Vlerësimin e Produkteve dhe Pajisjeve Medicinale (KKVPM) në kundërshtim me nenin 80, shkeljen e Rregullores Nr. 2001/36, largimin e punëtorëve pa respektuar procedurat ligjore, si dhe dhënien e lejeve të veçanta ne bazë të nenit 35 të Ligjit Nr. 2003/26, pa i përfillur procedurat e parapara me këtë nen.
Gjithashtu, Kryeministri Thaçi ka vendosur që të mos i vazhdohet kontrata Kryeshefit Ekzekutiv të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë. Z. Qaush Kabashi. Vendimi është marrë pas konstatimit se gjatë ushtrimit të funksionit të tij, z. Kabashi nuk ka treguar perfomansën e duhur në menaxhim dhe në rezultate në punë.
Gjatë udhëheqjes së z. Kabashi janë evidentuar shkelje të vazhdueshme të rënda të cilat janë evidentuar edhe në raportet e Auditorit të Përgjithshëm të Kosovës. Po ashtu, ka pasur ankesa të shumta për cilësinë e dobët të kontrollit të ushqimit që konsumojnë qytetarët e Kosovës, si dhe është vlerësuar se ka pasur menaxhim të dobët të stafit dhe mosrespektim të procedurave të duhura të shërbimit civil dhe prokurimit.
Vendimet e Kryeministrit Thaçi merren në funksion të përmirësimit të performansës së këtyre dy agjencive që ndërlidhen drejtpërdrejt më shëndetin dhe mirëqenien e qytetarëve të Republikës së Kosovës.
