Fjala e kryeministrit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi në hapjen e Panairit të përpunuesve të drurit
Prishtinë, 26 nëntor 2010
Të nderuar afaristë,
Përfaqësues të USAID-it, Qeverisë së Republikës së Kosovës, të Shoqatës,
Zonja dhe zotërinj,
Dëshiroj t’ju përgëzoj për këtë mundësi, për hapjen e panairit, i cili do të jetë mundësi e mirë për të gjithë ju si përpunues të drurit, të takoheni dhe të shkëmbeni përvojat tuaja dhe të forconi lidhjet afariste mes jush.
Republika e Kosovës është shtet i ri, por me mundësi jashtëzakonisht të mëdha zhvillimore dhe biznesore. Ne kemi ndërtuar shtet demokratik, me ekonomi të hapur të tregut ku sektori privat është motori kryesor i zhvillimit të vendit.
Qeveria e Republikës së Kosovës e sheh sektorin privat si aleatin kryesor të ndërtimit dhe zhvillimit të Kosovës së prosperuar dhe të integruar në strukturat e Bashkimit Evropian.
Si Qeveri e Republikës e Kosovës, ne kemi ulur taksat për bizneset, të cilat janë më të ulëta në rajon. Ne kemi dashur që shteti t’ua mundësojë bizneseve që mjetet e tyre t’i përdorin për investime të cilat do të krijojnë vende të lira të punës për të rinjtë tanë.
Hapja e vendeve të punës, sidomos për të rinjtë, ka qenë dhe do të jetë ndër prioritetet tona sot, por edhe në të ardhmen.
Ju të nderuar përpunues të drurit, keni dhënë dhe po jepni kontribut të jashtëzakonshëm në krijimin e vendeve të punës duke punësuar të rinjtë e Republikës së Kosovës.
Qeveria e Kosovës do të jetë pranë jush për t’ju ndihmuar në punën tuaj të çmuar prodhuese dhe gjeneruese të punësimit, duke ju krijuar lehtësira tatimore dhe doganore dhe plasman në treg rajonal e ndërkombëtar.
Ne jemi partnerë dhe do të vazhdojmë ta thellojmë dialogun me ju për të qenë sa më afër jush në misionin tonë të përbashkët për zhvillimin e Kosovës së re, Kosovës së pavarur dhe demokratike.
Urime, punë të mbarë dhe suksese edhe me të mëdha në punën tuaj.