Prishtinë, 14 korrik 2009
Ky rishikim, si rezultat i rishikimit të kredisë së Qeverisë së Republikës së Kosovës për Korporatën Elektroenergjetike të Kosovës, riprogramimit të borxhit të jashtëm të Kosovës dhe rritjes së të hyrave vetanake të komunave, ka arritur që të shtojë për rreth 100 milionë për investime kapitale.
Kryeministri Thaçi ka vlerësuar se rishikimi i buxhetit garanton vazhdimin e proceseve të reformimit në shoqërinë tonë, por edhe funksionimin dhe avancimin e sektorëve të ndryshëm social dhe ekonomik në Kosovë, duke apostrofuar investimet ne fushën e arsimit, shëndetësisë, bujqësisë, në reformën e pushtetit lokal, por edhe në konsolidimin e ndërtimit të diplomacisë shtetërore të Kosovës.
Qeveria ka miratuar edhe një udhëzim të brendshëm administrativ, si pjesë të pakos për mbështetjen për kategorinë e invalidëve të luftës së UÇK-së, për lirimin nga dogana për importet e tyre për nevoja personale. Kryeministri Hashim Thaçi ka vlerësuar se kjo është edhe një dëshmi për se Qeveria e Republikës së Kosovës do të vazhdojë të mbetet e përkushtuar për të mbështetur të gjithë ata që sakrifikuan për lirinë e Kosovës.
Qeveria ka dënuar aktet e arrestimit të qytetarëve të Kosovës përmes fletarrestimeve të lëshuar nga Serbia përmes Interpolit.
“Këto janë akte të mjera dhe dëshpëruese të disave në Beograd kundër Kosovës dhe qytetarëve të saj. Por, ato do të mbesin vetëm zhurmë para argumenteve të Kosovës” ka thënë kryeministri Hashim Thaçi dhe ka theksuar se institucionet e Kosovës, në nivelin më të lartë, janë duke u angazhuar për të tejkaluar këto situata.
