Kryeministri Thaçi: Republika e Kosovës, në kuadër të procesit të integrimit evropian, në vazhdimësi ka treguar shkallë të lartë të përgjegjësisë politike dhe institucionale


Image

Prishtinë, 2 maj 2014

Fjalimi i kryeministrit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në takimin e tretë negociator për MSA-në,  ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian

E nderuara ministre Çitaku,
I nderuari kryenegociator Paquet
I nderuari z.Zhbogar,
E nderuara zonja Osmani,
E nderuara kryetare Kusari-Lila,
I nderuari kryetar Haziri,
Të nderuar zëvendëskryeministra,
Të nderuar ministra,

Fillimisht ju uroj mirëseardhje në Republikën e Kosovës, ekipit negociaor të Komisionit Evropian, të kryesuar nga kryenegociatori Paquet.

Të nderuar pjesëmarrës,

Është kënaqësi  që të hap takimin e tretë dhe të fundit negociator të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

Para gjashtë muajsh kemi qenë pikërisht në këtë sallë, kur kemi filluar negociatat për Marrëveshjen  e Stabilizim Asocimit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe BE-së.

Falë një pune të shkëlqyeshme të ekipeve negociuese, kemi arritur që pas tri takimeve të kryenegociatorëve, dy raunde të takimeve teknike dhe një numër të konsiderueshëm të video konferencave, të negociojmë një marrëveshje, e cila do të shënojë fillimin zyrtar të procesit të anëtarësimit të Republikës së Kosovës në Bashkimin Evropian.

Sot, para vetes, për miratim, kemi një marrëveshje , që do të jetë themel i procesit integrues të vendit tonë në BE.

Kemi një ofertë të shkëlqyeshme politike, juridike dhe ekonomike për t’iu bashkuar bllokut më të fuqishëm politik dhe ekonomik në botë.

Marrëveshja do të jetë dokument bazë, i cili do të rregullojë marrëdhëniet tona politike me Bashkimin Evropian, deri në hapin e anëtarësimit të Kosovës në Bashkimin Evropian.

Ky moment largon çdo dyshim dhe vulos përcaktimin strategjik të shtetit tonë, për të qenë anëtar i BE-së.

Përveç rëndësisë politike dhe ligjore ka Marrëveshja për Stabilizim Asociimit ka në kuadër të procesit integrues, më lejoni të nënvizojë edhe rëndësinë ekonomike të kësaj marrëveshje.

Marrëveshja e negociuar do të ofrojë hapjen e plotë të tregut të Bashkimit Evropian për bizneset tona dhe njëkohësisht do të ofrojë mbrojtje të veçantë për zhvillimin e bizneseve të vogla dhe të mesme, të cilat kanë potencial zhvillimi dhe krijimi të vendeve të reja të punës.

Që nga shpallja e pavarësisë, ne jemi fokusuar në ndërtimin e themeleve të shëndosha të zhvillimit ekonomik dhe gjenerimin e vendeve të reja të punës.

Kjo ka nënkuptuar konsolidimin e institucioneve të shtetit dhe investimet në infrastrukturë, bujqësi dhe së fundi reforma e të bërit biznes.

Në këtë drejtim, Marrëveshja e Stabizim Asociimit, do të jetë shtyllë e rëndësishme e mbështetjes së agjendës zhvillimore dhe reformuese të Kosovës.

Të nderuar të pranishëm,

Republika e Kosovës, në kuadër të procesit të integrimit evropian, në vazhdimësi ka treguar shkallë të lartë të përgjegjësisë politike dhe institucionale.

Lirisht mund të themi se në vendin tonë ka agjendë më unifikuese sesa agjenda evropiane, agjendë unifikuese politike dhe ndëretnike.

Në këtë drejtim, dëshiroj t’i shpreh një falënderim të veçantë ish-zëvendëskryeministres dhe ish-kryetarit të Komisionit për Integrim Evropian, z. Haziri, për kontributin e tyre të pazëvendësueshëm në kuadër të negocimit të Marrëveshjes së Stabizim Asociimit.

I nderuari kryenegociator,
E nderuara kryenegociatore Çirtaku,
Të nderuar negociatorë dhe anëtarë të ekipeve negociatore,

Dëshiroj t’ju përgëzoj për punën e shkëlqyeshme që keni bërë këta gjashtë muaj.

Besoj që një meritë të veçantë në këtë drejtim ka edhe zëvendësdrejtori Korte, që e falënderoj në emër të delegacionit tonë.

Faleminderit.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors