Prishtinë, 28 dhjetor 2012
Fjala e kryeministrit Hashim Thaçi në mbledhjen e fundit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, për vitin 2012
Të nderuar Zëvendëskryeministra,
Të nderuar Ministra,
Kabinet Qeveritar,
Ju falënderoj për punën që e keni bërë gjatë vitit 2012 dhe më herët. Ka qenë një kënaqësi e veçantë për mua të punoj me secilin prej jush, me të gjitha angazhimet që kemi pasur. Një angazhim ky i jashtëzakonshëm në konsolidimin e shtetit tonë të ri, në perspektivën evropiane të Republikës së Kosovës, në procesin e zhvillimit ekonomik, në procesin e ndërtimit të fqinjësisë së mirë me të gjitha vendet e rajonit.
Në mbledhjen e fundit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për vitin 2012, desha të bëj një përmbledhje të aktiviteteve qeveritare që janë ndërmarrë gjatë vitit 2012, por edhe t’i informoj qytetarët e Kosovës në lidhje me arritjet e shtetit tonë për këtë vit.
Republika e Kosovës me krenari e them se në fund të vitit 2012 duket shumë më ndryshe, shumë më pozitive nga vitet e mëparshme.
Në kuadër të konsolidimit të shtetit si në aspektin e brendshëm ashtu edhe në aspektin ndërkombëtar. Subjektiviteti i shtetit të Kosovës në vitin 2012 është fuqizuar shumë.
Ne sapo përmbyllëm kremtimet për shënimin e 100 vjetorit të shtetit shqiptar, festës së flamurit, dhe mendoj se ka qenë festa dhe kremta ku të gjithë qytetarët me gëzim kanë participu dhe janë ndier mirë dhe krenar si kurrë ndonjëherë, për një shekull të tërë.
Prandaj dua të theksoj se tani jemi në prag të pesë vjetorit të shënimit të pavarësisë së Kosovës, dhe Kosova ka arritur sukses, ka arritur të njihet nga më shumë se gjysma e shteteve anëtare të Kombeve të Bashkuara.
Dëshiroj që publikisht të falënderoj të gjitha vendet që e kanë njohur Republikën e Kosoëvs, por gjithashtu të falënderoj edhe për kontributin e jashtëzakonshëm zëvendëskryeministrin Pacolli dhe ministrin Hoxhaj që nuk janë ndalur për asnjë çast me takimet e tyre, kudo që është folur për Kosovën.
Dëshiroj të falënderoj sot Qeverinë dhe popullin e Pakistanit për mbështetjen që i kanë dhënë qeverisë së tyre për njohjen e pavarësisë së Kosovës.
Natyrisht dëshiroj të falënderoj gjithë miqtë tanë ndërkombëtarë që e kanë lehtësuar këtë proces të lobimit dhe njohjeve për shtetin e Kosovës.
Gjithë ky proces ndërlidhet edhe me suksesin e jashtëzakonshëm dhe historik, pas suksesit tonë që arritëm në vend, duke implementuar të gjitha reformat e nevojshme dhe të domosdoshme, përgjegjësitë që kemi marrë ndërkombëtare me dokumentin e presidentit Ahtisaari, që shënoj edhe fundin e mbikëqyrjes ndërkombëtare të Pavarësisë së Kosovës.
Tani Kosova ka Kushtetutën e vet, ka ligjet e veta, dhe do të lëviz drejt fuqizimit të vet.
Kemi arritur të ndërtojmë marrëdhënie partneriteti shumë të fuqishme me vendet më të fuqishme të botës demokratike dhe kemi arritur që të anëtarësohemi në shumë organizata ndërkombëtare-por kulmi i suksesit në këtë drejtim është arritur me pranimin e Kosovës në Bankën për Rindërtim dhe Zhvillim Evropian. Ka qenë një lobim dy-tre vjeçar, dhe në këtë bankë anëtarsohen vetëm vendet e pavarura dhe sovrane, dhe falënderoj të gjitha ato vende që edhe pse nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, kanë votuar pro anëtarësimit të shtetit të Kosovës.
Gjatë vitit 2012 kemi zgjeruar përfaqësimin diplomatik në shumë prej vendeve me interes strategjik për Kosovën, përfshirë edhe avancimin e sistemit të ofrimit të shërbimeve për qytetarët që jetojnë jashtë vendit.
Viti 2012 ka shënuar një etapë të re edhe në marrëdhëniet me Bashkimin Evropian.
Procesi i integrimit Evropian gjatë këtij viti është formalizuar përmes miratimit të udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave dhe Raportit të Fizibilitetit për Kosovën.
Integrimi Evropian dhe përmbushja e kritereve që dalin nga proces, mbetet prioritet kombëtar, në të cilën do të përqendrohen të gjitha segmentet e shtetit dhe shoqërisë.
Anëtarësimi i Kosovës në organizata ndërkombëtare, në veçanti në BERZH, paraqet një instrument financiar që ndihmon në vazhdimin e zbatimit të prioriteteve madhore të Republikës së Kosovës në të ardhmen.
Viti 2012 ka shënuar edhe fillimin e normalizimit të marrëdhënieve në mes të shtetit të Kosovës dhe Serbisë.
Kosova sot si shtet i pavarur paraqet faktorin e paqes dhe stabilitetit në rajon. Kemi ndërtuar marrëdhënie të shkëlqyera me të gjitha vendet e rajonit, por ka qenë domosdoshmëri dhe përkushtim i yni edhe vizion i yni, që të ndërtojmë raporte të nivelit të barabartë, të fqinjësisë së mirë.
Prandaj, Kuvendi i Kosovës ka marrë vendim që ky proces të filloj dhe Qeveria e Kosovës do t’i kryej obligimet e veta kushtetuese dhe ligjore.
Dialogu me Serbinë ka filluar të prodhojë efektet e para konkrete, si në aspektin e fuqizimit të sundimit të ligjit ashtu edhe në aspektin e lëvizjes së pozicionit të Serbisë në drejtim të njohjes së plotë të shtetësisë së Kosoves.
Fillimi i implementimit të IBM-it ka qenë rezultat konkret pozitiv. Tani në dy pika doganore ka filluar së funksionalizuari ky proces, ndërsa me datën 31 dhjetor do të filloj edhe implementimi apo puna në dy pikat tjera doganore, në Bërnjak dhe tek dheu i Bardhë.
Gjatë muajit janar presim që ky proces të përmbyllet i tëri në gjashtë pika.
Të nderuar zëvendëskryeministra
Të nderuar ministra
Qeverisja gjatë vitit 2012 është bërë në bazë të një kornize strategjike dhe të planifikuar mirë.
Prioritetet qeveritare gjatë vitit 2012 kanë qenë të përqendruara kryesisht në arritjen e objektivave kryesore të përcaktuara me Programin Qeverisës 2011-2014 dhe në bazë të planeve dhe programeve sektoriale dhe të politikave.
Sa i përket angazhimeve për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, gjithashtu edhe procesit teknik në këtë drejtim, unë nuk mund të kaloj pa e falënderuar zëvendëskryeministren Edita Tahiri për punën e shkëlqyer që e ka bërë në këto dy vite.
Në të njëjtën kohë, dua të falënderoj për mirëkuptim dhe mbështetje edhe partitë opozitare në Kosovë, disa më aktive disa më pozitive, por në veçanti edhe për marrjen e përgjegjësive edhe nga koordinatori politik, z. Shala në këtë proces. Sepse këto janë përgjegjësi shtetërore, dhe i tejkalojnë kornizat qeveri-opozitë, siç ka qenë më herët në Rambuje dhe në Vjenë.
Në fushën e zhvillimit ekonomik, aktivitetet e Qeverisë së Republikës së Kosovës janë përqendruar në disa sektorë.
Qeveria ka ruajtur qëndrueshmërinë makro-fiskale dhe ka zbatuar obligimet e përcaktuara me programin me Fondin Monetar ndërkombëtar.
Juve ju kujtohen edhe zërat kritikë të para dy viteve, kur raportet e Qeverisë së Kosovës me Fondin Monetar Ndërkombëtar ishin të një diskutimi jashtëzakonisht interesant, një diskutimi mund të them edhe kritik sa i përket prioriteteve të Qeverisë.
Por koha na dha të drejtë në vendimet që kishim marrë në atë kohë, për rritjen e pagave për të gjitha kategoritë e shoqërisë kosovare.
Kritikët në atë kohë thanë se nëse rriten pagat, nuk do të ketë mjete dhe do të ndalet ndërtimi i autostradës së kombit.
Ne morën vendim për rritjen e pagave për të gjitha kategoritë, por edhe autostradën e përmbyllëm. Prandaj unë dëshiroj që me urtësinë e tij, politikën e tij parimore dhe punën e tij të jashtëzakonshme që e ka bërë ministri Hamza, ta falënderoj për bashkëpunimin e ngushtë me FMN-në dhe për arritjen e objektives së tij që t’i bind në prioritete tona të drejta dhe largimin e dilemave që i kishin.
Kështu që sot raporti i Kosovës me FMN-në është i shkëlqyer dhe mirëpresim mbështetjen që sot Qeveria e Kosovës po e merr nga ky institucion.
Kosova gjatë vitit 2012 ka shënuar rritje ekonomike prej rreth 4 për qind, ndërsa ka ruajtur bilancin bankar të paraparë prej 5.6% të Bruto Produktit Vjetor dhe ka realizuar të hyrat prej 27% në pajtim të plotë me Marrëveshjen me Fondin Monetar Ndërkombëtar.
Në shërbim të ruajtjes së qëndrueshmërisë buxhetore në janar ka filluar emetimi i bonove të para të thesarit me vlerë prej 74 milion euro gjatë vitit 2012.
Qeveria gjate kësaj periudhe ka arritur të definojë dhe paraqes para Kuvendit pakon me lirime doganore që kanë për qëllim t’i stimulojnë bizneset vendore sidomos ato prodhuese.
Rezultati kryesor në reformat që jemi duke ndërmarrë në fushën e përmirësimit të ambientit të biznesit janë vlerësuar nga instrumentet matëse ndërkombëtare si raporti i Bankës Botërore për Bërjen e Biznesit i cili Kosovën e rangoi për 28 pozita më lartë.
Unë dëshiroj t’i falënderoj të gjithë për këtë kontribut, edhe grupin ndër-ministror që ka punuar shumë në këtë drejtim, por një falënderim i veçantë për punën e saj të jashtëzakonshme i shkon zëvendëskryeministres dhe ministres së tregtisë dhe industrisë, zonjës Mimoza Kusari-Lila.
Reformat që janë duke vazhduar në ndërtimin e sistemit të lejeve dhe licencave dhe reduktimin e tyre në shërbim të heqjes së barrës së panevojshme për lehtësimin dhe zhvillimin e sektorit privat do të vazhdojnë edhe gjatë viteve në vazhdim.
Banka Botërore e cilësoi Kosovën si Reformatorin më Dinamik në Evropën Qendrore dhe Juglindore.
Në sektorin e infrastrukturës projektet madhore po zbatohen me sukses. Ndërtimi i Rrugës së Kombit tashmë është bërë realitet.
Ndërtimi i autostradës së dytë tashmë është planifikuar në kornizën buxhetore dhe pritet të nis gjatë vitit 2013.
Përveç kësaj edhe projektet tjera të rëndësisë nacionale në këtë sektor kanë vazhduar të zbatohen sidomos në rrugët magjistrale Prishtinë- Mitrovicë dhe Prishtinë — Pejë.
Gjatë vitit 2012 është shënuar edhe një sukses tjetër. Në Bruksel ne arritëm një marrëveshje me shtetin e Serbisë, nën ndërmjetësimin e BE-së, u pajtuam që të fillojmë ndërtimin e autostradës prej Besisë përgjatë Gollakut në drejtim të Medvegjës për të dal në korridorin evropian.
Gjithashtu do të punohet në drejtim të zgjerimit të magjistrales nga fshati Besi në drejtim të Podujevës në drejtim të Merdares.
Do të vazhdohet me financime edhe në rrafshin lokal, dhe inkurajoj ministrin Mujota që të vazhdoj punën edhe më këmbëngulësisht.
Në sektorin e energjisë investimet e deritanishme kanë siguruar përkundër sistemit të vjetër, të ofrohet një nivel optimal i furnizimit me energji elektrike.
Projekti i Termocentralit Kosova e Re është duke u zhvilluar me ngadalësime, sipas planifikimeve, sepse këto vështirësi ishin paraparë edhe më herët.
Gjatë vitit 2012 janë kryer procedurat paraprake rreth privatizimit të sistemit të shpërndarjes së energjisë elektrike, proces i cili synohet të përmbyllet gjatë gjysmës së parë të vitit të ardhshëm. Me plotësimin e kornizës ligjore dhe strategjike në fushën e minierave gjatë vitit 2012 hapet rruga për realizimin e projekteve të mëdha në këtë sektor shumë të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të vendit.
Bujqësia paraqet sektorin strategjik ku Qeveria ka vëne theks të veçantë viteve të fundit.
Buxheti për këtë sektor tash vlerësohet të jetë 2.3% të buxhetit total të Kosovës, përfshirë edhe mbështetjen buxhetore nga jashtë, nga 3% sa është synuar në planin afatmesëm deri në vitin 2014.
Rezultatet në punësim dhe prodhim nga ky sektor janë të dukshme gjatë vitit 2012. Vlerësohet se si rezultat i granteve dhe pagesave nga ana e Qeverisë prodhimtaria tek fermerët është rritur 46%, ndërsa toka shfrytëzohet për 44 % më shumë se më herët, ndërsa produktiviteti në ferma është rritur për 15-20 herë.
Masat e ndërmarra në sektorin e bujqësisë kanë përfshirë edhe harmonizimin e politikave vendore dhe standardet e Bashkimit Evropian. Në përgiithësi, përpjekjet në zhvillimin e këtij sektori synojnë zbutjen e nivelit të papunësisë në vend dhe do të vazhdojnë me ritëm të shtuar edhe gjatë viteve te ardhshme.
Edhe sa i përket zhvillimit të kapitalit njerëzor, Kosova vlerësohet se ka potencial të madh të burimeve njerëzore, prandaj edukimi dhe zhvillimi i tyre është faktori kyç që garanton zhvillimin e qëndrueshëm dhe afatgjatë ekonomik.
Pas investimeve në infrastrukturë në fushën e arsimit gjatë viteve të kaluara përqendrimi gjatë vitit 2012 ka qenë në ngritjen e cilësisë së arsimit, në kuptimin e avancimit të programeve arsimore dhe orientimin e tyre kah nevojat e tregut të punës. Vlen të theksohet botimi i Abetares së përbashkët Kosovë – Shqipëri, rritja e përfshirjes më të madhe në edukimin parashkollor, zhvillimin dhe avancimin e programeve të arsimit në të gjitha nivelet.
Dua të besoj se abetarja e përbashkët do të jetë funksionale ku do që jetojnë shqiptarët, pra edhe në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Preshevë, Mal të Zi, por edhe në diasporë.
Me rritjen e arsimit profesional Qeveria ka akredituar një numër te madh te qendrave profesionale në qendrat kryesore te Kosoves, përfshirë Prishtinën, Mitrovicën, Prizren, Gjilan, Ferizaj, Pejë, Gjakovë dhe qendra të tjera.
Ndërsa, tani Kosova nga një universitet publik që ka pasur deri më tani, ka marrë vendime si Qeveri e Kosovës, por edhe Kuvendi, të hapen qendra universitare edhe në Prizren, Universiteti Publik “Ukshin Hoti” në Prizren, gjithashtu edhe Universiteti Publik “Haxhi Zeka” në Pejë. Ndërsa, ditë më parë veç filloi ndërtimi i objektit të Universitetit të Mitrovicës, në Mitrovicë, ndërsa nga tetori I vitit të ardhshëm do të hapet Universiteti i Gjilanit, “Kadri Zeka”, por edhe universiteti tjetër në Gjakovë.
Kjo është mundësia e botës së konkurrencës, e arsimit të lartë, e modelit të ekonomisë së lirë të tregut, duke investuar ne në edukim, jemi të vëmendshëm dhe shumë të vetëdijshëm se po investojmë në zhvillimin ekonomik, në krijimin e vendeve të punës dhe një shoqërie të edukuar.
Natyrisht, këtu mund të jetë edhe diskutime të ndryshme, por edhe idetë e tjera, ne mund t’i mirëkuptojmë.
Qeveria e Kosoves do te vazhdoj me zbatimin e Kornizës Kombëtare të Kualifikimeve përmes procesit te aprovimit te Kualifikimeve dhe akreditimit te institucioneve te Arsimit dhe Aftësimit Profesional.
Ndërsa, Qeveria e Republikës së Kosovës, në kuadër të prioritetit strategjik të Qeverisjes së mirë dhe fuqizimin e sundimit të ligjit është fokusuar në këta sektorë: Drejtësi dhe luftim te korrupsionit, Rend dhe siguri publike, Reformën e Administratës publike, si dhe Liberalizimin e vizave me BE-në.
Qeveria në fushën e drejtësisë gjatë vitit 2012 theks të veçantë i ka kushtuar krijimit të kushteve për të vendosur një sistem të pavarur, efikas, dhe të paanshëm të gjyqësorit dhe sistemit prokurorial.
Ndihem tepër mirë që Qeveria e Kosovës, kemi arritur që gjithë prokurorët dhe gjyqtarëve t’ua rrisim pagat mbi 100 për qind.
Gjatë vitit Qeveria ka punuar në dy sfera kryesore për të ndihmuar punën e gjyqësorit: në krijimin e një arkitekture të mirëfilltë ligjore dhe në përcaktimin e standardeve më të larta në drejtësinë në Kosovë, gjithmonë në standardet e BE-së. Puna në bashkëpunim me EULEX-in, ka qenë e suksesshme. Është plotësuar korniza ligjore me miratimin dhe hyrjen ne fugi te Kodit Penal te Kosoves, Hartimi i ligjit për Detyrimet, Plotësimi i Ligjit për Procedurën Kontestimore dhe Ligjit për Procedurën Përmbarimore, si dhe shumë ligje të tjera.
Lehtësia me e madhe që i është bërë sistemit të drejtësisë, është fillimi i punës së Noterisë ku janë mbuluar me notere rreth 20 komuna. Luftimi i dukurisë së korrupsionit kë qenë dhe mbetet prioritet te cilit Qeveria i ka dhenë theks të veçantë.
Gjatë vitit 2012 është bërë hartimi, miratimi i kornizës strategjike dhe ligjore dhe ndërmarrja e masave konkrete kanë rezultuar me rezultate të dukshme.
Prandaj, dua të potencoj se puna që është bërë, në veçanti për përmbylljen e mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës dhe ndryshimet e nevojshme që kanë qenë nga Kuvendi i Kosovës, dëshiroj që para jush dhe gjithë popullit të Kosovës të falënderoj zëvendëskryeministrin Kuçi për punën e tij të shkëlqyeshme, që ka bërë në bashkëpunim të ngushtë me gjitha autoritet tjera ndërkombëtare, SHBA, BE dhe Grupin Drejtues Ndërkombëtarë, që të bindet në ndryshimet pozitive tona dhe në besimin që na kanë dhënë për të punuar si një vend Sovran.
Po ashtu, çështjes se Liberalizimit të vizave me BE-në, Qeveria e Republikës së Kosovës i ka kushtuar dhe do t’i kushtoje vëmendje të veçantë, duke plotësuar të gjitha kushtet e Bashkimit Evropian.
Agjenda evropiane ka qenë dhe do të mbetet një prioritet kryesor.
Falënderoj ministren Çitaku për punën që ka bërë në këtë drejtim duke u fokusuar në koordinimin e plotë të punës së të gjitha ministrive, autoriteteve lokale, duke vizituar të gjitha komunat dhe në kohë të duhur për bashkëpunimin e shkëlqyeshëm me BE-në.
Natyrisht, na vjen keq, që Kosova ka qenë kësaj radhe peng dhe viktimë e mosunitetit politik të vendeve të BE-së në agjendën e saj evropiane, por Kosova ka plotësuar kriteret dhe standardet e kërkuara dhe të nevojshme. Por, jemi optimist se në javët dhe muajt e ardhshëm, do të kemi lëvizje pozitive.
Sa i përket Reformës së Administratës Publike, Qeveria e Republikës së Kosovës do të vazhdojë me reformimin e administratës publike, përmes zbatimit të Strategjisë së rishikuar të Reformës së Administratës Publike dhe Planit të Veprimit për zbatimin e kësaj strategjie, modernizimin e administratës lokale dhe realizimin e planit për ngritjen e kapaciteteve të resurseve humane në komuna.
I nderuari z.Yagcilar, ju falënderoj shumë për punën që e keni bërë dhe e di se do të keni edhe sfida dhe ballafaqime të ardhshme, por do t’i bëjmë bashkërisht.
Gjithashtu falënderoj edhe zëvendëskryeministrin Petroviq për punën e tij që e ka bërë në nivelin komunal, por edhe të gjitha kontaktet me të gjitha autoritet ndërkombëtare për t’i bindur në sukseset e reformimit të pushtetit lokal, që ka shkuar sipas standardeve dhe kritereve të kërkuara nga ne.
Ndërsa, dua të falënderoj edhe ministrin Çeku për punën që po e bën në avancimin e FSK-së, si ushtri e ardhshme e Kosovës. Këto angazhime do t’i bëjmë bashkërisht, të koordinuara ngushtë me NATO-n, BE-në dhe SHBA-të.
Një falënderim i veçantë i shkon për punën e tij të mrekullueshme z.Makolli me diasporën kosovare, një çështje që ka qenë e munguar në aktivitetet qeveritare të mëhershme.
Edhe gjate vitit 2012 Qeveria ka vazhduar të ofroj përkujdesjen për familje në nevojë për asistence socia1e, për persona me nevoja të veçanta përfshirë mbështetjen institucionale, financiare, profesionale dhe ndihma te formave te ndryshme.
Janë ofruar beneficione përmes Skemës së Përfitimeve të Familjeve të Dëshmorëve dhe Invalidëve të Luftës —si dhe kategori tjera.
Do të zgjidhet edhe çështja e të burgosurve politik nga qershori i vitit të ardhshëm.
Qeveria ka zbatuar rritjen e pensioneve në mënyrë retroaktive për vitin 2012, ndërsa rritja e pensioneve kontribut-paguese nga 1 janari 2013 është 40 %, ndërsa Pensionet Baze dhe Pensionet e Aftësisë së Kufizuar nga 1 Janari 2013 janë rritur prej 33,3%. Miratimi i Ligjit të Shëndetësisë këtë vit i hap rrugë reformave në sistemin e shëndetësisë, ku planifikohet të ndërtohet një sistem i ri, riorganizuar dhe me një financim të qëndrueshëm.
Viti 2013 do të fillojë me planin e ri të punës së Qeverisë, i cili plan do të jetë një plan i zhvillimit ekonomik, zvogëlimit të papunësisë, fuqizimit të sundimit të ligjit.
Do të jetë vit ku Republika e Kosovës do të shënojë progres substancial në rrugën e integrimeve ne BE dhe ne NATO.
Prandaj, duke ju falënderuar për punën tuaj të shkëlqyeshme në shërbim të shtetit të Kosovës jemi të vetëdijshëm se duhet të bëjmë edhe më shumë. Presim që kjo punë e këtij koalicioni do të ndryshojë për të mirë vendin tone shtetin tone.
Ju falënderoj edhe një here dhe ju uroj festat e fundvitit dhe ju dëshiroj suksese juve personalisht, familjeve tuaja. Uroj edhe të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.
