Prishtinë, 9 tetor 2009
Deklarata e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, pas takimit me ministrin e Jashtëm të Republikës së Austrisë, Michael Spindelegger
Sot nënshkruam marrëveshjen e bashkëpunimit për zhvillimin ndërmjet qeverive, të Republikës së Kosovës dhe asaj të Austrisë.
Kjo marrëveshje do të lehtësojë dhe thellojë marrëdhëniet tona dypalëshe, sidomos në rrafshin ekonomik.
Nga kjo marrëveshje dhe nga bashkëpunimi ynë, ritheksoj kushtet më të mira për investime, pra një ambient të sigurt për investime austriaken në Republikën e Kosovës.
Në emrin tim dhe të Qeverisë së Republikës së Kosovës zotohem për vazhdimin e marrëdhënieve të mira dhe zgjerimin e marrëdhënieve me Austrinë në arsim, kulturë, ekonomie, si dhe segmente të tjera.
Si Kosovë, në tetor ne presim Raportin e Progresit dhe Studimin e Fizibilitetit për vlerësimet reale me vizion të qartë edhe me udhërrëfyesin evropian.
Republika e Kosovës ka perspektivë të sigurt evropiane dhe jemi duke ecur në hapa të sigurt drejt liberalizimit të vizave.
Jemi duke punuar edhe me vendet tjera të rajonit që të kemi perspektivë euroatlantike. Republika e Kosovës si shtet i pavarur, sovran, demokratik dhe multietnik, është e interesuar të punojë ngushtë më qeverinë austriake.
Falënderoj ministrin, por edhe gjithë Qeverinë e Austrisë për mbështetjen e plotë që i kanë dhënë Kosovës në proceset edhe të statusit, edhe tani, në zhvillimin e demokracisë, njohjeve dhe perspektivës evropiane.
Si Qeveri e Republikës së Kosovës do të vazhdojmë me qeverisje të mirë, efikase, të suksesshme, me luftë të pa kompromis ndaj dukurive negative, korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Raportet tona ndërshtetërore, por edhe miqësore vetëm sa do të thellohen.
Deklarata e ministrit të Jashtëm të Republikës së Austrisë, Michael Spindelegger, pas nënshkrimit të marrëveshjes
Sot përmes këtij nënshkrimi të marrëveshjes, do t[i thellojmë edhe më shumë raportet tona.
Rrugës për në objektin e qeverisë, pashë sa shumë është investuar dhe po investohet në Kosovë në ndërtimin e rrugëve dhe shtëpive.
Kjo më jep një kënaqësi të madhe për bashkëpunimin që ka Austria me Kosovën dhe njëkohësisht ne do ta përkrahim atë maksimalisht.
Kjo marrëveshje është nënshkruar sa i përket zhvillimit në përgjithësi, si dhe bashkëpunimit të Austrisë me Kosovën në çështje të ndryshme. Njëkohësisht do t’i jepet një draftpropozim i marrëveshjes sa i përket investimeve në Kosovë, që dëshiron t[i bëjë Austria.
Diskutuam edhe për integrimin e Kosovës në BE dhe normalisht që ne do të jemi gjithnjë për ta përkrahur atë.
