Prishtinë, 13.08.2009
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi në hapjen e mbledhjes së sotme, njoftoi kabinetin qeveritar me takimin dhe bisedat që sot para dite së bashku me presidentin Sejdiu kishin zhvilluar me sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Anders Fog Rasmussen i cili po qëndron për një vizitë zyrtare në Kosovë.
Mbajtja e zgjedhjeve lokale ka qenë një temë tjetër për të cilën, kryeministri Thaçi ka pohuar se Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar që të plotësojë të gjitha kushtet për organizimin e tyre.
“Sytë e gjithë botës janë drejtuar nga ne që të shohin se si do t’i organizojmë dhe menaxhojmë zgjedhjet e para në Kosovën e pavarur”, theksoi z. Thaçi, duke shtuar se Republika e Kosovës do të jetë model i organizimit të zgjedhjeve lokale, të lira, demokratike dhe të ndershme.
Në këtë frymë, sot Qeveria ka miratuar kërkesën e KQZ-së që për shkak të angazhimeve gjatë kohës së mbajtjes së zgjedhjeve lokale këtë vit, 70 zyrtarëve të saj t`iu ndahen shtesa në vlerë prej 200 Euro, për periudhën 1 korrik 2009, deri më 31 dhjetor 2009.
Qeveria në vazhdim ka miratuar Projekt rregulloren për Agjencinë për Koordinimin e Zhvillimit dhe Integrimit Evropian. Rregullorja përcakton përgjegjësitë dhe funksionet e Agjencisë. Me qëllim të bartjes së kompetencave të kësaj fushe të rëndësishme për të ardhmen e Kosovës në Bashkimin Evropian, si dhe bartjen e kompetencave tek autoritetet vendore të Republikës së Kosovës.
Po sot, është miratuar edhe Plani i Veprimit për vitin 2009 lidhur me Implementimin e Partneritetit Evropian për Kosovën. Duke kërkuar nga Qeveria që ta miratojë PVPE 2009, kryeministri Hashim Thaçi ka thënë se Kosova ka një plan të avancuar për ndërmarrjen e reformave të brendshme institucionale dhe sektoriale, në të cilat prioritetet e Komisionit Evropian shërbejnë si rekomandime dhe udhëzime për identifikimin e sektorëve prioritar që duhen përmirësuar gjatë periudhës në vazhdim.
Duke iu përgjigjur shqetësimeve për fenomenin e vetëvrasjeve, Qeveria sot ka diskutuar dhe i ka dhënë përkrahje iniciativës së Zyrës së Kryeministrit për hartimin e Programit dhe Planit të Veprimit të Qeverisë së Kosovës për Parandalimin e Vetëvrasjeve dhe Vetë-dëmtimit në Kosovë.
Qeveria e Republikës së Kosovës me këtë dokument synon të arrijë standardet ndërkombëtare drejtë mbrojtjes dhe respektimit të të drejtave të qytetarëve e në veçanti të rinjve. Zyra e Kryeministrit/Zyra për Qeverisje të Mirë, me anë të këtij Vendimi obligohet të koordinojë procesin e hartimit të këtij dokumenti.
Qeveria ka plotësuar vendimin nga mbledhja e kaluar për blerjen e objekteve për ambasadat e Republikës së Kosovës. Listës së blerjes së ambasadave do t’i shtohet edhe blerja e objektit për ambasadën në Republikën Federale të Gjermanisë.
