Prishtinë, 06 nëntor 2009
Nën drejtimin e kryeministrit Hashim Thaçi është mbajtur sot mbledhja e 92-të e Qeverisë së Republikës së Kosovës. Në hapje z. Thaçi ka falënderuar kabinetin e tij për përkushtimin ndaj prioriteteve të Qeverisë. Ndër prioritetet e Qeverisës së Republikës së Kosovës, kryeministri ka veçuar angazhimet për integrimet evropiane dhe vlerësimit të plotë të raportit të progresit nga KE, që është një vlerësim real, i prezantimit të të arriturave të shtetit të Kosovës, të sfidave që kemi përpara dhe perspektivës së sigurt evropiane, në veçanti për liberalizimin e vizave, për marrëdhëniet tregtare por edh për dialogun për asocim stabilizim.
“Reforma e plotë në administratën publike, thellimi i reformave në politikë, ekonomi dhe legjislacion, reforma e sistemit gjyqësor, luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar vazhdojnë të mbesin si top-agjendë e Qeverisës së Republikës së Kosovës dhe të gjitha institucioneve të Kosovës, pra edhe atyre lokale”, tha kryeministri Thaçi.
Duke folur për zgjedhjet lokale të 15 nëntorit, kryeministri Thaçi ka përgëzuar të gjitha partitë politike për fushatën e tyre të qetë e demokratike, të konkurrencës së vlerave, që është mesazhi më i mirë për qytetarët e vendit, për botën demokratike. Është një fushatë model për rajonin. Ne do të vazhdojmë si qeveri t’i japim mbështetje të plotë gjithëpërfshirëse KQZ-së.
Qeveria sot ka miratuar Raportin e shpenzimeve të Thesarit për nëntëmujorin e vitit 2009. Duke u bazuar në Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë, Ministria e Ekonomisë dhe Financave, respektivisht Departamenti i Thesarit ka hartuar raportin lidhur me shpenzimet për nëntëmujorin e vitit 2009.
Ministri Ahmet Shala tha se pa marrë parasysh krizën ekonomike, Qeveria e Republikës së Kosovës ka arritur objektivat e veta në këta nëntëmujor. Performancat e të dy institucioneve grumbulluese pra Administrata Tatimore dhe Doganat, kanë kaluar planin e tyre të grumbullimit. Doganat 6 për qind, ndërsa AT për 5.2 për qind.
Po ashtu sot është bërë funksionalizimi i Zyrës për Planifikimin Strategjik në kuadër të Zyrës së Kryeministrit. Me këtë -vendim Njësia për Planifikim Strategjik, e themeluar me vendimin Nr. 06/77, të datës 10.08.2009, shndërrohet në Zyrën për Planifikim Strategjik, e cila do të funksionojë në kuadër të Zyrës së Kryeministrit. Zyra e këshillon Kryeministrin dhe Qeverinë në identifikimin e prioriteteve; jep këshilla mbi çështje strategjike të politikave; siguron pajtueshmërinë e dokumenteve strategjike dhe planifikuese me prioritetet e Qeverisë dhe ndërlidhjen mes tyre; merret me obligimet që dalin nga procesi i integrimit evropian dhe obligimet tjera ndërkombëtare, si dhe ndihmon në krijimin e mekanizmave për koordinim të politikave në kuadër të ministrive.
Në bazë të rekomandimeve të komisionit intervistues Qeveria ka propozuar për anëtar të Komisionit për Hetimin e Aksidenteve dhe Incidenteve Aeronautike, z. Avdi Shala. Meqenëse kryesuesi i Komisionit për Hetimin e Aksidenteve dhe Incidenteve Aeronautike ka dhënë dorëheqje, ky komision plotësohet me një anëtar në mënyrë që të jetë funksional.
Në bazë të kërkesës së Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH)
Qeveria ka marrë vendim për transferim të mjeteve nga programi i fshatit Hade në projekte tjera kapitale. Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka kërkuar nga Ministria e Ekonomisë dhe Financave që t`iu lejohet transferi i mjeteve financiare në shumën prej 659.500 euro, nga programi i “Fshatit Hade” në disa projekte tjera kapitale.
Ministri i Punëve të Brendshme, Zenun Pajaziti ka njoftuar kabinetin qeveritar lidhur me Strategjinë dhe Planin e Veprimit për kontrollin dhe Grumbullimin e Armëve të Vogla dhe të Lehta , hartuar nga MPB. Strategjia e Kosovës për Kontroll të Armëve të Vogla, është hartuar në fund të vitit 2007 dhe është miratuar nga Qeveria më 24 prill 2008. Kjo strategji për kontroll të Armëve të Vogla është bazuar në standardet regjionale të mikro-çarmatimit të zhvilluara nga qendra për kontroll të armëve të vogla dhe të lehta për Evropën lindore dhe juglindore.
Qeveria sot ka miratuar propozimin e ministrit të Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, Enver Hoxhaj për akreditimin e programeve të studimeve master për disa kolegje.
Duke u bazuar në rekomandimet e Këshillit Kombëtar të Cilësisë të Agjencionit Kosovar për Akreditim, Qeveria e Republikës së Kosovës në mbledhjen e sotme mori vendim që të akreditohen dhe licencohen programe Master për disa kolegje. Akreditimi dhe licenca kanë fuqi ligjore vetëm për vitin akademik 2009/2010.
