Deklaratë e kryeministrit Hashim Thaçi, në mbledhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës, me rastin e publikimit të Raportit të Progresit nga Komisioni Evropian
Prishtinë, 8 tetor 2014
Të nderuar të pranishëm,
Zëvendëskryeministra,
Ministra,
Kabinet qeveritar
Më lejoni që fillimisht në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës të përshëndes raportin e Komisionit Evropian, që u publikua sot.
Pra, sot Komisioni Evropian publikoi Strategjinë e Zgjerimit dhe Raportin e Progresit 2014 në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.
Unë, së bashku me zëvendësministrin e Integrimeve kemi pranuar sot nga z.Zbogar këtë raport.
Sa i përket Kosovës, Raporti konfirmoi progresin e arritur në përmbylljen e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit dhe progresin drejt përmbylljes së procesit të liberalizimit të vizave.
Këto dy procese tani më janë të konsoliduar dhe formësuar fuqimisht në agjendën evropiane të Republikës së Kosovës.
Sot, ne jemi para një fillimi të ri për Republikën e Kosovës, një epokë e re, një epokë e integrimit Evropian.
Arritja e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, përbën një momentum historik, në kuadër të historisë moderne të Kosovës.
Kemi filluar procesin zyrtar që shpi drejt anëtarësimit të Kosovës në Bashkim Evropian, moment i cili largon çdo dyshim dhe vulos përcaktimin strategjik të shtetit tonë për të qenë anëtare e Bashkimit Evropian.
Sa i përket procesit të liberalizimit të vizave, raporti i sotëm konfirmoi progresin e arritur në plotësimin e të gjitha kritereve të udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave.
Konsideroj që tani kemi hyrë në fazën finale të procesit të liberalizimit të vizave dhe dëshiroj të shprehi fuqimisht përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për të adresuar të gjitha rekomandimet e mbetura, brenda disa muajve të ardhshëm.
Njëkohësisht, dëshiroj të shpreh falënderimin tim më të sinqertë për të gjithë spektrin politik kosovar, në nivel qendror dhe lokal, për kontributin dhe përkrahjen e tyre në kuadër të procesit të integrimit Evropian.
Konsideroj që konsensusi politik për procesin e integrimit Evropian të Kosovës është një vlerë e shoqërisë tonë të cilën duhet të ruajmë të gjithë.
Sot, Qeveria e Kosovës mirëpret publikimin e Raportit të Progresit dhe vlerëson që raporti paraqet gjendjen reale dhe faktike të zhvillimeve një vjeçare në vendin tonë duke evidentuar të arriturat dhe sfidat e të gjitha institucioneve shtetërore.
Viti 2014 ka qenë vit zgjedhor me ç ‘rast në qershor u mbajtën zgjedhjet e përgjithshme nacionale.
Kosova tregoi që din dhe mund të organizojë zgjedhjet fer, të lira dhe demokratike.
Partitë politike dëshmuan përkushtimin e tyre për zgjedhjet fer dhe të lira, të bazuara në idetë dhe parimet e konkurrencës demokratike, ndërsa Komisioni Qendror Zgjedhor demonstroi kapacitetet profesionale për të organizuar zgjedhjet kualitative. Po ashtu, institucionet e sundimit të ligjit dëshmuan efikasitetin e tyre për të sjellë para drejtësisë çdo individ që ka tentuar të keqpërdorë vullnetin e sovranit.
Procesi pasues i konstituimit të institucioneve ka lënë Kosovën për një kohë të gjatë pa themelimin e institucioneve të reja që është dashur të konstituohen shpejtë dhe, natyrisht që një gjendje e tillë ka ndikuar në zhvillimet e përgjithshme shoqërore në Kosovë gjatë pjesës së dytë vitit.
Njëkohësisht, shpresoj që publikimi i sotëm i Raportit të Progresit ka bërë të qartë të gjitha partive politike nevojën për themelimin sa më të shpejtë të institucioneve të vendit.
Sidoqoftë, në fund unë si kryeministër i Qeverisë së Republikës së Kosovës, kërkoj nga secili ministër që të analizojë Raportin e Progresit, sipas kompetencave respektive dhe të sigurojë që të gjitha rekomandimet e Raportit të adresohen në kuadër të planifikimeve për vitin 2015.
Po ashtu, ministria e Integrimit Evropian që nga sot ka filluar analizimin e Raportit të Progresit dhe do të jetë në kontakt me të gjitha ministritë e linjës për të dizajnuar një plan gjithëpërfshirës për zbatimin e rekomandimeve të Raportit të Progresit.
Ju faleminderit për vëmendje dhe për angazhimin tuaj.
