Prishtinë, 3 shtator 2009
Fjala e kryeministrit Hashim Thaçi, në Mbledhjen e 80-të të Qeverisë së Kosovës, në të cilën janë miratuar rekomandimet e Komitetit Ndërministrorë për Ndërtimin e Autostradës Vërmicë-Prizren-Prishtinë-Merdarë.
Dëshiroj ta falënderoj ekipin ndërministror për punë që e ka bërë dhe për respektimin e plotë të vendimit të Qeverisë që ky proces të ecë sa më shpejt që është e mundur. Është shumë me rëndësi që është përgatitur edhe kuadri ligjor për këtë projekt, sa i përket shpronësimit, ndërtimit të rrugëve, kushteve të ambientit, të sigurisë, koncesionit, punësimit etj.
Grafikoni i procesit që është paraparë për realizimin e projektit, mendoj se përputhet plotësisht me respektimin e plotë të afateve ligjore por edhe të angazhimeve tona qeveritare. Qeveria e Republikës së Kosovës me këshillat dhe rekomandimet e kompanisë këshilluese angleze EVERSHEDS, ka bërë përzgjedhjen e listës së ngushtë të kompanive të njohura për fillimin dhe përfundimin e autostradës Vërmicë – Prizren – Prishtinë – Merdarë, që do të ketë efektin e jashtëzakonshëm për qarkullimin e lirë dhe të shpejtë për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe për qarkullimin e lirë e të shpejtë të mallrave.
Tani më mund të them lirisht se, nga një ëndërr e qytetarëve tanë, Qeveria e Republikës së Kosovës po e shndërron në realitet projektin e autostradës Morinë – Prizren – Prishtinë – Merdarë. Duke u mbështetur në kapacitetet tona dhe me asistencën teknike ndërkombëtare, së bashku me një ekip të fortë dhe të plotë me eksperiencë specifike sipas kërkesave tona, kemi bindjen e plotë se do të kemi sukses.
Ky është projekti më kapital dhe më i rëndësishëm për shtetin tonë të ri. Autostrada Vërmicë – Prizren – Prishtinë – Merdarë, do të ketë efektin e vet të jashtëzakonshëm për avancimin ekonomik të zhvillimit të Kosovës. Kjo autostradë përveç ndërlidhjes me bregdetin dhe daljen në ujërat e Adriatikut do të ketë efekte jashtëzakonshme në plan afatshkurtër dhe afatgjatë për Kosovën, por edhe për rajonin. Në planin afatshkurtër do të punësohen mbi 3 mijë veta, duke përdorur të gjitha kapacitetet njerëzore dhe profesionale të vendit tonë.
Kjo autostradë do të ketë ndikim të ndjeshëm edhe në rritjen e GDP-së në Republikën e Kosovës. Ndërkohë që në planin afatgjatë kjo auto-rrugë do të kursejë kohën e udhëtimit të gjithë neve, gjithë qytetarëve të Kosovës. Kjo autostradë do ta modernizojë trafikun dhe qarkullimin e njerëzve dhe të mallrave.
Dua t’i siguroj qytetarët e Kosovës, në emër të Qeverisë, se së bashku të gjithë ne do të jemi përfituesit më të mëdhenj nga realizimi i këtij projekti. Ndërtimi i rrugës do të marrë parasysh pronësinë e të gjithë qytetarëve. Gjithashtu po planifikojmë edhe një strategji se si do t’i rrisim përfitimet tregtare dhe ato në turizëm, nga realizimi i këtij projekti. Qytetarët e Republikës së Kosovës i garantoj se paratë e taksapaguesve do të përdoren në mënyrën më të mirë për një zhvillim dhe të ardhme të ndritur për të gjithë qytetarët tanë.
Për implementimin e projektit janë kualifikuar, kompanitë më të fuqishme në botë. Kjo duhet të gjithë neve të na bëjë krenarë, dhe të na stimulojë edhe më shumë për punë më të mirë. Kjo tregon se i gjithë procesi ka qenë profesional dhe i standardeve të larta. Ky fakt, pra, i konkurrimit, por edhe i përzgjedhjes së kompanive më të fuqishme në botë për ndërtimin e kësaj autostrade, u jep një siguri edhe më të madhe edhe institucioneve, por edhe të gjithë qytetarëve të Kosovës për punën e mirë që po bëhet në Kosovë vetëm një vit e gjysmë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
Qeveria e Republikës së Kosovës ka krijuar siguri dhe ambient të përshtatshëm për ardhjen e investitorëve të fuqishëm të botës. Kjo nënkupton se Kosova si shtet i ri është vendi i mundësive të mëdha, i sigurisë së madhe, një ambient i respektuar. Kosova do të jetë, lirisht mund të them, shumë shpejt, e para në rajon sa i përket ndërtimit dhe modernizimit të infrastrukturës rrugore.
Qeveria e Kosovës do të garanton transparencë të plotë për të gjithë procesin e ndërtimit të autostradës. Gjithçka do të shkojë sipas planit, agjendës, si edhe të këshillave dhe rekomandimeve të partnerëve tanë ndërkombëtarë. Buxheti i Kosovës është ky si është, por do të ketë një shpenzim maksimalisht të drejtë dhe kursim maksimal, në mënyrë që çdo cent i taksapaguesve kosovarë të investohet në projektet më të qëlluara për qytetarët e Kosovës.
