Kryeministri Thaçi: Qeveria e Republikës së Kosovës do të vazhdojë të ketë në vëmendje të veçantë sektorin elektroenergjetik, sidomos sistemin e bartjes


Image


Image


Image


Image


Image

Prishtinë, 17 nëntor 2009

Në vazhdim po e japim të plotë fjalën e kryeministrit Thaçi:

I nderuar Ambasador i Gjermanisë në Kosovë, z.Steinbach,
E nderuara ministre Pula,
Të nderuar pjesëmarrës,
Autoritete komunale dhe
Të gjithë ju mbështetës të këtij projekti madhor

Një vit më parë u përurua fillimi i punimeve për ndërtimin e Nënstacionit Peja 3 dhe tani po e inaugurojmë përfundimin e këtij projekti madhor Brenda një periudhe shumë të shkurtër.

Kjo është një tjetër dëshmi shumë e qartë e angazhimit të dy qeverive tona, të Qeverisë gjermane dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Kjo është pjesë e programit të Qeverisë, angazhimeve për të përmirësuar sa më shpejt e më mirë sistemin elektrik të bartjes.

Ky është angazhim për furnizim të plotë me energji elektrike për gjithë qytetarët e Kosovës.

Dëshiroj ta falënderoj ambasadorin gjerman në Prishtinë dhe nëpërmjet tij, Qeverinë gjermane, që na mbështetën në realizimin e këtij projekti.

Ky Projekt është i rëndësishëm dhe u bashkëfinancua me 11.5 milionë euro nga Banka Kreditore për Rindërtim dhe me 4.7 milionë euro nga Qeveria, për ndërtimin e këtij Nënstacioni të rëndësishëm për sistemin e bartjes së energjisë elektrike.

E falënderoj edhe kompaninë gjermane, zbatuese të projektit për cilësinë e saj të punës dhe zbatimin me kohë të projektit.

Qeveria e Republikës së Kosovës do të vazhdojë të ketë në vëmendje të veçantë sektorin elektroenergjetik, sidomos sistemin e bartjes.

Kapacitetet gjeneruese dhe bartëse të energjisë do të rriten edhe më shumë.

Ndihma financiare dhe përkrahja e Gjermanisë ka qenë jashtëzakonisht e konsiderueshme dhe vlerësuar lartë.

Kjo ndihmë është më e larta që Kosova përfiton nga komuniteti i shteteve mike, por të kemi parasysh edhe pjesën e Gjermanisë në paketën e ndihmës nga Komisioni Evropian.

Ndihma ekonomike gjermane në kuadër të bashkëpunimit teknik dhe financiar gjatë periudhës 1999-2009, arrin në 322 milionë euro.

Vetëm në kuadër të bashkëpunimit dypalësh për vitin 2009, Qeveria gjermane angazhoi 42 milionë euro.

Kosova ka qenë dhe do të jetë shumë mirënjohëse për këtë mbështetje.

Sektori i energjisë ka qenë gjithnjë në vëmendjen prioritare të bashkëpunimit të dy shteteve tona.

Gjatë periudhës 1999 – 1008, Gjermania e ka mbështetur sektorin energjetik me mbi 67 milionë euro.

Besoj fuqishëm se kjo mbështetje do të vazhdojë edhe në të ardhmen dhe për këtë jemi shumë mirënjohës.

Ministria e Energjetikës, KOST-i, do të jenë të angazhuara dhe proaktive për identifikimin dhe përgatitjen e projekteve të përbashkëta me Bankën Kreditore për Rindërtim.

Edhe njëherë falënderoj ambasadorin gjerman dhe përmes tij, Qeverinë gjermane, për ndihmën e madhe që Qeveria dhe populli gjerman I dhanë shtetit dhe popullit të Kosovës.

Unë uroj rajonin e Istogut dhe rajonet tjera që përfshinë, falënderoj KOST-in, KEK-un dhe gjithë qytetarët e Kosovës për këtë vepër të rëndësishme, për përmirësimin e furnizimit me energji elektrike.

Është jashtëzakonisht e rëndësishme të theksoj se që nga viti 2007 është rritur edhe prodhimi dhe të gjitha angazhimet tjera të rëndësishme në sektorin e energjisë, edhe furnizimi në rreth 30 për qind.

Mendoj se këta janë vetëm hapat e parë jashtëzakonisht të rëndësishëm, e besoj në suksesin e plotë.

Ju faleminderit!

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors