Fjala e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi në takimin e Këshillit Ndërministror për pyetësorin për Marrëdhënie Tregtare me Bashkimin Evropian
Prishtinë, 7 prill 2010
Të nderuar zëvendëskryeministra,
Të nderuar ministra,
Procesi i integrimeve vazhdon të jetë synim, por edhe sfidë dhe prioritet i Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Me marrjen e pyetësorit, i kemi edhe rezultatet konkrete të rrugës së integrimeve. Kjo mundësi është dhënë nga shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, është unike, pa dallim dhe është për admirim, por në të njëjtën kohë është edhe përgjegjësi për ne si shtet që të përgjigjemi konkretisht këtij procesi.
Integrimi në Bashkim Evropian ka qenë, është dhe do të mbetet një sfidë jashtëzakonisht e rëndësishme, qëllim yni dhe natyrisht se kërkon përgjegjësi, kohë, përkushtim dhe angazhim të gjithanshëm.
Në këtë drejtim ne kemi përkushtimin tonë të plotë, por edhe mbështetjen e plotë të Bashkimit Evropian dhe gjithë botës demokratike.
Kërkohet angazhim i plotë, serioz dhe profesional, përkushtim i plotë i politikës gjithë kosovare, sepse është qëllimi i të gjithëve, i politikës, institucioneve kosovare dhe i gjithë qytetarëve të vendit, pa dallim etnie.
Në këtë proces që do të udhëhiqet nga Qeveria e Republikës së Kosovës, me përgjegjësi do të angazhohen të gjithë akterët dhe potenciali i vendit tonë, të gjitha institucionet në nivel qendror, por edhe lokal.
Falënderoj mediet për vëzhgimin dhe përcjelljen e këtij procesi, shoqërinë civile, por edhe angazhimin e opozitës kosovare.
Përgjigja në pyetësorin është një mundësi jona, por edhe një përgjegjësi shtesë, kësaj radhe në pyetësorin për marrëdhënie tregtare me Bashkimin Evropian.
Falënderoj përkushtimin e ministrit Zharku, stafit tuaj dhe gjithë Grupit Ndërministror apo Qeveritar, por edhe idetë që kanë ardhur edhe nga shoqëria civile.
Drafti i përgjigjeve që i kemi bërë sot, një javë para aftit zyrtar, tregon seriozitetin e Qeverisë së Kosovës, të ministrive përkatëse, të ministrit Zharku, gjithë ekipit që ka punuar.
Në ditët në vijim kërkohet që të punohet bashkërisht, me një angazhim maksimal dhe gjithë potenciali tjetër shtesë, në mënyrë që edhe zyrtarisht të dorëzojmë pyetësorin në mënyrën më të plotë, profesionale të mundshme.
Në këtë drejtim duhet të finalizohen konsultat me Komisionin Evropian dhe ekspertët e tyre.
Kam zhvilluar takime me përfaqësues të Komisionit Evropian dhe këto takime do të përmbyllen dhe është mjaft inkurajuese edhe mbështetja e tyre.
Dua që të vazhdohet të shfrytëzohet çdo potencial yni, i shtetit tonë, i ekspertëve tanë që kemi, që përgjigjet tona të jenë profesionale, të pranueshme, që mundëson vazhdimin e mëtejmë në këtë proces, pastaj, pas përgjigjes në këtë pyetësor, të fillojmë me pyetësorin tjetër që do të na dorëzohet neve për liberalizimin e vizave për gjithë qytetarët e Kosovës.
Ju ftoj që të jeni të angazhuar të gjithë, me përgjegjësi më të lartë shtetërore.
Ju faleminderit!
