Prishtinë, 15 dhjetor 2009
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi priti sot në takim admiralin Mark Fitzgerald, komandant i Forcave të Përbashkëta të NATO-s, me seli në Napoli. Në takim ka marrë pjesë edhe komandanti i KFOR-it, gjenerali Markus Bentler. Në takim është diskutuar situata e përgjithshme në Kosovë dhe posaçërisht situata e sigurisë.
Kryeministri Thaçi ka njoftuar admiralin Mark Fitzgerald për zhvillimet më të reja dhe shumë pozitive në Republikën e Kosovës si dhe për mbajtjen e zgjedhjeve me sukses të jashtëzakonshëm dhe arritjen e standardit shumë të lartë, standardin perëndimor në organizimin e zgjedhjeve fer, të lira dhe demokratike, me një pjesëmarrje masive.
“Tash pas këtij suksesi ka mbetur që të angazhohemi maksimalisht dhe të vazhdojmë implementimin e dokumentit të presidentit Ahtisaari për formimin e katër komunave të reja mbi bazën e këtyre zgjedhjeve ku kanë marr pjesë edhe serbët”, ka thënë kryeministri Hashim Thaçi.
Në takim po ashtu është diskutuar edhe për rolin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, dhe angazhimeve që duhet ta ketë në të ardhmen .
Kryeministri Thaçi ka falënderuar NATO-n, si dhe trupat e KFOR-it në Kosovë, për punën jashtëzakonisht pozitive që janë duke e bërë në Kosovë në shërbim të paqes, stabilitetit dhe bashkëpunimit.
Më tutje kryeministri Thaçi ka thënë se jemi në përmbyllje edhe të një viti shumë të suksesshëm për Republikën e Kosovës, për qytetarët e saj dhe ky është rezultat i angazhimeve të përbashkëta të institucioneve të Kosovës dhe të gjitha autoriteteve ndërkombëtare, por para së gjithash me KFOR-in, ICO-n dhe me EULEX-in.
Në pyetjen lidhur me reduktimi i trupave të KFOR-it në Kosovë, kryeministri Thaçi tha se kjo çështje duhet shikuar si shenjë e paqes, stabilitetit, sigurisë, por edhe forcim dhe konsolidim i institucioneve të sigurisë në Republikën e Kosovës. Roli i Forcës së Sigurisë së Kosovës është i përcaktuar qartë me Kushtetutën e Kosovës dhe në Dokumentin e presidentit Ahtisaari dhe angazhimet tjera që kemi pasur.
