Kryeministri Thaçi pret homologun e tij shqiptar, kryeministrin Berisha: Do të vazhdojmë përkushtimet tona të përbashkëta, që ndërlidhen drejtpërdrejt me integrimet euroatlantike


Image


Image


Image


Image


Image


Image


Image


Image


Image


Image

Prishtinë, 6 tetor 2009 

Kryeministri Thaçi dhe kryeministri Berisha kanë nënshkruar Marrëveshjen për lëvizje të ndërsjellë të shtetasve, duke përfshirë Protokollin e qarkullimit në zonat kufitare, ndërsa Marrëveshjen në fushën e doganave; Marrëveshjen e bashkëpunimit policor ndërkufitar; Marrëveshjen e ripranimit të personave më qëndrim të paligjshëm dhe Marrëveshjen e bashkëpunimit të administratës lokale, i kanë nënshkruar ministrat përkatës të dy qeverive.

Në vazhdim po e japim të plotë fjalën e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi në konferencën për media, pas nënshkrimit të marrëveshjeve ndërshtetërore 

Jam i privilegjuar dhe emocionalisht i prekur thellë nga ndjenja e respektit për vizitën tuaj, për vizitën e mikut tim, kryeministrit të Shqipërisë, z.Sali Berisha.  

Ka shumë arsye të  ndjehem kështu. Së pari, të takoj homologun tim nga Shqipëria si kryeministër i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Kosovës shtet i pavarur, sovran, demokratik dhe multietnik, me vizion të qartë për integrim në NATO dhe Bashkim Evropian. 

Kjo periudhë ka qenë  jashtëzakonisht e rëndësishme edhe për Shqipërinë edhe për Kosovën. 

Vizita e kryeministrit të  Shqipërisë, z.Berisha, është vizita e parë në Kosovën e pavarur, prandaj, i nderuari kryeministër, mirë se keni ardhur në Kosovën e pavarur. Institucionet legjitime të Kosovës të mirëpresin, populli të mirëpret. 

Sot prita dhe Kosova pret arkitektin e ndryshimeve në Shqipëri, kryeministrin Sali Berisha, realizuesin e projektit të ëndrrave të qytetarëve, të shqiptarëve, në ndërtimin e autostradës Durrës – Morinë.

I nderuari kryeministër, 

Kam kënaqësinë t’ju informoj se edhe ne tanimë nuk po numërojmë muajt apo vitet, por po numërojmë ditët kur do të fillojmë në realizimin e projektit dhe gjithashtu ëndrrën e qytetarëve të Republikës së Kosovës për ndërtimin e autostradës Morinë – Prizren – Prishtinë. 

Unë dua të besoj fuqishëm dhe ju ftoj qysh sot, që, siç e kishim përqafimin e ngrohtë në tunelin e Kalimashit, besoj që do ta kemi përqafimin e ngrohtë në ambient të hapur në Morinë, buzë bjeshkëve të Pashtrikut për vazhdimin e autostradës në drejtim të Morinës, Prizrenit dhe Prishtinës. 

Sot, prita edhe jetësuesin e integrimit të Shqipërisë në NATO, kryeministrin Sali Berisha, kontribuuesin e madh për pavarësinë e Kosovës dhe në shenjë mirënjohje dhe respekti, presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu do ta çmojë dhe do ta vlerësojë lartë me çmimin për Pavarësi në mënyrë meritore. 

I nderuari kryeministër Berisha,  

Më lejoni t’ju falënderoj personalisht për gjithë kontributin tuaj personal, të qeverisë suaj, të politikës së Tiranës, në mbështetje të forcimit të shtetit të Kosovës.

Ne po ndërtojmë shtet demokratik, me institucione funksionale, me demokraci të re, por të zhvilluar, të kultivuar, me respektimin në kuptimin më afirmativ të mundshëm të minoritarëve. 

Tani më jemi në  prag të organizimit të zgjedhjeve të para të  lira në Kosovën e pavarur. Është mjaft inkurajues certifikimi i shumë subjekteve minoritare dhe unë dua të besoj fuqishëm dhe po punojmë që edhe këtë provim të rëndësishëm, të parë jashtëzakonisht kuptimplotë, Kosova, partitë politike, institucionet, qytetarët, ta kalojmë me sukses të plotë. 

Së shpejti presim edhe Raportin e Progresit nga Komisioni Evropian për Kosovën, por dhe Studimin e Fizibilitetit. 

Kemi besim të plotë  se Kosova do ta fitojë në mënyrë meritore Udhërrëfyesin Evropian për integrime, udhërrëfyes ky, me të cilin do të ballafaqohemi me shumë sfida, por me përgjegjësi të lartë shtetërore për të implementuar të gjitha kriteret e nevojshme për një vend demokratik, kritere demokratike edhe në politikë, legjislacion dhe ekonomi. 

I nderuari Kryeministër, 

Tani më shteti i Kosovës po konsolidohet. Tani jemi pjesë edhe e Fondit Monetar Ndërkombëtar edhe Bankës Botërore dhe së shpejti do të jemi pjesë edhe e Bankës Evropiane për Zhvillim dhe Rindërtim. 

Raportet ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, janë raporte vëllazërore. Ky bashkëpunim i shkëlqyer mes dy qeverive tona është duke u thelluar çdo ditë në vazhdimësi dhe si rrjedhojë e këtij përkushtimi dy qeveritë tona, sot, nënshkruan Marrëveshje për lëvizje të ndërsjellë të shtetasve, Protokollin për qarkullimin në zonat kufitare; Marrëveshjen në fushën e doganave; Marrëveshjen e bashkëpunimit policor ndërkufitar; Marrëveshjen e ripranimit të personave më qëndrim të paligjshëm dhe Marrëveshjen e bashkëpunimit të administratës lokale. 

Këto marrëveshje rregullojnë  bashkëpunimin ndërshtetëror në fushat përkatëse, duke vendosur rregullat, të cilat do të respektohen nga shtetet tona. 

Ne do të vazhdojmë  të kemi bashkëpunim shumë të avancuar. Ne si institucione të Kosovës i kemi edhe këshillat, rekomandimet, ndihmesën e pakursyer dhe shumë dobiprurëse edhe prej komunitetit ndërkombëtar. Kemi bashkëpunim shumë të ngushtë me ICO, EULEX-in dhe KFOR-in. Jemi duke ndërtuar raporte të shkëlqyeshme me gjitha vendet fqinje, edhe me Maqedoninë, Malin e Zi dhe vullneti është i mirë nga ana jonë në raport ndërshtetëror edhe me Serbinë.  

Prandaj, kam kënaqësinë  për këtë mikpritje, të cilën e organizoi populli i Kosovës, institucionet e saj për ju, i nderuari kryeministër. 

Ne do të vazhdojmë  përkushtimet tona të përbashkëta, përkushtime këto që  ndërlidhen drejtpërdrejt me integrimet euroatlantike dhe angazhimeve të ndërtimit të shteteve tona.

Në vazhdim po e japim të plotë fjalën e kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, Sali Berisha, pas takimit me kryeministrin e Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi 

I nderuari kryeministër Thaçi,

Edhe njëherë duhet të  shpreh mirënjohjen më të thellë, respektin tim më të madh për rolin dhe kontributin tuaj thelbësor në çlirimin e Kosovës, në shpalljen e pavarësisë së Kosovës, në udhëheqjen e Qeverisë së Kosovës në një nga periudhat më historike për Kosovën.

Ju falënderoj përzemërsisht për pritjen vëllazërore, por kam kënaqësinë time të marr dhe gazimin e veçantë. Kosova ka shënuar arritjet të mëdha kombëtare dhe ndërkombëtare më shumë se çdo vend tjetër në historinë e re. Dhe, kjo është një meritë e jashtëzakonshme e udhëheqjes politike të Kosovës, e forcave politike dhe qytetarëve të Kosovës.

Ajo çka më impresionon, në sensin pozitiv, është fakti se si luftëtarët e lirisë  po ndërtojnë me përkushtimin më të madh gjërat për të cilat ata luftuan.

Në 20 muaj këtu në  Kosovë janë vendosur disa standarde, të cilat do t’i kenë lakmi të gjitha vendet tjera.

Këtu po vendosen standardet më të gjera të respektimit të pakicave dhe unë  jam i bindur se ky është një kontribut i madh i Kosovës për paqen dhe stabilitetin në rajon, por edhe një shembull i shkëlqyer në një nga fushat me sensitive.

Në Kosovë po konsolidohet një sistem decentralizimi ndër më të mirët, ndër më të gjerët, i cili do të prodhojë stabilitet dhe zhvillim dhe është një nga themelet e çdo demokracie.  

Më vjen shumë mirë që janë krijuar komunat e reja, jashtëzakonisht pozitive dhe unë jam i bindur që Qeveria do të jap të gjitha përgjegjësitë dhe kompetencat e rëndësishme, që qytetarët të ndjehen të lirë dhe të sigurt, si deh të kenë sa më afër qeverinë e tyre direkte. 

Në Kosovë është  krijuar dhe vazhdon të konsolidohet tradita e zgjedhjeve të  lira. Kemi të bëjmë me disa zhvillime shumë të  rëndësishme në një kohë rekord të shkurtër.

Kosova është njohur gjithashtu nga 62 vende të lira të botës, është  anëtarësuar në dy institucione më serioze financiare të planetit, institucione këto të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Bankën Botërore dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar.

Ekonomia e Kosovës është  një ekonomi dinamike, e vogël, por furtunës së përgjithshme financiare botërore i reziston.

Në Kosovë ndodhet KFOR-i, një faktor shumë i rëndësishëm për paqen dhe stabilitetin në rajon, një faktor që po ndihmon Kosovën me forcat e sigurisë së saj në procesin e përgatitjes për integrimin në NATO.

Në Kosovë, Bashkimi Evropian ka sjellë një mision të fuqishëm, EULEX-in, i cili po mbështet Qeverinë e Kosovës në ndërtimin e shtetit ligjor dhe konsolidimin e institucioneve, po jep një ndihmë të pazëvendësueshme në perspektivën evropiane të Kosovës.

Me kryeministrin Thaçi kemi bërë një bilanc të zhvillimeve të marrëdhënieve si midis dy vendeve tona, ashtu edhe në me fqinjët tanë.

Ne jemi dy vende me shumicë  të popullsisë shqiptare dhe kemi përgjegjësi të  madhe të përcjellim mesazhin tek të gjithë fqinjët tanë, se kanë dy miq të vërtetë, në Shqipëri dhe Kosovë.

Më vjen mirë për progresin që ka bërë kryeministri Thaçi në negociatat me Maqedoninë dhe malin e Zi, marrëdhënie këto shumë  të mira dhe shoh një interes shumë të madh, intensifikim çdo ditë e më shumë të marrëdhënieve me Kosovën e Maqedoninë dhe Malin e Zi, por shpresoj së shpejti edhe me Serbinë. 

Fobia nuk shërben ndaj askujt. Ne, në histori kemi kaluar shumë gjëra, shumë të  pamerituara, por kompleksiteti i saj na ka çliruar nga komplekset, ndaj dhe jemi të vendosur të punojmë për një klimë miqësore bashkëpunimi dhe integrimi rajonal.

Ishte një lajm shumë  i gëzueshëm për mua dhe gjithë shqiptarët vendimi i Qeverisë  së Kosovës për të ndërtuar autostradën Prishtinë  – Morinë- Vërmicë. Uroj që edhe qeveria serbe, të filloj ndërtimin nga Nishi.

E informova kryeministrin Thaçi se gjatë këtij mandati Qaf Morinë – Shkodër, në mënyrë që Kosova Perëndimore të ketë dalje më të shpejt në det. Porti i Shën Gjinit është i gatshëm. Qeveria shqiptare do t’i jap Kosovës në dispozicion të plotë këtë port.

Në vitin e ardhshëm do të nis studimi i fizibilitetit dhe projektimi i hekurudhës, që do të lidh dy vendet tona. Ne do të kompletojmë  hekurudhën me Maqedoninë, por që do lidhet edhe me Kosovën. 

Pozicioni i saj gjeografik është shumë i përshtatshëm për transport hekurudhor në raportet tona, të cilat bëhen çdo ditë e më të rëndësishme.  

E gjithë lufta dhe përpjekja e shqiptarëve kudo që janë, është që të  kapin orën evropiane. Tani po ndërtojmë të ardhmen, andaj edhe kjo e ardhme ndërtohet në kuadrin e një bashkëpunimi të ngushtë dhe të gjithanshëm me miqtë tanë në rajon dhe kudo në botë.

Sot nënshkruam një sërë  marrëveshjesh, të cilat synojnë të vendosin në  rajon standardet evropiane të lëvizjes së lirë të  qytetarëve, mallrave dhe problemet e sigurisë.

Nuk mund të mohohet se në disa aspekte në rajon, ora është mbrapa. Radhët e gjata që shihen në pikat tona kufitare, në tërësi, janë jashtë kohe, andaj është në detyrën e qeverive që të gjejnë format më praktike, më  lehtësuese për fluksin e pandalshëm të njerëzve dhe mallrave. 

Po këtë diskutim kam bërë me mikun tim të Malit të Zi, Maqedonisë, dhe shoh që ka një mirëkuptim të gjerë. Do të  nënshkruajmë edhe një sërë marrëveshje të tjera, të cilat do të kompletojnë infrastrukturën ligjore të një bashkëpunimi dhe partneriteti vëllazëror shembullor për të gjithë rajonin.

Ju falënderoj për mikpritjen! Më duhet prapë t’ju siguroj se në këtë qytet dhe në këtë vend, janë të vetmet në këtë botë që vij çdo ditë me kënaqësinë më të madhe, po të kisha mundësi.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors