Kryeministri Thaçi përuron objektin e ri shkollor në Lipjan, si dhe viziton punimet e ndërtimit të kanalizimit për katër fshatra të kësaj komune


Image


Image


Image

Prishtinë, 31 gusht 2009

Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, i shoqëruar nga zëvendësministri i Ministrisë së Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, Agim Hyseni sot ka vizituar komunën e Lipjanit dhe me këtë rast së bashku me udhëheqësit komunalë ka përuruar objektin e shkollës së re fillore, investim prej një milionë e 200 mijë eurove

Kryeministri Hashim Thaçi duke folur para nxënësve arsimtarëve dhe qytetarëve të Komunës së Lipjanit ka thënë se jemi në prag të fillimit të vitit të ri shkollor dhe çdo fillim i vitit të ri shkollor, është një festë e madhe për gjithë shoqërinë, për shtetin tonë të ri.
“Para së gjithash është një festë e madhe për nxënësit, prindërit, por është një festë e madhe, kur kemi parasysh që këtë vit shkollor po e fillojmë me shkolla të reja, siç është kjo këtu në Lipjan”, theksoi z. Thaçi.

Më tutje kryeministri Thaçi pohoi se kjo është vetëm një nga shkollat e reja që po ndërtohen anekënd Kosovës, në prag të fillimit të vitit të ri shkollor.

“Qeveria e Republikës së Kosovës, që nga dita e parë e themelimit të saj, i ka kushtuar rëndësi të veçantë, apo ka qenë një nga prioritetet kryesore të investimit në edukim. Kemi qenë të vendosur dhe të qartë në vizionin tonë, se investimi në edukim është investim në zhvillimin ekonomik dhe të ardhmen e vendit tonë, në krijimin e vendeve të reja të punës, në avancimin e shoqërisë sonë, por në të njëjtën kohë, në modernizimin e shtetit tonë të ri” – u shpreh kryeministri Hashim Thaçi.

Kryeministri Thaçi ka premtuar vazhdimin e reformimit dhe modernizimit të sistemit të arsimit në Republikën e Kosovës.
“Kemi filluar me reforma në arsim, kemi vazhduar me zgjerimin e hapësirave të nevojshme për edukim, në modernizimin e tyre, informatizimin, gjithashtu të kabineteve të teknologjisë informative, por në të njëjtën kohë kemi marrë vendimin e duhur dhe meritor, për rritjen e pagave për të gjithë punëtorët e arsimit. Dua të rikonfirmoj edhe sot se arsimi do të vazhdojë të jetë një prioritet i Qeverisë, gjatë këtij mandati do t’i rrisim edhe njëherë pagat e punonjësve të arsimit” – potencoi kryeministri Thaçi.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka falënderuar kryetarin e Komunës, Shukri Buja dhe gjithë ekipin e tij për punën e mirë dhe angazhimin e tij për realizimin e këtyre projekteve të rëndësishme të infrastrukturës në Komunën e Lipjanit.

Kryeministri Hashim Thaçi po sot ka  inspektuar punimet që janë duke u zhvilluar në rregullimin e rrjetit të kanalizimeve në fshatin Rufci i Ri.
Ky rrjet i ri i kanalizimit  në një gjatësi prej 17 kilometrash do të përfshijë katër fshatra të kësaj ane do të zgjidh një herë e mirë problemet me ujëra të zeza. Ky projekt kap shumën prej 392 mijë euro. 

Kryetari i Komunës së Lipjanit Shukri Buja falënderoi  Kryeministrin Hashim Thaçi dhe Qeverinë e tij  për mbështetjen për këto projekte  madhore të infrastrukturës që do të bëjnë më të mirë dhe më të lehtë jetën e qytetarëve të Komunës së Lipjanit.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors