Prishtinë 10 shtator 2009
Qeveria e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Hashim Thaçi, ka zhvilluar mbledhjen e saj të 81-të, në të cilën ka aprovuar Strategjinë e Rishikuar të Energjisë në Republikën e Kosovës për periudhën 2009-2018, Strategjinë Shtetërore të Republikës së Kosovës për Migracion dhe Planin e veprimit për këtë strategji, si dhe ka miratuar Projektligjin për Mërgatën e Kosovës.
Kryeministri Hashim Thaçi, në hapje të mbledhjes, ka njoftuar kabinetin qeveritar me vazhdimin e punës në kompletimin dhe funksionalizimin e institucioneve të Republikës së Kosovës. Presidenti dhe kryeministri i Kosovës, në kuadër të kompetencave kushtetuese dhe ligjore, kanë marrë vendimin për emërimin e zëvendësdrejtorit të Agjencionit Kosovarë të Inteligjencës dhe të Inspektorit të Përgjithshëm të Agjencionit Kosovarë të Inteligjencës.
Kryeministri Thaçi ka përshëndetur edhe vazhdimin punimeve në rindërtimin e shtëpive në veri të Mitrovicës dhe ka theksuar vendosmërinë e Qeverisë së Republikës së Kosovës për të mbështetur kthimin e të gjithë qytetarëve në pronat dhe shtëpitë e tyre.
“Dua të përshëndes angazhimin korrekt dhe konstruktiv të spektrit politik në këtë fazë të parapërgatitjeve të zgjedhjeve të lira të 15 nëntorit, në mënyrë që ato të jenë fer, demokratike, të pranueshme dhe një mesazh i mirë i shtetit dhe qytetarëve të Kosovës për gjithë botën demokratike, e cila do të shikojë me vëmendje zhvillimet demokratike në shtetin tonë të ri. Besoj se do të vazhdojmë që, pavarësisht nga konkurrencat e vlerave politike, interesi shtetëror të jetë mbi çdo interes të ngushtë partiak. Qeveria po i jep mbështetje KQZ-së në punën profesionale dhe angazhimet teknike për përgatitjen sa më të mirë për organizimin e zgjedhjeve të lira”, ka thënë kryeministri Hashim Thaçi në fjalën hyrëse në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Qeveria e Republikës së Kosovës ka shqyrtuar Projekt-Strategjinë e Rishikuar të Energjisë në Republikës së Kosovës për periudhën 2009 – 2018. Ky dokument paraqet rishikimin e Strategjisë së Energjisë të Kosovës 2005 – 2015. Strategjia e Energjisë së Kosovës është hartuar dhe rishikuar në përputhshmëri me Ligjin e Energjisë, me Programin e Qeverisë së Kosovës, me marrëveshjet ndërkombëtare mbi krijimin e tregut të përbashkët rajonal dhe mbrojtjen e mjedisit jetësor. Strategjia përbën kornizën themelore në bazë të së cilës përcaktohen objektivat, prioritetet zhvillimore sipas sektorëve të energjisë në Republikën e Kosovës.
Në mbledhje gjithashtu është vendosur që të bëhet ndryshimi i dy vendime të Qeverisë për ridestinimin e mjeteve të ndara nga Ministria e Ekonomisë dhe Financave dhe të Komunës së Suharekës.
Qeveria ka vendosur që me 6.400 euro të mbështes projektet e aktiviteteve të Shoqatës së të Verbërve dhe me të pamë të dobësuar, ndërsa Komitetin e Grave të Verbëta të Kosovës me shumën prej 1000 eurosh.
Strategjia Shtetërore e Republikës së Kosovës për Migracion bashkë edhe me Planin e Veprimit është aprovuara sot në mbledhje të Qeverisë. Strategjia dhe Plani i Veprimit për Migracionin, është një detyrim që rrjedh nga prioritetet që ka përcaktuar shteti i Kosovës, për të parandaluar të gjitha format e migrimit ilegal dhe për të promovuar migrimin legal. Institucionet kosovare në nivel qendror dhe lokal, sipas kësaj strategjie, do të jenë përgjegjëse për krijimin e strukturave për parandalimin dhe luftimin e migrimit ilegal dhe të migrimit ilegal të ndihmuar, si dhe promovimi i migrimit legal, që në vete përfshin edhe ri-integrimin e personave të riatdhesuar.
Qeveria ka aprovuar sot në mbledhje edhe Projektligjin për Mërgatën e Kosovës. Ky Projektligj rregullon organizimin dhe funksionimin institucional të mërgatës sonë. Qëllimi i këtij projektligji është ruajtja dhe zhvillimi i identitetit, gjuhës, kulturës dhe mundësia e rritjes së bashkëpunimit shumëpalësh, veçanërisht në fushat kulturore, arsimore, shkencore, ekonomike si dhe në fusha të tjera.
Qeveria e Kosovës do të mbështes me 25174 euro, manifestimet që do të organizohen në nderim të Ditës së Boshnjakëve në Kosovë.
Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Enver Hoxhaj ka informuar kabinetin qeveritar me fillimin e mbarë të vitit shkollor 2009-2010.
Ministri Hoxhaj ka theksuar se për herë të parë, në shkollat e Kosovës, këtë vit do të organizohet mësimi vetëm në dy turne, falë rritjes së hapësirave shkollore për nxënësit anekënd Kosovës dhe me sukses, për herë të parë janë ndarë tekstet për nxënësit nga klasa e parë deri në të nëntën, në të gjitha shkollat e Republikës së Kosovës.
Qeveria e Republikës së Kosovës ka ndarë mjete për të mbështet punën dhe funksionimin e Komisionit për
rishikimin dhe harmonizimin e planprogrameve shkollore në gjuhën serbe në Kosovë.
