Prishtinë, 13 tetor 2009
I nderuari z. Beqaj,
Të nderuar përfaqësues të komunitetit të biznesit,
Fillimisht me lejoni t’ju përgëzoj për rolin tuaj konstruktiv në ndërtimin e ekonomisë së vendit tonë.
Qeveria e Republikës së Kosovës ka ndërmarrë dhe do të ndërmerr në të ardhmen politika te rëndësishme që favorizojnë komunitetin e biznesit në Kosovë.
Konkretisht, këto politika përmblidhen në këto plane kryesore:
1. Janë hedhur hapa vendimtar për të realizuar integrimin ekonomik të vendit me organizma ekonomiko-financiare ndërkombëtare dhe rajonale, duke kujtuar anëtarësimin në Fondin Monetar, Bankën Botërore dhe natyrisht në forume rajonale.
2. Gjatë qeverisjes sonë, sa i përket strukturimit të ekonomisë vendore, kemi bërë shumë dhe zotohemi se do të bëjmë edhe më shumë dhe më konkretisht:
• Që nga ditët e para të qeverisjes sime, një angazhim i veçantë i është kushtuar politikave tatimore, veçanërisht për produktet bujqësore. Ka qenë kërkesë e bizneseve, dhe në të njëjtën kohë premtim yni që do të bëjmë rishikimin e këtyre politikave, dhe kjo është bërë.
• Përderisa para këtij viti, Kosova kishte normën nga më të lartat të tatimit në fitim, sot lirisht mund të them se vendi ynë ka barrën më të vogël fiskale në rajon dhe më gjerë.
• Kemi shkurtuar normën e tatimit në fitim për 50% (nga 20 në 10%), dhe po ashtu një shkurtim të normës së tatimit në të hyra individuale, që e bënë Kosovën një vend shumë atraktiv për investime të jashtme.
• Këtu do të përmendja suspendimin e ndëshkimeve për ato biznese që pajtohen të shlyejnë borxhet e vjetra, dhe më lejoni të them këtu para jush se kjo ka treguar sukses mjaft të mirë.
Një pjesë e konsiderueshme e Buxhetit 2009 ishte dedikuar për infrastrukturë rrugore, atë të arsimit dhe energjisë, por edhe për bujqësi sikurse ishte subvencioni qeveritar për sezonin e mbjelljeve në vlerë mbi 2 Milion EURO.
Gjithsesi Banka Agrare do te ishte një mundësi e shkëlqyer për zhvillimin e bujqësisë ne përgjithësi, dhe ne jemi te përkushtuar të punojmë në këtë çështje komplekse.
Të nderuar zotërinj,
Vetëm gjatë vitit të kaluar, kreditë janë rritur me një normë prej 33%, ndërsa depozitat mbi 26%. Kjo po ashtu tregon se pavarësisht krizës globale, sistemi ynë bankar po vazhdon të përforcojë mirë dhe besimi i qytetarëve në këtë sistem sa vjen e po rritet.
Në këtë kontekst, është inkurajuese të shihet fakti se kreditë me afat më të gjatë janë duke u rritur gjithnjë e më shumë, dhe kreditimi i aktiviteteve investuese dhe atyre Bujqësore po merr një kahje të mirë.
Sa i përket sektorit qeveritar, vetëm gjatë vitit 2008 ne kemi rritur efikasitetin e qeverisë, duke rritur shpenzimet kapitale për mbi 120% dhe kjo në mënyrë të drejtpërdrejtë ka kontribuuar në rritjen ekonomike.
Partneriteti në mes të sektorit publik dhe atij privat është një nga elementet kyçe të zhvillimit tonë.
Qeveria e Republikës së Kosovës tashmë ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm për të sajuar këtë partneritet, siç janë regjistrimi i shpejtë i bizneseve, tatime te favorshme në rajon, ligje kompatibile me ato të komunitetit Evropian, reforma për ristrukturim dhe privatizim, përmirësime në infrastrukturë dhe marrëveshje rajonale për tregti të lirë.
Gjatë këtij misioni, ju ftoj që jo vetëm të interesoheni për programet e tilla, por edhe të na komunikoni idetë tuaja rreth mundësive të reja për programe stimuluese dhe bashkëpunim.
Ju falënderoj për vëmendjen tuaj.
