Kryeministri Thaçi: Partia fituese dhe koalicioni do të vazhdojnë duke respektuar në plotëni Kushtetutën dhe ligjet, për të implementuar vullnetin e sovranit – rezultatin zgjedhor të 8 qershorit


Image

Prishtinë, 18.06.2014

E drejtuar nga kryeministri Hashim Thaçi, Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhjen e saj të rregullt, në të cilën ka miratuar vendime dhe dokumente nga fushat e përgjegjësive të veta kushtetuese dhe ligjore.

Kryeministri Hashim Thaçi, duke folur para kabinetit qeveritar ka uruar të gjithë qytetarët e Kosovës, spektrin politik dhe të gjitha institucionet, që kanë marrë pjesë në procesin e përgatitjes dhe mbarëvajtjes së zgjedhjeve të 8 qershorit. Kryeministri Thaçi ka shprehur edhe falënderimin për mbështetjen e fuqishme dhe prezencën e vëzhgueseve të Bashkimit Evropian dhe mbështetjen e plotë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Një mirënjohje e lartë i shkon pjesëmarrjes së qytetarëve në zgjedhje, gjithë spektrit politik, dhe gjithë njerëzve që kanë qenë të kyçur në këtë proces shumë të rëndësishëm për shtetin tonë të ri dhe shoqërinë tonë.

Edhe njëherë u dëshmua se në zgjedhjet e 8 qershorit, Kosova dëshmoi pjekurinë e lartë politike, pjekuri të lartë për zhvillimin e demokracisë dhe dërguam mesazhin e qartë dhe shumë të besueshëm për miqtë tanë ndërkombëtar. Prodhuam argument të fuqishëm për mbështetje edhe më të madhe prej të gjithë partnerëve tanë, se në Kosovë po zhvillohet dhe po vepron demokracia, se zgjedhjet ishin fer, të lira, demokratike, transparente, të standardit më të lartë ndërkombëtar, të pranuara nga i gjithë spektri politik, të vlerësuara lartë prej Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Zgjedhjet parlamentare të 8 qershorit për herë të parë u organizuan në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, dhe pjesëmarrjen e të gjitha komuniteteve në vend. Kjo dëshmon edhe njëherë se shtetin tonë të ri, Kosovën, po e ndërtojmë mbi bazën e demokracisë qytetare, me një mesazh shumë të fuqishëm për funksionimin stabil dhe efektiv të institucioneve tona.

Tani të gjithë jemi në pritje të certifikimit të rezultatit zgjedhor, dhe natyrisht partia fituese dhe koalicioni do të vazhdojnë duke respektuar në plotëni Kushtetutën dhe ligjet për të implementuar vullnetin e sovranit , rezultatin zgjedhor të 8 qershorit, në mënyrë që të kemi institucione të reja, të fuqishme, të dala nga këto zgjedhje.

Pra, i tërë procesi i implementimit të rezultatit zgjedhor do të jetë transparent, partia fituese dhe koalicioni do të ndërmarrin hapat e nevojshëm, me një iniciativë aktive, duke respektuar gjithmonë Kushtetutën dhe ligjet, dhe afatet kohore kushtetuese dhe ligjore, për të implementuar në plotësi vullnetin e qytetarëve të Kosovës” ka thënë kryeministri Hashim Thaçi në fjalën e tij.

Në mbledhjen e sotme, Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar Planin Vjetor të Statistikave Zyrtare për vitin 2015 në Republikën e Kosovës.

Me vendimet e miratuara sot në mbledhjen e Qeverisë, janë përcaktuar zonat e mbrojtur ujore të burimeve ujore nëntokësore që përdoren për pije: “Puset e Jarinës”; “Puset e Klinës dhe kaptimi në lumin Drini I Bardhë” në Komunën e Klinës, dhe burimet ujore nëntokësore që përdoren për pije në “Lagjja Fidanishte, 1, 2, 3 dhe Topallnica,1, 2, 3” në Suharekë dhe “Pusi i Atit 1, 2, 3, 4, 5”  në Malësia e Re të Komunës së Suharekës.
Me vendimin e miratuar sot nga Qeveria e Kosovës, Mursel Rracaj është emëruar në pozitën e drejtorit ekzekutiv të Agjencisë Qendrore të Prokurimit.

 

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors