Prishtinë, 16 dhjetor 2009
Më lejoni t’ju falënderoj të gjithë ju anëtarë të Grupit Punues për implementimin e Programit Qeveritar për Parandalimin e Ekonomisë joformale në Kosovë.
Siç e dini, Qeveria ka aprovuar Programin Qeveritar për Parandalimin e Ekonomisë joformale për vitet 2008–2009.
Parandalimi i ekonomisë joformale përfshirë edhe luftën e pa kompromis kundër korrupsionit dhe formave të tjera të ekonomisë së zezë, janë pjesë themelore e prioriteteve të politikës se Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Çështja në fjalë është evidentuar si sfidë për vendin tonë, por është theksuar edhe në Raportin e Progresit të Komisionit Evropian, ku janë paraqitur sukseset që ka shënuar Republika e Kosovës, sfidat me të cilat ballafaqohemi dhe të cilat duhet t’i tejkalojmë dhe ti fitojmë në të njëjtën kohë.
Prandaj, është imperativ që kjo problematikë të adresohet shpejt dhe në mënyrë shumë profesionale për zgjidhje në kuadër të dinamikës së punës sonë të përbashkët.
Në këtë drejtim ju njoftoj se nga fillimi i vitit të ardhshëm do të fillojë hartimi i Planit të Veprimit për vitet 2010-2012, i cili do të adresojë këto sfida dhe kontributin e të gjithëve.
Ekonomia joformale në Kosovë pati ndikim negativ në zhvillimin ekonomik të vendit dhe ndikim në reformat ekonomike.
Prandaj, në këtë takim të Grupit Ndërministror, duhet të angazhohemi për punë të përbashkët me një prioritet të vetëm.
Në kuadër të këtyre angazhimeve që theksova për vitet 2010-2012, kam kërkuar që ky program të zbatohet në tërësi dhe do të ketë një plan të detajuar të veprimit.
Ministritë dhe autoritetet përkatëse duhet të jenë përgjegjëse për zbatimin e programit.
Grupi i Përhershëm qeveritar duhet të raportojë për rezultatet e zbatimit të objektivave të identifikuar me planin qeveritar.
Qeveria dhe Grupi Punues qeveritar duhet të përgatisin vlerësimet e rregullta mbi gjendjen dhe shtrirjen e ndikimit të ekonomisë joformale dhe të rezultateve të zbatimit të masave të programit të Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Gjithashtu sa i përket edhe angazhimeve tjera, Grupi Punues i Përhershëm do të udhëhiqet nga ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala, i ndihmuar edhe nga këshilltari im, Driton Qehaja dhe sekretariati.
Unë ju ftoj që të punoni me përkushtimin më të madh për adresimin e kësaj çështje shumë të rëndësishme dhe për respektimin e plotë të ligjeve përkatëse sipas standardeve evropiane.
Faleminderit!
