Prishtinë, 18 prill 2013
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi i ka dërguar një telegram ngushëllimi Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama, pas shpërthimit masiv në një uzinë për prodhimin e plehut kimik në Teksas, ku humbën jetën dhjetëra qytetarë dhe shumë të tjerë u plagosën.
Në telegramin e ngushëllimit thuhet:
I nderuari president Obama,
Me dhembje të madhe morëm lajmin për tragjedinë që ndodhi pas shpërthimit masiv në uzinën për prodhimin e plehut kimik në Teksas të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku humbën jetën dhjetëra qytetarë dhe shumë të tjerë u plagosën.
Qeveria e Republikës së Kosovës dhe qytetarët e Kosovës në këto momente të rënda për Ju, qeverinë tuaj dhe popullin amerikan shpreh ndjenjat më të thella të mbështetjes dhe solidaritetit.
Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, të qytetarëve të Kosovës dhe në emrin tim, pranoni ngushëllimet më të sinqerta për Ju, qeverinë tuaj, popullin amerikan dhe familjet e viktimave të kësaj tragjedie, ndërsa të lënduarve ju dëshirojmë shërim të shpejtë.
Hashim Thaçi,
Kryeministër i Republikës së Kosovës
