Prishtinë, 22 korrik 2009
Në vazhdim po e prezantojmë të plotë deklarimin e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi
Ne sot nënshkruam një Memorandum të Mirëkuptimit mes Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, me iniciativën time për ndihmë kategorive të shoqërisë me gjendje të rëndë sociale.
Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës, si pjesë e zbatimit të politikave të menaxhmentit për bashkëpunim me institucionet e Republikës së Kosovës dhe promovimit të vlerave universale dhe humane, do të financojë ndërtimin e 30 shtëpive për pastrehët.
Me këtë projekt do të ndërtohen 30 shtëpi, për kategoritë pastrehë, për invalidët dhe veteranët e luftës, familjet e dëshmorëve, familjet me gjendje të rëndë sociale, familjet e viktimave të luftës dhe për familjet e minoriteteve.
Kostoja e përafërt e përllogaritur është 350 mijë euro, ndërsa i gjithë ky proces do të jetë në bashkëpunim të ngushtë mes autoriteteve të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, për çka dëshiroj të falënderoj edhe Drejtorin dhe Bordin për mirëkuptimin, që kanë treguar në këtë drejtim.
Nga ana e tij, drejtori menaxhues i Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, Agron Mustafa, është shprehur:
Është kënaqësi e veçantë për mua dhe gjithë Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, që pas publikimit të rezultateve mbi performancën e mirë gjashtëmujore të Aeroportit, të cilat i kemi bërë publike javën e kaluar, si dhe zhvillimeve të fundit, të përkrahim iniciativën e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, për ndërtimin e shtëpive për kategoritë, të cilat kryeministri i përmendi.
Do të jetë një bashkëpunim i ndërsjellë në mes të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës dhe padyshim që edhe në të ardhmen, në qoftë se shprehet nevoja, do të jemi të gatshëm që të vazhdojmë të përkrahim nisma të tilla.
