Kryeministri Thaçi: Në KS të OKB-së do të prezantohet progresi konsolidues, shtetformues dhe demokratizues i Republikës së Kosovës


Image


Image


Image


Image

Prishtinë, 22 janar 2010

Në hapje, kryeministri Hashim Thaçi ka njoftuar kabinetin qeveritar lidhur me takimin e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, i cili sot diskuton raportin për Kosovën. Z. Thaçi ka thënë se institucionet e vendit tonë do ta përcjellin me vëmendje këtë mbledhje.

“Në KS të OKB-së do të kemi një prezenti të të arriturave të Kosovës nga ministri Skender  Hyseni. Do të prezantohet progresi konsolidues, shtetformues dhe demokratizues i Republikës së Kosovës, i respektimit afirmativ të minoritarëve, i suksesit të shumëvlerësuar ndërkombëtar për procesin elektoral demokratik. Do të prezantohet edhe projekti për punën e suksesshme të institucioneve në nivel qendror dhe lokal dhe zotimi ynë që të jemi pjesë e NATO-s, BE-së e në të ardhmen edhe OKB-së”, ka thënë kryeministri Thaçi.  

Në vazhdim Qeveria ka miratuar Planin zhvillimor strategjik 2009-2013, propozuar nga ministri i Punëve të Brendshme Zenun Pajaziti.

Sipas këtij plani janë identifikuar katër fusha: ruajtja e rendit dhe sigurisë publike, mbrojta e kufijve, menaxhimi i situatave emergjente si dhe ofrimi i shërbimeve më cilësore për qytetarët e Kosovës. Ky plan është në përputhje me të gjitha dokumentet tjera strategjike të Qeverisë së Kosovës. Është edhe në përputhje me transferin e disa përgjegjësive të KFOR-it në menaxhimin e vijës së gjelbër, ka pohuar ministri Pajaziti.
 
Qeveria ka ndarë  40.000 euro për vitin 2010, në emër të kontributit vjetor të Qeverisë së Republikës së Kosovës në Këshillin për Bashkëpunim Rajonal, me seli ne Sarajevë, respektivisht në buxhetin e Sekretariatit të Këshillit për Bashkëpunim Rajonal.

Në takimin e sotëm Qeveria ka miratuar tri projektligje: Projektligjin për Avokatin e Popullit, Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për Procedurën Administrative dhe Projektligjin  për Parandalimin e Shpëlarjes se Parave dhe Financimit te Terrorizmit.

Sipas rekomandimeve të Komisionit ndërministror, Qeveria ka ndarë 300 mijë euro për zhvendosjen e lagjes Smajlaj të fshatit Brod, Komuna e Shterpcës që është rrezikuar nga rrëshqitja e dheut. Po ashtu sot Qeveria ka ndarë 20 mijë euro ndihmë Komunës së Ulqinit për përballimin e pasojave të vërshimeve. 

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors