Prishtinë, 15 tetor 2010
Të nderuar studentë
Të nderuar profesorë,
Zonja dhe zotërinj,
Është kënaqësi e veçantë për mua të jem sot këtu për të bashkëbiseduar me ju për tema me rëndësi për vendin tonë, Republikën e Kosovës.
Qeveria e Republikës së Kosovës do të vazhdojë ta konsiderojë arsimin dhe investimin në këtë fushë si prioritet themelor të saj edhe në të ardhmen, sepse konsiderojmë se pikërisht një sistem i zhvilluar arsimor është baza më e mirë për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.
Sot, meqë jemi në Fakultetin Xehtaro-Metalurgjik, do të përqendrohem në hapat që kemi ndërmarrë si Qeveri dhe në progresin që kemi arritur në fushat e ekonomisë, tregtisë dhe zhvillimit të përgjithshëm e ekonomik.
Edhe këtë vit Kosova ka vazhduar të shënoj rritje ekonomike – që nga shpallja e pavarësisë kjo rritje ka qenë mesatarisht rreth 5%. Po ashtu, investimet publike dhe private kanë shënuar ngritje. Rreth 400 milionë euro u investuan në projekte kapitale gjatë vitit 2009 me qëllim të përmirësimit së infrastrukturës, për të lehtësuar rritjen e bashkëpunimit tregtar në rajon dhe më gjerë.
Pakoja fiskale për periudhën 2010-2013 parasheh investime në vlerë prej 2.4 miliardë euro në sektorët prioritar të programit të Qeverisë, të cilat kryesisht janë të fokusuara në infrastrukturën rrugore, sektorin e energjisë dhe ngritjen e kapaciteteve njerëzore.
Rritja ekonomike e shënuar dy vitet e fundit, në masën më të madhe i atribuohet rritjes dhe zhvillimit të sektorit privat, por edhe investimeve të fuqishme publike. Shifrat e fundit nga hulumtimi i AKB-së së bashku me Ministrinë e Punës tregojnë që në vitin 2009 punësimi në ndërmarrjet private në Kosovë është rritur për 12.6%, trend ky mjaft inkurajues që tregon rezultate konkrete. Njëkohësisht, ky studim tregon se pagat mesatare në këto ndërmarrje për vitin 2009 janë rritur për 18.2%.
Qeveria e Republikës së Kosovës veçse ka dëshmuar se është e hapur ndaj investimeve private si dhe e aftë që të udhëheq procese shumë transparente për futjen e sektorit privat në infrastrukturën e shtetit.
Si rezultat i një procesi të tillë krejtësisht transparent dhe të kujdesshëm të koncesionimit të Aeroportit të Prishtinës, si dhe angazhimit të njërit nga konsorciumet më të mëdha dhe më me renome në botë për ndërtimin e autostradës së parë në Kosovë, ne kemi ngritur kredibilitetin dhe besueshmërinë tek investitorët e mëdhenj ndërkombëtarë. Qeveria e Kosovës, përmes projekteve të partneritetit publiko-privat do të ngrisë edhe më tutje nivelin e investimeve të huaja.
Privatizimi i PTK-së, projekti i ndërtimit të Termocentralit Kosova e Re, i Hidrocentralit të Zhurit, si dhe privatizimi i Distribucionit dhe Shpërndarjes së Energjisë do të sigurojnë investitorë shumë të fuqishëm ndërkombëtar dhe do të mundësojnë një klimë edhe më të favorshme për biznesin privat.
Të nderuar studentë,
Jam sot këtu të theksoj se ndarja e 18 hektarëve është inkurajim edhe për mua dhe për Qeverinë e Kosovës që të marrim vendim për Universitetin e ri të Mitrovicës. Pra Mitrovica do të ketë edhe objektin e ri edhe Universitetin e ri.
