Prishtinë, 1 shtator 2009
Kryeministri Thaçi në një bisedë me personelin arsimor të kësaj shkolle u ka premtuar atyre përkujdesjen dhe përkushtimin e tij dhe të Qeverisë për përmirësimin e kushteve të punës dhe të jetës për mësimdhënësit e të gjitha niveleve të arsimit në vend.
Ndjehem shumë mirë që sot jam në mesin e nxënësve dhe arsimtarëve të shkollës Faik Konica”, theksoi z. Thaçi duke shtuar se procesi mësimor ka filluar mbarë me hapësira të reja mësimi. Gjatë këtij vit një herë janë rritur pagat e arsimtarëve. “E rikonfirmoj se Qeveria që udhëheq unë do të bëjë edhe një rritje të pagave gjatë mandatit qeverisës për të gjithë punëtorët e arsimit”, pohoi kryeministri Thaçi.
Më tutje kryeministri Thaçi ka potencuar se me kursimet që janë bërë Qeveria ka vendosur që për gjithë nxënësit nga klasa e parë deri të nëntën tu shpërndahen tekste falas.
Ministri i Arsimit , Enver Hoxhaj, duke uruar të gjithë nxënësve, prindërve dhe mësimdhënësve fillimin e vitit të ri shkollor 2009-2010, tha se MASHT do të vazhdojë të mbështesë fuqishëm gjatë këtij viti shkollorë, nxënësit dhe arsimtarët përmes rritjes së hapësirës shkollore, modernizimit, përmes pajisjes me teknologji informative, ngritjes së cilësisë, rishikimit të planprogrameve, zhvillimit profesdional të mësimdhënësve dhe vlerësimi i performancës së tyre.
“Tekstet falas synojmë të shndërrojmë shkollën memorizuese të shekullit 20 në një shkollë cilësore dhe edukative të shekullit 21. Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë,është e përkushtuar fuqishëm në ndërtimin e një sistemi të ri arsimor në Republikën e Kosovës”, theksoi ministri Enver Hoxhaj.
