Kryeministri Thaçi: Me anëtarësimin në Bankën Botërore, Kosova do të ketë edhe një rejting më të fuqishëm ndërkombëtar


Image


Image

Prishtinë, 4 qershor 2009

 

Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi në një konferencë për media ka vlerësuar si lajm shumë të mirë anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Bankën Botërore.

Në vazhdim e po japim të plotë fjalën e kryeministrit Hashim Thaçi në këtë konferencë.

 

Të nderuar,

 

Sot për Kosovën  kemi lajme shumë të mira. Si rezultat i punës shumë të mirë, sot kemi pranuar konfirmimin nga Banka Botërore se Bordi i Guvernatorëve të grupit të Bankës Botërore ka aprovuar Rezolutën për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në këtë organizatë.

 

Ky është sukses i madh për Kosovën dhe popullin e saj. Kjo tregon konfirmimin dhe përkushtimin e Qeverisë për të punuar në drejtim të anëtarësimit në institucionet ndërkombëtare .

 

Pas pak ditësh do të udhëtojë në Uashington një delegacion i lartë shtetëror i Republikës së Kosovës për të nënshkruar zyrtarisht marrëveshjen me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Botërore.

 

Grupi i Bankës Botërore përbëhet nga 5 institucione që ofrojnë lloje të ndryshme të produkteve dhe shërbimeve, nga Banka ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, Aociacioni ndërkombëtar për zhvillim, Korporata ndërkombëtare financiare, Agjencia multilaterale për garanci të investimeve dhe Qendra ndërkombëtare për zgjidhjen e kontesteve investuese.

 

Anëtarësimi i Republikës së Kosovës në Bankën Botërore është një hap përpara në arritjen e objektivit tonë për të qenë shtet demokratik, i zhvilluar me perspektivë të sigurt për integrim në strukturat e Bashkimit Evropian. Deri tash të gjitha që i kemi bërë i kemi bërë me resurset tona, tash me anëtarësim në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Botërore do të kemi shumë më tepër alternativa e mundësi.

 

Pra, shteti i ri i Kosovës do të konsolidohet në kuptimin e integrimit edhe në institucionet financiare ndërkombëtare. Kosova ka nevojë për investime. Nuk ka institucion më të rëndësishëm, më të mirë e të favorshëm për të ndihmuar Kosovën në këto fusha. Resurset e Bankës Botërore do të ndihmojnë Qeverinë e Kosovës për një spektër të gjerë të fushave, si vazhdimin e reformave në arsim, shëndetësi e të tjera.

 

Me anëtarësimin në Bankën Botërore, Kosova do të mund të tërheqë edhe më shumë resurse dhe do të ketë edhe një rejting më të fuqishëm ndërkombëtar, edhe në kuptimin e marrjes së kredive. Anëtarësimi rrit besimin tek investitorët e huaj, krijon siguri më të madhe, si dhe rrit interesimin e tyre për të investuar në Kosovë.

 

Siç e dimë, Kosova është vend i mundësive të mëdha. Anëtarësimi në Bankën Botërore hap derën për anëtarësimin edhe në institucione tjera.  Dëshiroj të theksoj me këtë rast edhe falënderimin miqve ndërkombëtarë që kanë treguar mirëkuptim për seriozitetin dhe kanë vlerësuar punën e mirë të institucioneve të Kosovës, qeverisjen e mirë, sundimin e ligjit dhe të përkushtimeve tjera.

 

Para 10 muajsh kemi aplikuar për anëtarësim në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Botërore e tani pas kalimit në procedurat e rregullta e kemi të konfirmuar anëtarësimin edhe në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Botërore. Kjo është edhe një dëshmi e mbështetjes diplomatike për Kosovën. Prandaj, ky pranim ka efektin ekonomik, politik dhe vazhdimin e mbështetjes ndërkombëtare.

 

Lajmi tjetër po ashtu  shumë i mirë për Kosovën, është se vetëm për një vit kemi raportin e dyte brenda vitit të Transparency Interneational, që konfirmon se Kosova është vendi i fundit në rajon për prezencën e korrupsionit. Kosova është edhe kampione në luftën kundër korrupsionit.

 

Kjo është një referencë shumë e rëndësishme ndërkombëtare. Instalimi i një qeverisje demokratike ka dhënë rezultate konkrete në luftën kundër korrupsionit, vlerësim ky edhe nga institucionet shumë kredibile.

 

Nëse bëjmë një dallim me vitin 2007, deri sa atëherë 67 % e qytetarëve kanë deklaruar se kanë paguar ryshfet për shërbimet, tani mund të them se kjo është zvogëluar për 5 herë apo 500% më pak.

 

Këto rezultate janë natyrisht një vlerësim për punën e institucioneve të Kosovës, për sundimin e ligjit, luftën e pa kompromis kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Është vlerësim shumë i lartë, por edhe përgjegjësi e re se nuk duhet të jemi të kënaqur. Kemi bërë shumë por duhet të bëjmë edhe më shumë.

 

Kosova ka bërë ndryshime drastike në kuptimin pozitiv në luftën kundër korrupsionit. Rruga e Kosovës për integrim në Bashkimin Evropian mund të jetë e shkurtër nëse vazhdojmë me sundim të ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors