Prishtinë, 29 mars 2010
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, është përgjigjur në interesimet dhe pyetjet e gazetarëve për procesin e afirmimit të qeverisjes së mirë dhe riformatizimit të Qeverisë së Kosovës.
“Afirmimi i qeverisjes së mirë vazhdon me personalitetet kredibile dhe energjitë e reja, duke vlerësuar lartë punën e secilit ministër në angazhimet që ka pasur dhe suksesin historik që kemi arritur si Republikë e Kosovës.
Do të vazhdohet me autoritetet kredibile, energjitë e reja, qeverisja e mirë. Vlerat janë duke u afirmuar çdo ditë. Sot, Kosova është shtet po nga ky formacion qeveritar.
Kemi të bëjmë me ndryshime rrënjësore në të gjitha sferat e jetës, ndryshime këto shumë pozitive.
Kemi të bëjmë me procesin e njohjes nga 65 shtete dhe Kosova sot është vend i pranuar edhe në Bankën Botërore, Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe së shpejti do të jetë pjesë edhe e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.
Në të njëjtën kohë kemi thelluar reformat në të gjitha aspektet demokratike, edhe në legjislativ, ekzekutiv dhe në aspektin politik.
Kemi organizuar zgjedhje të lira për herë të parë në Kosovën e pavarur ku ka kanë marrë pjesë një numër i madh i njerëzve si kurrnjëherë më parë, e para së gjithash komuniteti serbë.
Kjo është e rëndësishme të theksohet, sepse ka ndodhur një sukses i madh.
Po ashtu, dua të potencoj se, këto dy vite e gjysmë, kanë qenë vite të suksesit dhe ky kabinet qeveritar, është kabinet i suksesit”, ka thënë në fund kryeministri Hashim Thaçi.
