Kryeministri Thaçi: Ky është një projekt i fuqishëm në Ballkan, i cili vjen si rezultat i punës së përbashkët i qeverive të Kosovës dhe Norvegjisë


Image


Image

Prishtinë, 10 tetor 2009
 
Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi i shoqëruar nga ministrat Enver Hoxhaj dhe Fatmir Limaj si dhe ambasadori norvegjez në Prishtinë, z. Sverre Johan Kvale, sot solemnisht ka vënë gurthemelin për ndërtimin e dy shkollave profesionale në Skenderaj dhe më pas edhe në Malishevë. 

Kryeministri Hashim Thaçi në një fjalë rasti ka thënë se ndërtimi i këtyre shkollave në komunat Skenderaj e Malishevë bëhet në kuadër të partneritetit dhe progresit që Norvegjia dhe Kosova janë duke i zhvilluar bashkërisht, si para ashtu edhe pas pavarësisë së Kosovës.

Z. Thaçi me këtë rast ka falënderuar ambasadorin Kvale, Qeverinë dhe popullin norvegjez për këto investime në Kosovë. 

“Norvegjinë e kemi partner në të gjitha fushat e zhvillimit dhe progresit në Kosovë.
Sot vënia e gurthemelit për ndërtimin e shkollës profesionale në Skenderaj dhe Malishevë, është një lajm i mirë edhe për këto dy komuna dhe për trevat, për nxënësit, për të ardhmen e tyre, sepse do të edukohen në bazë të standardeve të larta evropiane perëndimore”, tha kryeministri Hashim Thaçi.
 
“Në Kosovën shtet të pavarur, janë hapur mundësitë e mëdha dhe këto mundësi po shfrytëzohen me ndërtimin e shkollave, të cilat do të krijojnë hapësirë dhe perspektivë për zhvillimin më të fuqishëm ekonomik, që të rinjtë tanë të jenë më afër tregut të punës, në mënyrë që të ndërtojmë edhe mirëqenie sociale shumë më të lartë”, theksoi z. Thaçi duke shtuar se ky është një projekt i fuqishëm në Ballkan, i cili vjen si rezultat i punës së përbashkët i qeverive të Kosovës dhe Norvegjisë.
 
Me këtë rast, ambasadori Sverre Johan Kvale u shpreh se investimi i Norvegjisë në ndërtimin e shkollave të mesme profesionale në Skenderaj dhe Malishevë është investim për të ardhmen e këtij vendi.

“Duke ndërtuar shkolla profesionale, ne ju japim njerëzve të ri shanse për të gjetur vende pune, dhe në këtë mënyrë ata do të mund të kontribuojnë në të ardhmen e Kosovës. Ky është projekti më i madh i Norvegjisë në Ballkanin Perëndimor, i cili ka vlerë 10 milionë euro. Shpresoj që këto dy shkolla do t’iu shërbejnë të rinjve dhe Kosovës në një afat të gjatë”, tha ambasadori Kvale.
 
Ndërtimi i këtyre dy shkollave do të bëhet me financimin e Qeverisë së Norvegjisë në vlerë prej afro 10 milionë euro dhe Qeverisë së Kosovës 1.2 milionë euro.
 

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors