Kryeministri Thaçi: Kosovës i hapet perspektiva e qartë drejt integrimit në Bashkimin Evropian


Image


Image


Image

Deklaratë e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi me rastin e publikimit të Raportit Vjetor të Progresit të Komisionit Evropian për vitin 2009 dhe Studimit të Fizibilitetit për Kosovën

Prishtinë, 14 nëntor 2009
 
 
Qeveria e Republikës së Kosovës mirëpret publikimin e Raportit Vjetor të Progresit 2009 dhe Studimin e Fizibilitetit.
 
Raporti i Progresit është një mënyrë e rregullt e komunikimit të Republikës së Kosovës me Komisionin Evropian për progresin e arritur brenda periudhës njëvjeçare.
 
Raporti si i tillë është pasqyrim i progresit dhe sfidave në Kosovë brenda periudhës një vjeçare, njëherit udhërrëfyes për institucionet e Republikës së Kosovës në implementimin e agjendës Evropiane.
 
Sfidat e Raportit të progresit janë në përputhje të plotë me prioritetet e Qeverisë së Republikës së Kosovës, të cilat prioritete t’i adresojmë përmes Planit të Veprimit për Partneritet Evropian dhe dokumenteve të tjera Strategjike.
 
Gjetjet e Raportit të Progresit janë plotësisht në pajtim me pozicionin dhe qëllimet për zhvillimet politike dhe institucionale të qeverisë në fushën e sundimit të ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, zgjerimin e dialogut dhe pajtimit të komuniteteve.
 
Sfidat që dalin nga këto dy dokumente janë prioritet i vazhdueshëm i Qeverisë së Republikës së Kosovës për përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe zhvillimin e reformave si përgatitje për integrim në strukturat Euro-Atlantike.
 
Qeveria e Republikës së Kosovës ka funksionalizuar strukturat për integrim Evropian, ka ngritur dhe do ta ngrisë edhe më tepër rolin e Agjencisë për Koordinim të Zhvillimit dhe Integrimit Evropian në koordinimin institucional të agjendës Evropiane.
 
Në këtë aspekt, duke konsideruar se integrimi i Republikës së Kosovës në BE dhe në NATO është synim primar, Qeveria e Kosovës është duke bërë përgatitje serioze për themelimin e Ministrisë për Integrime, e cila do të merret ekskluzivisht me procesin e integrimit në BE dhe në NATO.
 
Sot, të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës është një ditë e shënuar, sepse si asnjëherë më parë, Kosova futet në rrugë të sigurt drejt integrimit në BE.
 
Kjo rrugë do të jetë e gjatë dhe me plotë sfida, por ne jemi të vendosur që Kosova ta zë vendin e vet në familjen evropiane.
 
Raporti i Progresit e vlerëson shumë punën e Qeverisë së Republikës së Kosovës, konsolidimin e institucioneve shtetërore, përmirësimin e infrastrukturës ligjore, dhe mbi të gjitha ruajtjen e stabilitetit politik dhe ekonomik.
 
Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,
 
Publikimi i Studimit të Fizibilitet paraqet një epokë të re për ne dhe avancim të Republikës së Kosovës në procesin e Integrimit.
 
Si rezultat i punës sonë, Komisioni Evropian ka propozuar që Mekanizmi Përcjellës i Stabilizim Asociimit, tani e tutje të zhvillohet përmes dialogut politik përmes të ashtuquajturit Dialogu i Procesit të Stabilizim Asoccimit.
 
Përmes këtij procesi të avancuar, Kosovës i hapet perspektiva e qartë drejt integrimit në BE.
 
Kosovës për herë të parë i mundësohet që të negociojë marrëveshje tregtare dhe gjithashtu të marrë pjesë në programe të ndryshme të BE-së, si për shembull në Kartën Evropiane për Ndërmarrje të Mesme dhe të Vogla.
 
Për më tepër, Kosova shumë shpejt do të integrohet në Kornizën e programit ekonomik fiskal të BE-së.
 
Studimi i Fizibilitetit gjithashtu, i ka kushtuar një rëndësi të madhe arsimimit në Kosovë, një fushë ku Qeveria e Republikës së Kosovës ka bërë progres të jashtëzakonshëm.
 
Si rezultat i punës sonë, Komisioni Evropian do të rrisë fondet e Instrumentit të Para-anëtarësimit (IPA) për shkollim dhe përmes projekteve të ndryshme, shumë studentë kosovarë do të përfitojnë bursa studimi dhe trajnime të ndryshme.
 
Në këtë aspekt, ne e mirëpresim shumë mundësinë e themelimit të një Departamaneti për Studime Evropiane në Universitetin e Prishtinës, duke e ditur se nevoja për kuadro në këtë fushë është shumë e madhe.
 
Një çështje tjetër që është shumë e rëndësishme për qytetarët e Republikës së Kosovës është procesi i liberalizimit të vizave.
 
Për herë të parë, Kosovës i hapet kjo rrugë, natyrisht në përputhje të plotë me kriteret që duhet përmbushur në këtë drejtim.
 
Për këtë qëllim pritet të përpilohet strategjia gjithëpërfshirëse duke përshirë edhe detyrat përkatëse.
 
Unë me kënaqësi mund të ju them se Qeveria e Republikës së Kosovës tashmë ka filluar t’i kryej detyrat konkrete që lidhen me procesin e liberalizimit të vizave me qëllim që qytetarët e Kosovës të mund të udhëtojnë në të gjitha shtetet e BE pa viza.
 
Ne tashmë kemi filluar të negociojmë marrëveshjet për riatdhesim me disa shtete.
 
Kemi filluar forcimin e sigurisë së kufinjve të Republikës së Kosovës përmes Menaxhimit të Integruar të Kufinjve.
 
Ministria e Punëve të Brendshme është duke bërë përgatitjet përfundimtare për filluar procesin e pajisjes së qytetarëve të Kosovës me pasaporta biometrike, që është edhe një kusht tjetër teknik për liberalizim. Ky proces do të fillojë të implemetohet menjëherë në fillim të vitit 2010.
 
Rekomandimet e Studimit të Fizibilitetit në lidhje me procesin e liberalizimit të vizave janë një parahyrje dhe përgatitje e Republikës së Kosovës publikimin e udhërrëfyesit zyrtar nga Komisioni Evropian për inkuadrimin e Kosovës në procesin e liberalizimit të vizave, në kuadër të procesit të liberalizimit të vizave të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor.
 
Përmbushja e obligimeve teknike që do të dalin nga udhërrëfyesi zyrtar i Komisionit Evropian do të bëhet më një shpejtësi jo të rëndomtë duke marrë parasysh tanimë Qeveria e Republikës së Kosovës ka përgatitur udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave në mënyra të njëanshme dhe pas shqyrtimit të udhëzimeve të KE-së pritet të miratojë Planin e Veprimit për zbatimin e këtij udhërrëfyesi.
 
Është me rëndësi të theksohet se përkundër të gjitha sfidave drejt konsolidimit të shtetit të Kosovës, elementet që përmban Studimi i Fizibilitetit paraqesin një rëndësi të veçantë për të gjithë qytetarët e Kosovës, sepse kjo do të mundësojë shumë shpejt që qytetarët e Republikës së Kosovës të kenë mundësi të udhëtojnë lirshëm në vende të ndryshme të Bashkimit Evropian.
 
Po ashtu, avancimi i marrëdhënieve tregtare me Bashkimin Evropian paraqet një zhvillimin shumë të rëndësishëm, ku komuniteti i biznesit do të mund të eksplorojë tregun Bashkimit Evropian, si dhe anasjelltas.
 
Kosova ka përfituar nga preferencat autonome tregtare që nga viti 2000, për këtë Qeveria e Kosovës mirëpret iniciativën e Komisionit Evropian për thelluar raportet tregtare me Kosovën.
 
Kjo do të shërbejë në hapjen e tregut dhe zhvillimin e mëtejshëm të lëvizjes së lirë të mallrave, personave dhe kapitalit.
 
Si edhe më herët, Raporti i Progresit do të shërbejë si dokument orientues për Qeverinë e Republikës së Kosovës në vazhdimin e reformave të gjithëmbarshme sektoriale, me qëllim të përshpejtimit të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
 
Ky është një proces normal dhe se ne jemi të vetëdijshëm se Republika e Kosovës do të ketë sfida tjera sa më thellë të hyjë në procesin e integrimeve evropiane.
 
E dimë se një proces i tillë është sfidues dhe kompleks dhe për këtë arsye kemi marrë të gjitha masat e nevojshme për të lehtësuar sa më shumë procesin.
 
Vendimtare në këtë proces është vullneti i Qeverisë së Kosovës që t’i marrë këto sfida dhe inkorporojë në agjendën e saj duke paraparë aktivitete konkrete drejt adresimit të tyre.
 
Në terma konkret, Qeveria e Kosovës do të bëjë analizimin e thellë të Raportit të Progresit dhe të Studimit të Fizibilitetit dhe sfidat që dalin nga to do t’i përfshijë gjatë procesit të rishikimit të Planit të Veprimit të Partneritetit Evropian, me rezultate konkrete dhe të matshme se kur secili veprim do të përmbushet.
 
Për të bërë këtë gjatë dy muajve të ardhshëm do të kujdesemi që përveç Planit të Veprimit për Partneritet Europian (PVPE) t’i sinkronizojmë në mënyrën më të mirë dokumentet më të rëndësishme të qeverisë, si Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve, Planin Vjetor të Punës, Planin për Investime Publike dhe Buxhetin e Konsoliduar të Kosovës.
 
Vetëm në këtë mënyrë do të mund të kemi një politikë unike dhe të qëndrueshëm për integrim sa më të shpejt në BE.
 
Po ashtu, këtë vit procesi i programimit të Instrumentit të Para-anëtarësimit 2010 do t’i kushtojë vëmendje të veçantë adresimit të sfidave që dalin nga Raporti i Progresit. Të gjitha projektet e Instrumentit të Para-antarësimit, do të jenë në përputhje të plotë me sfidat e dala nga raporti i progresit.
 
Kosova gjatë kësaj periudhe ka vazhduar punën mjaft sfiduese drejt konsolidimit të institucioneve demokratike, reformave në fushën e administratës publike dhe gjyqësorit.
 
Një vëmendje e veçantë i është kushtuar edhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe të komuniteteve pakicë në Kosovë. Integrimi dhe kthim i të zhvendosurve është një sfidë e veçantë për Qeverinë e Kosovës, dhe një dialog i vazhdueshëm me të gjithë aktorët, përfshirë edhe vendet e rajonit është shumë i rëndësishëm për të zgjidhur çështjen e kthimit të të zhvendosurve, pronave dhe jo pak të rëndësishme çështjen e personave të pagjetur.
 
Qeveria e Republikës së Kosovës, është e përkushtuar në vendosjen e ekonomisë së tregut që do të jetë në shërbim të të gjithë qytetarëve të Kosovës, prandaj ka marrë me prioritet vërejtjet dhe rekomandimet e Komisionit Evropian në çështje që kanë të bëjnë me kontrollin financiar, ndihmën shtetërore, vendosjen e infrastrukturës ligjore për rregullimin e ndërmarrjeve publike.
 
Qeveria e Kosovës vlerëson lartë përkrahjen e vazhdueshme të Komisionit Evropian dhe donatorëve të tjerë në procesin e reformave dhe zhvillimeve institucionale.
 
Qeveria e Kosovës vlerëson kontributin e Komisionit Evropian në mbështetje të përpjekjeve integruese të Kosovës dhe konsideron se po krijohet një partneritet më i fuqishëm.
 
Në këtë drejtim, ekspertiza dhe rekomandimet e mëtutjeshme të Komisionit Evropian do të na ndihmojë në ndërmarrjen e reformave institucionale.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors