Fjala e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi në takimin e Komisionit Ndërministror të projektit të pjesëmarrjes së sektorit privat në Post-Telekomunikacionin e Kosovës
Prishtinë, 18 nëntor 2009
Të nderuar ambasadorë,
Të nderuar ministra,
Të nderuar përfaqësues të donatorëve,
të nderuar përfaqësues të konsorciumit fitues për këshilltarë të transaksionit,
të nderuar zonja dhe zotërinj
Mirë se keni ardhur në takimin e Komisionit Ndërministror për Projektin e Pjesëmarrjes së Sektorit Privat në PTK, me ç’rast ky komitet dhe konsorciumi fitues për Këshilltar të Transaksionit të këtij projekti po mbajnë takimin fillestar
Qeveria, sipas ligjit për ndërmarrjet publike, në Tetor të vitit 2008 ka themeluar Komisionin Ndërministror dhe me pas Njësinë Implementuese të Projektit. Kjo është bërë për të menaxhuar ligjërisht dhe sipas praktikave më të mira ndërkombëtare ketë projekt të rëndësishëm për gjithë qytetarët dhe zhvillimin e mëtutjeshëm të Republikës së Kosovës
Kjo strukturë mbështet në parimet e Organizatës për Kooperim dhe Zhvillim Ndërkombëtar dhe besoj është bazë shume e mire për një implementim te suksesshëm të këtij projekti.
Roli i Këshilltarit të transaksionit në këtë proces, është që përmes Komisionit Ndërministror, ta ndihmoj Qeverinë e Republikës së Kosovës që të analizoj opsionet e mundshme për përfshirjen e kapitalit privat në PTK.
Bazuar në analizën dhe vendimin qeveritar, vendimi final për pjesëmarrjen e kapitalit privat në PTK do të merret nga Kuvendi i Kosovës.
Këshilltari ndërkombëtar i transaksionit (konsorciumi fitues) ka referenca dhe përvoje të në projekte të ngjashme në vendet e ndryshme të botës dhe veçanërisht të Ballkanit Perëndimor.
Dua të theksoj se ky projekt është pjesë e politikave për reformën e sektorit të telekomunikacionit që Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar të implementoj.
Principi i politikave që qeveria është zotuar për këtë sektor është ai për treg të hapur, i transparencës së plotë, i konkurrencës në treg dhe në teknologji me garanci për shërbimet dhe të drejtat e konsumatorëve.
Kosova ka kushte dhe ambient shumë të favorshëm në treg për të ndjekur politikën e përfshirjes së kapitalit privat në PTK, duke përfshirë tregun liberal të telekomunikimeve dhe një rregullator (Autoriteti Rregullativ i telekomunikimeve) mirë të zhvilluar.
Në fund dua të theksoj se si Qeveri jemi të vendosur për të ndjekur standardin më të lartë të transparencës në këtë proces të rëndësishëm për qytetarët e Republikës së Kosovës.
